ETIKA INTEGRALE E HIVZI SULEJMANIT

Romani voluminoz “Njerëzit” është absolutisht një ndër krijimet e rëndësishme shqiptare/kosovare që e vë autorin në majat e prozës moderne shqipe

Bujar MEHOLLI

Sikur në tregime ashtu edhe në prozën e gjatë, Hivzi Sulejmani ka si pikënisje të itinerarit të tij letrar/artistik besimin në njeriun, gjegjësisht në virtytet e tij sociale. Ndaj, siç thotë profesor Qosja, ai, shtron kërkesa të mëdha në këtë pikëpamje sepse njeriun e sheh si krijesë me vetëdije dhe etikë, prej nga dhe duhet të vijë reflektimi i tij si pjesë e shoqërisë. Hivzi Sulejmani orvatet ta krijojë veprën si dëshmi e kohës të cilën e jeton, pra, gjallon mes saj. Bindjet e tij të majta priren vetvetiu kah trajtesa e problematikave delikate socio-politike por duke u shtyrë drejt një venerimi të hollësishëm të krijesës njeri që, për dallim nga kafsha, është i vetëdijshëm për privimin nga jeta…. siç shkruan Rilke në këto vargje emblematike: “Ne nuk kemi kurrë asnjë ditë të vetme hapësirën e kulluar para nesh në të cilën lulet çelin pambarimisht/Përherë është botë dhe asnjëherë askund pa jo: e kulluara, e paruajtura, e cila thithet dhe dihet pafundësisht dhe nuk dëshirohet/Kush na ka bërë pra kështu që çfarëdo që të bëjmë kemi qëndrimin e atij i cili merr rrugë?/Kështu jetojmë ne dhe ndahemi gjithmonë…”

Hivzi Sulejmani është i preokupuar, si artist, me idetë etike të njeriut, sepse mendon se ato mbrusen edhe me idealet shoqërore në përgjithësi. Por analiza e hollësishme e njeriut çon drejt shkarjes etike e cila objektivizohet si problematikë e veprës së Sulejmanit – një çështje e vjetër dhe e trajtuar dendur në art. Hivzi Sulejmani – thotë Qosja – ka shtruar një problem bashkëkohor që në botë e shtrojnë shumica e shkrimtarëve, që s’iu reshtën dialogjeve më të ashpra me kohën dhe shoqërinë  Sulejmani kërkon nga njeriu konsekuencë, kërkon njeriun parimor i cili do t’i mbrojë idealet e tij në çfarëdo mënyre duke u udhëhequr nga morali qoftë në paqe, qoftë në luftë – për ta arritur lumturinë; siç thotë Aristoteli “ne zgjedhim nderin, inteligjencën, kënaqësinë dhe çdo lloj virtyti për shkak të lumturisë duke supozuar se nëpërmjet tyre do të jemi të lumtur”. Hivzi Sulejmani si shumë autorë, shqiptarë dhe të huaj, të pjesës së parë të shekullit XX u ngritën kundër regjimit nazi-fashist që gjithsesi s’e premtonte lumturinë. Përkundrazi. Penda e Sulejmanit mbronte fuqishëm njeriun kurdoherë, por jo pa i vënë në optikën kritike edhe të metat, devijimet, shkarjet, tradhtitë, servilizmin… shkurt, Hivziun e preokuponte, sikur dhe shumë krijues tjerë – dilema e kamotshme: si të bëhet njeriu, njeri?!

