Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kultura ka qenë gjithmonë një mjet i fuqishëm për ruajtjen dhe përparimin e identitetit kombëtar
Nga Avni HALIMI
Strukturat nacionaliste antishqiptare, të etabluara edhe në pushtetin aktual në RMV, madje në koordinim edhe me subjektet politike shqiptare, që me gjasë më shumë po i shërbejnë qeverisë vmro-iste se sa interesit shqiptar, ashiqare po e shprehin angazhimin e tyre strategjik për shtetin komb, të cilin, për ta arritur duhet që sa më shumë të mohohet apo të margjinalizohet prezenca e elementit shqiptar në shtet-formësimin e Maqedonisë së Veriut. Dhe, tërë ky synim po mjegullohet kinse me fajet e BDI-së, e cila për 20 vite në qeveri nuk paska bërë asgjë, ose paska miratuar ligje që nuk janë në të mirë të shqiptarëve të këtushëm. Dhe, meqë nuk qenkan në të mirë të shqiptarëve të këtushëm, ndërsa nga ana tjetër, edhe po ua prishin maqedonasve matematikat për shtetin-komb, atëherë t’i eliminojmë të gjitha ato ligje e vendime tumurale dhe, të paktën, njëra palë të shohë hajër!
Angazhim nacional për mohim të diversitetit kulturor
Kjo iniciativë nacionaliste u ngrit fillimisht në fushën e kulturës, me synimin për ta abroguar fare ligjin kushtetues sipas të cilit gjuha shqipe (e emërtuar si gjuhë e 20 %-shit) e fiton statusin e gjuhës zyrtare. Nga ana tjetër, tërë “angazhimi kombëtar” i partive shqiptare që sot participojnë në pushtetin aktual shprehet te “autostrada e Bllacës”, te rruga Tetovë-Prizren që mbase do të bëhet ndonjëherë si dhe te Korridori 8! “Projekt kombëtar” po llogaritet edhe zhbërja e rrjetit të kazinove (thuajse janë “qendra rekreative” ekskluzivisht në dëm të shqiptarëve)! Po kultura? Në çfarë derexhe e kemi kulturën? Po flitet se në Ministri të Kulturës dhe Turizmit zëvendës ministër qenka një shqiptar, të cilin akoma nuk e paska takuar ministri maqedonas! A e dinë subjektet shqiptare që participojnë në qeveri se ky gjest nacionalit është i qëllimshëm dhe që përçon mesazhe kundër shqiptarëve dhe kulturës së tyre? A e dinë këta rishtakë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se kjo sjellje do të thotë angazhim për mohimin e diversitetit kulturor dhe për ekskluzivitetin e kulturës maqedonase në këtë shtet?
A e kuptojnë këta rishtakë qeveritarë se sot e ke më të lehtë të hysh e të dalësh nëpër burgjet e Maqedonisë së Veriut, se sa të aplikojë shqiptari me projekte për programin nacional vjetor për kulturë? Janë një mori kërkesash dhe dokumentesh për konkurrim elektronik, të cilat, jo të gjithë i kanë të qarta, sidomos shqiptarët. Ky konkurrim online, sa vëzhgohet prej shqiptarëve, sa pranuesit e aplikimeve janë të sinqertë në raport me aplikimet e shqiptarëve? Këtë program vjetor e përbëjnë projektet që miratohen nga komisionet përkatëse? Kësaj radhe ministri maqedonas na e paska rritur standardin e profesionalizmit! A është ky qëllimi? Pa dyshim, jo! Qëllimi parësor është që në program të përzihen sa më pakë shqiptarë, ose eksluzivisht ata shqiptarë që janë dashamirë dhe bartës të projekteve multi-kulti të kërkuar dhe përkrahur vetë nga maqedonasit! Ja një shembull! Për themelimin e komisionit në sektorin e Trashëgimisë Kulturore, ministri nuk lëshon as vendim, as rregullore, por, thjesht, udhëzim! Udhëzimi është një tekst që mund t’i nënshtrohet përmirësimit të vazhdueshëm, plotësimit apo të reduktimit, pa kurrfarë pasojash dhe sanksionesh ligjore për hartuesin! Pra, hapet një mundësi që të këndellen shqiptarët dhe të reagojnë ashpër për këto “stile maqedonase”. Komisionet formohen me vendim, ndërsa paraprakisht miratohet edhe rregullorja përkatëse! Në këtë “udhëzim”, për kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit, shprehet tërë ai kujdes i ministrit maqedonas për të pamundësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në vlerësimin e projekteve përkatëse, por shpreh edhe përgjumjen e elementit shqiptar në këtë ministri dhe në Qeveri! Anëtar mund të zgjidhet ai që më së paku ka 10 vjet përvojë profesionale, që i ka të realizuar më së paku 5 projekte në lëmin përkatës! Epo cili shqiptar në Maqedoninë e Veriut e plotëson këtë kriter, i cili nuk kërkohet madje as në UNESKO! Pse shqiptarët “e pushtetit” lejojnë përçmim të tillë të shqiptarëve? Pse lejohen hartime të kritereve të atilla, të cilat haptazi synojnë eliminimin e shqiptarëve nga pjesëmarrja në hartimin e programit vjetor për kulturë? Janë një sërë vlerash të trashëgimisë kulturore shqiptare, për të cilët maqedonasit as që kanë njohuri minimale! Shqiptarët në pushtet nuk duhet të lejojnë synime të tilla shovene dhe, që në start, duhet t’i kundërshtojnë, madje t’i kërcënojnë edhe me prishje të koalicioneve qeveritare, sepse duke i shëruar këto orekse antishqiptare, do t’ua lehtësojnë punën vetë shqiptarëve në nxjerrjen në pah të vlerave kulturore shqiptare. Kultura në Maqedoninë e Veriut, pa kulturën shqiptare është shumë diskutabile dhe e dyshimtë!
