ISABEL ALLENDE – SHKRIMTARJA E NARRATIVËS BASHKËKOHORE

Romanet e Allendes, shpesh, bazohen në përvojën e saj personale dhe ngjarjet historike, i bëjnë homazh jetës së grave, duke ndërthurur së bashku elemente të mitit dhe realizmit

Përgatiti: Xhahid BUSHATI

“Unë shkruaj për të ndriçuar të fshehtat e fëmijërisë sime, për të përcaktuar identitetin tim, për të krjuar vetë legjendën time. Më në fund, e vetmja gjë të cilën e zotërojmë plotësisht, është kujtesa që kemi thurur. Secili   zgjedh ngjyrimin për të treguar historinë e vet; unë do të isha për qartësinë e durueshme të një mbrese në platin, por në    fatin tim asgjë nuk e ka këtë veti ndriçuese. Unë jetoj e rrethuar nga ngjyrime të hallakatura, nga të fshehta të mbuluara nga pasiguria dhe   toni me të cilin tregoj jetën time, që përputhet më mirë me atë të një portreti në sepje…”

Isabel Allende “Portret në sepje” (fragment), përktheu Nasi Lera, botuar nga Botimet Dudaj, Tiranë, 2002.

Isabel Angelica Allende Llona u lind më 2 gusht 1942 në Lima (Peru). Është shkrimtare kiliano-amerikane. Allende është tipologjia e shkrimtares, ku veprat e saj, shpesh, përmbajnë aspekte të zhanrit të realizmit magjik. Është e njohur për romanet si: “Shtëpia e shpirtrave” (1982), dhe “Qyteti i bishave” (2002), të cilët i kanë dhënë famë dhe autoritet artistik. Allende është quajtur “… autorja më e lexuar në botë në gjuhën spanjolle”, Në vitin 2004, Allende hyri në Akademinë Amerikane të Arteve dhe të Letrave. Në vitin 2010 mori Çmimin Kombëtar të Letërsisë së Kilit. Presidenti Barack Obama i dha Medaljen Presidenciale të Lirisë (2014).

Romanet e Allendes, shpesh, bazohen në përvojën e saj personale dhe ngjarjet historike, i bëjnë homazh jetës së grave, duke ndërthurur së bashku elemente të mitit dhe realizmit. Ka mbajtur leksione, ka vizituar kolegje në SHBA, ku ka dhënë mësim letërsie. Duke folur rrjedhshëm gjuhën angleze, Allende-s iu dha shtetësia e Shteteve të Bashkuara në vitin 1993, pasi jetonte në Kaliforni që nga viti 1989.

Babai i saj, Tomas-i, ishte kushëriri i parë i Salvador Allende-s, President i Kilit nga viti 1970 deri në 1973. Në vitin 1945, pasi Tomas i la ata, nëna Isabel u zhvendos me tre fëmijët e saj në Santiago (Kili), ku jetuan deri në vitin 1953. Në këtë vit, nëna e Allendes u martua me Ramón Huidobro dhe familja, shpesh, lëvizte. Huidobro ishte një diplomat i emëruar në Bolivi dhe Bejrut. Në La Paz (Bolivi), Allende ndoqi një shkollë private amerikane; dhe në Bejrut (Liban), një shkollë private angleze. Familja u kthye në Kili në vitin 1958. Në rininë e saj, Allende lexonte gjerësisht, veçanërisht veprat e Shekspirit.

Në vitin 1970, Salvator Allende emëroi Huidobro si ambasador në Argjentinë. Ndërsa jetonte në Kili, Allende mbaroi studimet e mesme, takoi studentin e inxhinierisë Miguel Frías, me të cilin u martua në vitin 1962. Kishin dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Nga viti 1959 deri në vitin 1965, Allende punoi me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në Santiago, më pas në Bruksel dhe gjetkë në Evropë. Për një kohë të shkurtër në Kili bënte një punë, duke përkthyer romane  romantike nga anglishtja në spanjisht.

Vajza e Allendes, Frías Paula, u lind në 1963. Vdiq në 1992. Në 1966, Allende u kthye, përsëri, në Kili, ku djali i saj Nicolás u lind atë vit.

Në vitin 1973, Salvator Allende u rrëzua në një grusht shteti të udhëhequr nga gjenerali Augusto Pinochet. Isabel e gjeti veten duke rregulluar kalimin e sigurt për njerëzit në “listat e kërkuara”, gjë që vazhdoi ta bënte derisa nëna dhe njerku i saj i shpëtuan për pak atentatit. Kur ajo vetë u shtua në listë; filloi të merrte kërcënime me vdekje. Iku në Venezuelë, ku qëndroi për 13 vjet. Gjatë asaj kohe Allende shkroi romanin “The House of the Spirits” (1982). Allende është shprehur se shpërngulja e saj nga Kili e bëri atë një shkrimtare serioze: “Unë nuk mendoj se do të isha shkrimtare, nëse do të kisha qëndruar në Kili. Do të isha në kurth tek punët, tek familja, tek personi që njerëzit prisnin të jem unë”.

Në vitin 1981, ndërsa ishte në Karakas, Allende mori një telefonatë, duke e informuar se gjyshi i saj 99-vjeçar ishte afër vdekjes. Ajo i shkroi atij një letër, duke shpresuar në këtë mënyrë “ta mbante atë të gjallë, të paktën në shpirt”. Letra u shndërrua në një libër dhe u quajt “Shtëpia e shpirtrave” (1982). Allende u krahasua me Markezin si një autor në stilin e njohur që lëvronte realizmin magjik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.