Qosja vazhdon: Rruga jetësore i ka dhënë mundësinë Hivzi Sulejmanit që të shohë se si njeriu di të jetë i fortë dhe i pakalueshëm, por në të njëjtën kohë servil, karrierist dhe i pashpirt. Hivzi Sulejmani mban qëndrim kritik ndaj njeriut dhe jetës së tij, s’mund të qëndrojë indiferent karshi dukurive sociale e problemeve politike. Për Qosjen, ai, s’ka treguar kurrë gatishmëri të sakrifikojë të vërtetën për hir të oportunitetit dhe të dobisë individuale, si krijues nuk ka mundur e nuk ka dashur të shkruajë ndryshe përpos ashtu siç i përgjigjet natyrës së tij të vrojtimit dhe të pohimit, krijues që shkruan në pajtim me vetëdijen e tij morale dhe marksiste. Edhe në tregime, fjala vjen, te “Mjegulla”, Hivzi Sulejmani parashtron idetë e tij etike-filozofike duke shtruar kërkesa të mëdha për krijesën njeri, e megjithatë ky problem është i vjetër sa bota, pra, përsosmëria etike, besimi te tjetri, kauzaliteti, sakrifica, përafrimi… të gjitha këto janë përdhosur e përdhosen vazhdimisht nga vet njeriu. Ndaj “Mjegulla” ndërtohet sipas një skpeticizmi etik që vjen me një stil shkrimi mjaft konciz, përmes dialogëve, personazheve që janë polet e kundërta në brendësinë e njeriut dhe nisin e çajnë aurën e humanitetit: “Edhe nji herë nuk u ndanë. Vazhduen jetën si më parë. Dhe u zhagitën nëpër të gjithnji tue u përla. Në vështirsina, në sprovime… Shum vjet me radhë. Por… Nji ditë, Jaku e kapi Ajakun për fyti. E shtrëngoi me tanë fuqi që kishte. Ajaku u zverdh, u turr me forcat e fundit. U bë rrokupujë… Në fund — nji dridhje e dobët dhe — Jaku e mbyti Ajakun. Edhe vehten me të. Sepse trupi ishte nji. E jeta vetëm nji. U çue, prap, tymi. Prej tymit — Jaku dhe Ajaku të rij. Filloi gëzimi. Jetuen, mandej, do vjet të kandshme. U rritën dhe prap u ndanë në: sot e nesër. Ma në fund edhe ky Jaku e mbyti Ajakun. Prap u çue tymi. Prej tij — Jaku dhe Ajaku. Edhe nji herë u bë gëzim. Mandej pikllim. Pastaj tym. Pikllim. Tym.” (Hivzi Sulejmani, “Era dhe Kolona”, Rilindja, Sipërmarrje gazetare-botuese, Prishtinë — 1959, fq. 27)