Interpretimi shkencor që luftohet me pseudo-debate
Në javën e parë të nëntorit të vitit 2024, mediat maqedonase dhe ato shqiptare informuan për një gjetje shekullore arkeologjike në Koroshishtën shqiptare të Strugës, të cilat datojnë qysh nga shekulli VI para Krishtit. Helmeta e bronzit, unazat e arit, enët e ndryshme, fletët metalike prej arit, por edhe format dhe dekorimet e ndryshme janë gjetur në një kompleks varrezash që, sipas arkeologut Fitni Dalipi, u takojnë fisit Ilir të Enkelejdëve, të cilët kanë banuar në krahinat përreth liqenit të Ohrit e që kanë krijuar dinastinë e parë të mbretërisë Ilire në fund të shekullit 5 para Krishtit. Njëqind e dhjetë vite më parë, në të njëjtën zonë, arkeologët bullgarë dhe serbë kanë gjetur edhe rreth 500 artefakte të kësaj periudhe, të cilat mbi 300 u dërguan në Bullgari dhe mbi 200 në Serbi! Shteti i Maqedonisë së Veriut edhe sot e kësaj dite nuk e ka aktualizuar këtë vjedhje shekullore dhe nuk ka kërkuar që gjetjet arkeologjike të kthehen në vend prej nga u vodhën, ose, të paktën, të interpretohen si artefakte të gjetura në lokalitetet e Strugës të periudhës ilire.
Natyrisht, kjo nuk do të ndodhë përderisa kemi një edukim e një mentalitet nacional maqedonas që mohon gjithçka shqiptare, që në kult nacional e ka ngritur luftën permanente deri në dëbim të shqiptarit të fundit nga “Maqedonia Antike” e sotme. Jemi dëshmitarë të një “debati” nëpër rrjetet sociale ku po vërehet një fushatë, një tendencë e stisur, mbase edhe e dirigjuar nga qarqe të caktuara që këto artefakte (meqë nuk po ia dalin që t’i vjedhin) t’i interpretojnë si “helene”! Pra, më lehtë iu vije që pasurinë e minierave kulturore të këtij trualli t’ua falin pasardhësve të helenëve se sa ato t’i evidentojnë si artefakte ilire dhe atyre t’u dalin zot shqiptarët! Shqiptarëve nuk u ka ngelur që ta bazojnë prejardhjen e vet ilire në këto 80 artefakte të gjetura në fshatin shqiptar të Strugës, sepse tashmë i kanë miliona gjetjesh arkeologjike, miliona dokumente, dhjetëra muze nacionale, mijëra shkrime shkencore që e kanë vërtetuar dhe që edhe sot e deri në përjetësi e dëshmojnë gjenealogjinë e shqiptarëve qysh nga lashtësia para-ilire.
