HEREZIA E DËRVISH MALLUTËS

Teki Dërvishi në tekstin e tij ka gërshetuar elemente të shumta letrare, kulturore e fetare, duke u nisur nga miti dhe demitizimi, elemente të kulturës muzikore e teatrale, sekte dhe libra të ndryshëm fetar

Fatbardhë HASI

“Herezia e Dërvish Mallutës”, vazhdimësi e librave që do t’i rishkruante edhe një herë Teki Dërvishi. Ky roman na del kupolë e tre librave të mëparshëm, pasi që tek ky libër nuk e hasim frazën këtë libër do ta shkruaj përsëri. I ndërtuar mbi fiksionin, mistiken, mitin, spiritualen dhe realen “Herezia e Dërvish Mallutës” është roman kompleks për t’u deshifruar. Dërvishi zgjedhë lartësinë dhe e bën topos për zhvillimin e ngjarjes në vepër. Kemi një personazh i cili niset nga rrafshi për të pushtuar majën.

I motivuar nga ngjarjet jetësore të kohës, Teki Dërvishi e ndërton tekstin e tij përmes alegorisë në një rend trishtresor që janë: mbyllja/burgimi i individit si pasojë e mos përshtatjes me kolektivin, njohja e unit dhe nënshtrimi i vetës dhe naiviteti shoqëror (me naivitet po i referohemi injorancës, themi kushtimisht, të shoqërisë lidhur me besimin dhe botëkuptimin për botën. Ata janë, kryekëput, besëtytë).

“Po nisemi nga burimi: herezia është një doktrinë (teori), që u shfaq në gjirin e kishës katolike, që ka të bëjë me gjykimin e asaj që korrupton (prish) dogmat”, (Ibrahim Rugova). Dërvish Malluta ka thyer rregullat të cilave është dashur t’u përmbahet. Por, heretizmi në vepër nuk është vetëm i Dërvish Mallutës, por ai kapë edhe pjesë të tjera brenda tekstit. Kujtojmë ikjen e gjarprit nga themelet e shtëpisë, lutja e nënës që i bën të birit të dalë e ta kërkojë varrin, imoraliteti në Sukën e Cërmjanit, në vend fetar, hilet në bixhoz etj.

Romani fillon në formën e një përralle: moti, në kohët e shkuara, rrëfehet në vetën e parë, në kohën e kryer të thjeshtë. Në fillim na shfaqet një enigmë, zhdukja e djali në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçe, emri i të cilit nuk na bëhet i ditur. Përmes shenjave në tekst shohim që ai djalë është pikërisht subjekti të cilit i kushtohet vepra e që është Mulla Hamidi i Verdhë, alias Avni Gaxha, që portretizon gjithë të zhdukurit, të cilëve s’u dihet varri e “shpirtrat e tyre bredhin”.

Që vepra i është kushtuar Hamidit të Verdhë, vërtetohemi në tekstin brenda romanit ku narratorri rrëfen për takimin e parë me Hamidin.“ Kur isha fëmijë fare, kur me prindërit e mi pata shkuar në teqenë e Sukës për ta dërguar kurbanin e festës së hashurës e të Muharremit, Avni Gaxha  më kishte marrë në prehër dhe kish thënë: ky do ta shkruaj jetën time.”

Ekzistimin e një personi me emrin Avni Gaxhë, autori e dokumenton me fakte nga libri i amzës për lindjen e tij në vitin 1912, dhe dokumentet arkivore të Komunës së Gjakovës që vërtetojnë vdekjen e tij, në vitin 1957. Autori e vendosë ngjarjen në vitin 1979, por koha në vepër është faktikisht ireale apo subjektive. Vitet e shekujt që kalojnë e rikthehen prapë e bëjnë të qëndrushëm konstatimin që personazhi e rrëfen ngjarjen somnambul, i shkëputur nga realiteti. Takimi dhe bisedat me njerëz të vdekur dhe me figura nga mitologjia greke, peripecia e hapjes së koburit të Shehut, zogu që mjaullinë janë një misticizëm i hapur.

Meqenëse interpretimi është subjektiv, por duke u lidhur gjithmonë me tekstin dhe shenjat që na ofron ai, atëherë kur kemi parasysh shtresimet e lartcekura si makrotemë e veprës na del: Individi në luftë me veten dhe të tjerët. Në fillim të romanit na është dhënë një lloj prologu, një pohim që Mulla Hamidi i bën narratorit-personazh:

e paske mësuar mirë zanatin- shtoi

ti di të godasësh lodra të mrekullueshme

po a do të mund të gjesh myshterinj që të mund t’i blejnë këto?

Ata që ua dinë vlerën lodrave tua do të vrasin,

kurse të tjerët as do të mund t’i shohin.

Dervishi i ri është shkrimtar dhe është pikërisht ky fakt dhe etja e tij për dije dhe njohuri (etje të cilën shkon ta shuajë me ujin e pusit të Sukës) ajo që e bën të ndryshëm nga kolektivi dhe i ngjallë konflikt edhe me Likun. Dervishi i ri di vetëm lojën e shkrimit, e shkrimi dhe arti njerëzve primitiv s’u hyn në punë. Në panairin e Tyrbes së Becit, zgjidhen shumë dilema e veçanërisht në bixhoz, ku të gjithë i shfaqin fytyrat e vërteta përballë parasë. Aty edhe ngadhënjen shkrimtari/asketi, i cili luan pa frikë, sepse preokupim për të është fryma jo materia. Psikologjia e individit dhe lufta e tij me vetveten e kolektivin vënë në pah frymën ekzistencialiste të thellë tek dervishi i ri, por edhe te Hamidi i Verdhë. Pesimizmi, vetmia, mbyllja, burgimi apo veçimi nga rrethi dhe lufta e egër shpirtërore me unin, i karakterizon dhe përafron të dy personazhet.

Romani është i ndarë në kapituj të cilët janë emëruar me sintagma simbolizuese. Janë pjesë të dhëna përmes të cilave përmblidhet tërësia. Kemi lojën me mbiemra që tregon tiparet e çdo personazhi. Hamidi i Verdhë simbolizon njeriu e vdekur, Kurtije Zana, sipas emrit ‘’kurtizane” që ishin prostituta, por edhe kuptonin gjitha llojet e artit për t’i zbavitur klientët, Lik Gushëholli njeri mendjengushtë që s;e përkrahë individualizmin dhe është në luftë të hapur me intelektualët. Teki Dërvishi në tekstin e tij ka gërshetuar elemente të shumta letrare, kulturore e fetare, duke u nisur nga miti dhe demitizimi, elemente të kulturës muzikore e teatrale, sekte dhe libra të ndryshëm fetar. I gjithë teksti i romanit është ndërtuar mbi figurën e alegorisë, është tekst shumë shtresor dhe i koduar. Përveç rrymave të ndryshme filozofike me të cilat përballet personazhi i tij si: hedonizmi, nihilizmi, skepticizmi, ai shtjellon edhe, të ashtuquajturat, krizat psikologjike të personazhit. Shohim se autori ka vënë në lojë mbarë kolektivin, duke theksuar naivitetin e tyre  dhe besimin në besëtytnitë nga më të ndryshmet. “Herezia e Dërvish Mallutës” është roman që ngre dilema dhe të krijon pikëpyetje të njëpasnjëshme, në procesin e perceptimit të niveleve semantike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.