Nëse jo iluminizmi dhe racionaliteti e etja për dije, nëse jo paqja nga zhvillimi i hovshëm teknik, nëse jo religjioni e besimi, atëherë çfarë do të duhej për humanizmin dhe universalitetin e njeriut? Dobësimin e ndërgjegjes së njeriut, mjerisht, – shkruan tutje Qosja – nuk e kanë penguar fare as dogmat e Krishtit dhe Muhamedit, por as doktrina më humaniste dhe universale në historinë e qytetërimit, e Karl Marksit. Të pamurit e njeriut kuantitativisht përbën një problem mjaft të madh sepse reduktohet në masë të madhe të pamurit kualitativisht i qenies njerëzore duke krijuar interesat vetiake, egoizmin, premisa të mjaftueshme për të realizuar të këqijat më të llahtarshme që çuan deri te Hitleri dhe autokratizmi i tij. Jo rrallë herë Hivziu e sheh nga pikëpamja skepticiste gjallimin e njeriut, madje duke ngritur nivelin pesimit alla shopenhauerian a niçean. XX Hivzi Sulejmani hyri në prozën shqiptare si njeri konsekuent, shkrimtar i vetëdijshëm për misionin e tij – jokonformist, zë avangardist kundrejt konformizmit e burokratizmit, i brumosur me ide të majta, me ndikime nga autorë të spikatur antifashistë si Remarque e Hemingway, marksist idealist e humanist, autor që kërkojë shumë nga njeriu, por edhe u zhgënjye jo pak, kritikues i mirëfilltë i parimeve që shndërrohen në dogma, i njerëzve ambiciozë e karrieristë që “bëjnë amin për çdo gjë dhe e konsiderojnë ligjin si një dogmë para së cilës përkulen sikundër përkulen njerëzit e devotshëm para formulave të Kuranit apo të Ungjillit.” I ndodhur mes modernizmit dhe realizmit tradicional, Sulejmani, adapton një stil disi më të thatë, të saktë e konkret, eviton lajlelulet e përshkrimet sipërfaqësore, të shprehurit e tij është diskursiv dhe absorbon një ironi të hollë e cila përputhet bukur me gjithë idealin parësor të autorit, moralin dhe etikën njerëzore në traditën e Gogolit i cili do të trajtonte probleme kruciale shoqërore me prirje të rrallë për të krijuar skena humori e gazi përmes së cilave thumbohet aparati shtetëror i Carit dhe shkarjet e shumta socio-politike. Te “Njerëzit” hasim në pasazhe përsiatjesh meditativo-filozofike mbi jetën dhe qeniet humane që gjallojnë në të. Në kuvendimet që personazhi kryesor i bën me vete, Sulejmani shtron para idetë me të cilat qe brumosur karakteri i tij; pra jeta ia vlen të jetohet por njerëzit kanë përgjegjësi të mëdha për ta bërë botën të jetueshme… Fjala vjen, Hafizi (Hivziu) mendon për vetëvrasjen, burracakërinë… “kur dhembja fizike ose shpirtërore bëhet aq e tmerrshme dhe e padurueshme, sa vdekja duket se është e vetmja rrugëdalje dhe i vetmi shpëtim. Atëherë njeriu, jo vetëm që ikën prej saj, por edhe e kërkon dhe e pranon. Atëherë ajo nuk është as e dhembshme, as e tmerrshme, ajo është e vetmja rrugëdalje. E vetmja zgjidhje… jo, jo. Për të ngrehur dorën kundër jetës sate nuk është dobësi. Kjo s’është dobësi. Ky është veprim që bëhet prej dashurisë tepër të madhe për jetën, jetën pa kompromis, jetën më të bukur, më të pastër dhe më njerëzore…” (Hivzi Sulejmani, “Njerëzit”, Sh. B. Rilindja, Prishtinë, fq. 38) Një pasazh i mbrusur me filozofi ekzistenciale që tipizohet në personin e Hafizit – njeri me moral të fortë, mendimtar, herë-herë i zhgënjyer e mbërthyer nga tisi i pesimizmit por megjithatë vetëmohues e i vendosur…

Romani voluminoz “Njerëzit” është absolutisht një ndër krijimet e rëndësishme shqiptare/kosovare që e vë autorin në majat e prozës moderne shqipe. “Njerëzit” përbën autobiografinë e Sulejmanit i cili përshkruan jetën revolucionare, angazhimin politik dhe luftën e vendosur kundër regjimit nazi-fashist. Odiseu i tij na jepet përmes një gjuhe të fuqishme dhe të gjallë, krahas shpalosjes së shumë ngjarjeve politike/sociale të kohës që përshkruhen me stilin zhurnalistik. Hafizi, personazhi kryesor, është djalosh i vrullshëm, guximtar, luftëtar i vendosur kundër regjimit dhe padrejtësive; ai kalon nëpër shumë peripeci mes shëndetit të ligë e dëshpërimit. Azizi, vëllai, po ashtu antifashist i përbetuar, lufton por përfundon në duart e Gestapos të cilët e torturojnë gjersa e vrasin. Paraprakisht ky s’flet gjë për shokët dhe në roman ndonëse paksa skematik tipizon njeriun idealist dhe të vendosur e besnik në kauzë, qoftë dhe duke e paguar me jetë. Preferon të vdesë ndershmërisht mes torturave. (Vëllai i dytë që humb Hafizi). Dhe, natyrisht, Xhemilja, nëna. Një grua herkuliane shqiptare. Portretizimi i saj është fare i veçantë dhe i ndërtuar me mjeshtëri dhe kujdes. Kjo grua kalon nëpër shumë vështirësi tok me djemtë, përjeton dhimbje të mëdha por mbahet! Qëndrimi i saj stoik karshi stuhive shoqërore është i jashtëzakonshëm dhe ajo, Xhemilja, ngelet personazh i paharruar që tipizon shëmbëlltyrën morale të gruas shqiptare që me ndershmëri e forcë u bën ballë tallazeve jetësore pa u zmbrapsur asnjëherë.