Gjithçka paska filluar në vitin 2020, kur Shefit Shemshedini nga Koroshishta e Strugës, duke punuar arën e vet, paska hasur në gurë, ndërkaq më pas paska zbuluar një helmetë bronzi, të cilën e ka dorëzuar në Muzeun e Ohrit. Katër vite heshtje! Katër vite mosinteresim shqiptar për atë helmetë. Katër vite përgatitje nacionale maqedonase për zbulim shekullor arkeologjik, i cili do të interpretohet si “i periudhës helene”, duke shpresuar se do të rregullohen raportet me popullin grek, ndërsa “shqiptarët nuk i bëjmë hesap”! Dhe sot kemi angazhimin e funksionarit shqiptar të lartë në qeverinë maqedonase (z. Arben Taravari), i cili thotë se ekspeditat e ardhshme arkeologjike nuk duhet të bëhen pa një shqiptarë në të tilla aktivitete! E para, cili është angazhimi kombëtar shqiptar për të prodhuar arkeologë profesionistë shqiptarë? E dyta, sa çon peshë interpretimi personal i një arkeologu shqiptar për një artefakt kur ai do të vendoset në institucionet shtetërore gjegjëse, ku prej portirit e deri te drejtori, që të gjithë janë maqedonas. E treta, pse shqiptarët nuk mbushen me mend se aktualisht po i shërbejnë një mentaliteti maqedonas, i cili nuk mund të tolerojë realitete që flasin se ky shtet është edhe i shqiptarëve, se kjo shoqëri funksionon falë edhe të shqiptarëve? Nuk bën punë arkeologu shqiptar sa marrëveshja historike në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve për të kuptuar përfundimisht se ky nënqiell nuk mund të privatizohet, të personalizohet, të etnizohet. Popujt që jetojnë këtu janë thesar i jashtëzakonshëm mbi të cilën janë ngritur themelet edhe të shtetit të sotëm të Maqedonisë së Veriut, dhe këtë shtet nuk e sollën maqedonasit nga atje nga kanë ardhur që sot gjithçka brenda tij t’u takojë ekskluzivisht maqedonasve.
Gjetjet arkeologjike në Strugë, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe një dëshmi e pasurive kulturore që kanë ndikuar dhe formuar identitetet e rajonit. Këto objekte, të cilat përfshijnë elemente të artit dhe kulturës, janë të lidhura ngushtë me popujt që kanë banuar këto territore në periudha të ndryshme, dhe si të tilla, ato janë një thesar i përbashkët për gjithë rajonin. Kërkesa e shkencës dhe e politikës për t’i interpretuar këto gjetje si pjesë të trashëgimisë të një populli të caktuar është një çështje delikate, e cila shpesh herë i shtyn shtetet të nxjerrin përfundime të njohura për të promovuar interesat kombëtare dhe identitar. Në këtë kontekst, gjetjet arkeologjike të Strugës janë shndërruar në një arenë diskutimi midis pseudo-shkencëtarëve që po shpërthejnë në rrjetet sociale. Ndarja e identiteteve dhe trashëgimive historike, duke i atribuuar vetëm një grupi etnik të caktuar, nuk përputhet me realitetin e pasur dhe të shumë-dimensionuar të historisë së këtyre territoreve. Maqedonasit, siç është e njohur, janë një popull i formuar më vonë, pas shekullit VI, si rezultat i migrimeve sllave që ndodhën në Gadishullin Ballkanik. Ky fakt, i mbështetur nga dëshmitë historike dhe arkeologjike, do të thotë se lidhja e drejtpërdrejtë e maqedonasve të sotëm me civilizimin maqedonas të lashtë është shumë e dyshimtë. Përkundrazi, shumë historianë dhe studiues mbështesin idenë se trashëgimia kulturore dhe etnike e maqedonasve të sotëm është më shumë sllave se sa helene ose ilire. Nëse maqedonasit e sotëm duan të mbajnë lidhjen me qytetërimin maqedonas të lashtë, duhet të pranojnë që ky qytetërim është pjesë e një historie më të gjerë të Ballkanit, ku sidomos ilirët, përfshirë Enkelejdët, kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Nëse pranojnë këtë, atëherë ata duhet të kuptojnë se nuk mund të veprojnë si pasardhës të një kombi të vetëm, por si pasardhës të një hapësire të përbashkët kulturore dhe historike, ku shqiptarët janë një pjesë e padiskutueshme integrale.
A është e drejtë që një shtet ose një grup etnik të veçojë trashëgiminë kulturore të një rajoni, dhe ta paraqesë atë si të vetën ekskluzivisht? Përpjekjet për të nxjerrë përfundime të tilla të njëanshme dhe për të atribuuar trashëgiminë kulturore si ekskluzivisht maqedonase apo helene janë të rrezikshme, sepse mund të çojnë në përpjekje për të ndryshuar historinë dhe për të fshirë pjesë të rëndësishme të saj. Siç ka ndodhur me helmetën ilire, e cila dikur ka qenë e shfaqur si “Helmetë Ilire” ndërsa sot, në Muzeun maqedonas shfaqet si “helmete maqedonase”, dhe ky lloj interpretimi është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për shkencën. Historia nuk është një mjet për të shërbyer interesave të ngushta kombëtare, por për të ndihmuar në njohjen dhe respektimin e diversitetit kulturor dhe të pasurive të përbashkëta. Në këtë aspekt, ky është një moment për të kërkuar një ndryshim të mentalitetit, që nuk do të thotë vetëm të respektohet dhe të njohim trashëgiminë e popujve të tjerë, por edhe të shprehim mirënjohje dhe admirim për të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin e këtij qytetërimi, sidomos ndaj fiseve ilire.
