FRIKA NGA LIRIA

Përmes një rrëfimi të errët dhe tronditës, Orwell eksploron fuqinë e propagandës, manipulimin e së vërtetës dhe humbjen e lirisë njerëzore në një shoqëri ku çdo mendim dhe veprim është i mbikëqyrur

Ervina TOPTANI

Romani “1984” i George Orwell është një nga veprat më të rëndësishme dhe të fuqishme të letërsisë distopike, e botuar në vitin 1949 nga George Orwell, emri i vërtetë i të cilit është Eric Arthur Blair, me profesion gazetar. Romani përshkruan një botë totalitare ku individët jetojnë nën kontrollin e rreptë të Partisë, e udhëhequr nga figura e padukshme e Vëllait të Madh (Big Brother). Përmes një rrëfimi të errët dhe tronditës, Orwell eksploron fuqinë e propagandës, manipulimin e së vërtetës dhe humbjen e lirisë njerëzore në një shoqëri ku çdo mendim dhe veprim është i mbikëqyrur.

Personazhi kryesor i romanit është Winston Smith, një burrë që jeton në Oqeani, një shtet i kontrolluar nga Partia. Jeta e përditshme është e mbushur me survejim të vazhdueshëm nga “telescreen-ët” që janë pajisjet që transmetojnë propagandën e partisë dhe me frikën e Policisë së Mendimeve, e cila ndëshkon çdo mendim kundër regjimit. Partia manipulon realitetin duke ndryshuar historinë dhe gjuhën përmes “Gjuhës së Re” (Newspeak), një formë e re e gjuhës që synon të kufizojë mendimin kritik.

Pavarësisht frikës dhe presionit, Winston fillon të dyshojë te sistemi dhe ëndërron për një botë më të lirë. Ai nis një lidhje sekrete me Julian, një grua rebele, dhe të dy përpiqen të sfidojnë Partinë. Së bashku, ata kërkojnë shpëtim te “Vëllazëria”, një organizatë e supozuar që kundërshton regjimin.

Por, Winston dhe Julia tradhtohen dhe arrestohen nga O’Brien, një anëtar i Partisë së Brendshme, që ishte elita e vërtetë sunduese e shtetit totalitar, i cili shfaqet si rebel, por në fakt është një agjent besnik i sistemit. Në Dhomën 101, Winston i nënshtrohet torturave psikologjike dhe fizike deri sa humb çdo ndjenjë rezistence. Në fund, ai dorëzohet plotësisht, pranon autoritetin e Partisë dhe më e tmerrshmja është që fillon ta dojë “Vëllain e Madh”.

Është një libër që besoj se diktatori shqiptar dhe jo vetëm ai e kanë pasur si busull në ndjekjen me përpikëri të mbikëqyrjes dhe kontrollit totalitar të shoqërisë ku çdo aspekt i jetës monitorohej nga shteti.

Manipulimi i së vërtetës dhe historia që ndryshohet vazhdimisht e ndjekur nga dhuna dhe injektimi i frikës janë armët e forta që i përshtaten narrativës së Partisë, duke treguar fuqinë e propagandës dhe ndikimin e saj mbi mendjen e njerëzve.

Liria mbetet diçka utopike prej së cilës njerëzit kanë frikë, pavarësisht se nuk e njohin atë. Frika është elementi bazë që përshkon gjithë ecurinë historike të këtyre vendeve fatkeqe si i yni dhe në këtë roman tregohet më së miri sesi frika e ndëshkimit mund ta shkatërrojë shpirtin njerëzor.

Edhe vetë dashuria si element ekzistues në jetën e njeriut, e cila në roman simbolizon shpresën, përfundon si një mjet që Partia e përdor për të shkatërruar njerëzit. Gjuha që njerëzit e përdorin si mjet komunikimi kthehet në fakt në mjet për të formuar realitetin e partisë dhe për të kufizuar në maksimum lirinë e mendimit.

Njësoj si Machiavelli me “Princin” e tij, si Maurice Jolie me “Dialog në ferr”, edhe Orwell me “1984” i kanë shërbyer njerëzimit duke i ndezur fanarin e mendimit për të mos gabuar e për të mos minuar jetën e tyre e të brezave që vijnë, por në shoqëritë ku ka mbizotëruar injoranca dhe pandërgjegjja e kësaj injorance, diktatorët, politikanët meskinë e shpirtzinj i kanë parë këto kryevepra si mundësi suksesi për veten e tyre, duke i zbatuar ato pikë për pikë e duke i çuar popujt drejt humnerës ku një shembull i këtij shkatërrimi është Shqipëria.

Nuk e di nëse ky libër studiohet në shkollat e mesme në Shqipëri e nëse nuk studiohet atëherë do të vazhdojmë pambarimisht të jemi nën trysninë e pandërgjegjjes për injorancën tonë. Shkurt, do të jemi përjetësisht të mallkuar për të mos dalë nga qerthulli i politikanëve shpirtzinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.