Qyteti i Mitrovicës – me kafenetë, çajtoret, hotelet, çarshinë, Trepçën, urën e gurtë të Ibrit, Sitnicën, njerëzit e ndershëm, por edhe agjentët e Gestapos që ngarendin dhe mbjellin frikë dhe pasiguri – zë vend të rëndësishëm në roman. Mitrovica përshkruhet si qytet mjaft funksional, me arkitekturë urbane e me ngrohtësi në secilën rrugë e rrugicë të saj. Hafizi dhe familja jetonin aty; në Mitrovicë përshkruhen gjithashtu vuajtjet, padrejtësitë sociale që i sillte regjimi i kohës, çizmet e armikut, por gjithsesi Hivziu ka shpresë se terrori do të kalojë dhe ditët e mira do të vijnë, e qyteti do të frymojë lirshëm… Hafizi bredh nëpër Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Prishtinë… i burgosur dhe i persekutuar por asnjëherë i thyer! Kemi të bëjmë me një roman të guximshëm i cili të emocionon duke provuar se çfarë regjimi i llahtarshëm ishte fashizmi dhe ngarendja pas ideve, në thelb, të krisura. Humbja e vëllezërve dhe e shumë miqve, lamtumirat me duart e shtrënguara, sëmundja e Hafizit që gati sa i merr jetën, dëshpërimi i Xhemiles që s’i pa djemtë e martuar e s’pati nipër e mbesa, torturat që pëson Azizi para vdekjes, janë episodet më prekëse, thellësisht humaniste, të romanit që marrin nota melankolike dhe si mjeshtëri narrative mund të krahasohen me emrat e mëdhenj të prozës evropiane antifashiste e progresiste…

Rexhep Qosja në parathënien e librit shprehet se: “Hivzi Sulejmani është në gjendje, dhe i gatshëm, të besojë se prore do të ketë njerëz që nuk i tjetërsojnë virtytet. S’ka dyshim se Hivzi Sulejmani është shkrimtar që ka dalë me një përvojë të rëndë, specifike, nga lufta. Ai, vazhdon Qosja — padyshim manifeston në krijimtarinë e tij vetëdijen e qartë se ta duash njeriun pa ia vërejtur të metat dhe të mirat domethënë se nuk je në gjendje ta duash fare, se nuk je realist as ndaj të tanishmes, as ndaj ardhmërisë së tij”.

Hivzi Sulejmani shkruan si realist kritik, humanist, duke portretizuar tablonë e dhimbshme të popullit shqiptar në atë kohë të errët, duke besuar çdoherë te njeriu, etika e tij, dhe ndryshimi! Bashkë me Petro Markon (i cili romanin “Një emër në katër rrugë” e nis me “Rroftë jeta!”) dhe disa autorë të tjerë përbën plejadën e prozës realiste shqipe dhe konsolidimin e romanit si zhanër. Ja një pasazh utopist nga fundi i romanit: – “E, ofshani Hafizi – sikur nënat dhe mësuesit ta sundonin botën, edhe jeta do të ishte tjetër. Nuk do të kishte as të këqia, as padrejtësi. Të gjithë do të ishin njerëz dhe do të jetohej njerëzisht. Të gjithë do ta ndihmonin dhe do ta nderonin njëri-tjetrin. Lotë do të kishte krejt pak, e lumturi me bollëk. Jeta do të ishte vetë lumturia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.