Institucionalizimi i kulturës si rezistencë kundër asimilimit
Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kultura ka qenë gjithmonë një mjet i fuqishëm për ruajtjen dhe përparimin e identitetit kombëtar. Nisur nga konteksti historik dhe politik ku shqiptarët kanë përjetuar margjinalizim dhe diskriminim, institucionalizimi i kulturës ka qenë si një element i domosdoshëm për të siguruar vazhdimësinë, zhvillimin dhe përfaqësimin e plotë të këtij komuniteti në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut. Deri më sot, subjektet tona politike nuk kanë dhënë kurrfarë shenje se e kuptojnë “institucionalizimin e kulturës,” dhe as që e din se pse ky proces është aq i rëndësishëm për shqiptarët në këtë shtet?
Institucionalizimi i kulturës përfshin krijimin dhe forcimin e institucioneve të qëndrueshme që mbështesin, zhvillojnë dhe përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të një komuniteti. Këto institucione mund të jenë: qendra kulturore dhe muzeume, që ruajnë dhe promovojnë traditat dhe historinë kombëtare, teatrot, akademitë dhe organizata artistike, që nxisin zhvillimin e artit dhe letërsisë, institucionet shkencore, që ofrojnë studime dhe kërkime për kulturën dhe gjuhën, fondacionet dhe organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, që sigurojnë ruajtjen e monumenteve dhe traditave, si dhe një varg institucionesh e subjektesh juridike e fizike që kontribuojnë në kultivimin zhvillimin e jetës kulturore të një komuniteti. Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, rreth 30%. Megjithatë, shqiptarët historikisht janë përballur me politika asimiluese dhe përpjekje për t’i margjinalizuar ata nga aspekti kulturor dhe gjuhësor, madje edhe duke i ngritur në kategori kushtetuese si populli 20%. Pra, institucionalizimi i kulturës për shqiptarët është një akt rezistence ndaj asimilimit dhe një mënyrë për të ruajtur dhe përçuar identitetin kombëtar ndër breza. Pa institucione të forta kulturore, shqiptarët rrezikojnë humbjen e elementeve të rëndësishme të trashëgimisë së tyre, si gjuha, folklori, muzika, etnografia dhe zakonet tradicionale. Institucionet kulturore jo vetëm që ndihmojnë në ruajtjen e këtyre elementeve, por krijojnë edhe një platformë për promovimin e tyre, si brenda shtetit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Institucionalizimi i kulturës është gjithashtu një çështje e barazisë dhe përfaqësimit. Në Maqedoninë e Veriut, institucionet kulturore të dominuara nga maqedonasit shpesh kanë anashkaluar kulturën shqiptare dhe nuk kanë përfshirë krijuesit shqiptarë në aktivitete dhe projekte të rëndësishme kombëtare. Krijimi i institucioneve kulturore shqiptare siguron që ky komunitet të ketë zërin dhe hapësirën e tij për të shprehur identitetin dhe kontributin e tij në mozaikun e kulturës së vendit. Në mungesë të institucioneve të forta dhe të financuara mirë, kultura shqiptare deri më sot ka qenë e varur nga iniciativa individuale dhe private, të cilat gjithnjë kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar sfidat strukturore dhe politike të një shteti që ka një histori të gjatë të margjinalizimit të shqiptarëve. Institucionalizimi i kulturës nuk është i rëndësishëm vetëm për ruajtjen e identitetit shqiptar, por edhe për ndërtimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet etnive të ndryshme në Maqedoninë e Veriut. Kur kultura shqiptare përfaqësohet në institucione zyrtare, ajo bëhet pjesë e përbashkët e historisë dhe trashëgimisë së vendit, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe të barabartë. Kjo përfshirje do të ndihmonte në zhdukjen e stereotipave dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, duke krijuar një klimë të re të besimit dhe respektit të ndërsjellë. Në vend që kultura shqiptare të shikohet si një element i huaj ose i ndarë nga kultura shtetërore e Maqedonisë së Veriut, ajo do të integrohej në një kontekst më të gjerë multikulturor. Në fakt, ky është debati më urgjent dhe i vetmi që duhet të zhvillohet në këtë shtet, debat ky që do të shprehte pjekurinë e shoqërisë dhe të politikanëve tanë se janë të gatshëm të krijojnë shtet-bastion ku mbrohet me jetë mirëqenia dhe harmonia, shtylla këto të një shoqërie të civilizuar.