Frederik Rreshpja

KOPSHTI

Është kopshti ku kënga ime ka një statujë.

Luanët e thyer të fëminisë

Pinë ujë te pusi i vjetër,

Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu

Shpesh nga mitet dalin satirët

Dhe hapin dyert e mbyllura të hijeve

Vështron shtigjet e natës jasemini

Dhe drita e bardhë i rrjedh nga gishtërinjtë.

Narçizi nxjerr supet nga gonxhet,

I pikëlluar nga magjia e vet

Hëna dhe zanat fshihen

Dhe vështrojnë pas gjethesh.

Është kopshti ku kam një statujë

Bërë prej ngjyrash e gjethesh,

Ndiej në ballë daltat e pranverës

Që, nga bari, sytë e mi gdhend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.