KISHA NJË DËSHIRË, TË DESHIFROJA ERRËSIRËN QË MË KAFSHONTE SHPIRTIN

Intervistë e pabotuar me Xhevdet Bajrajn

Ia vlen t’i kushtohet jeta shkrimit. Se librat edhe pas ikjes sonë nga kjo botë mbeten gjallë, përveç atyre që kanë lindur të vdekur dhe lëvizin poshtë e lart, të tjerët e kanë jetën e tyre

Bisedoi: Zyrafete SHALA

Qysh në takimin e parë me Xhevdet Bajrajn isha e vetëdijshme se njohja me te ishte nga ato befasitë që jeta rrallëherë na i ofron. Nuk duhej shumë kohë për të kuptuar se madhështia e tij si poet, që e kisha njohur më parë, njëjtësohej natyrshëm me virtytet njerëzore e intelektuale të mishëruara në personalitetin e tij. Horizonti i gjerë i njohurive nga letërsia botërore e kombëtare, pikëvështrimi unik i perceptimit dhe interpretimit të artit, krahas dhuntisë për të konceptuar dhe shprehur thellësinë e poezisë në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë ishin të pazakonta për mjedisin tonë. Këtu zuri fill edhe ideja ime që të nisim një projekt të përbashkët, një libër në formë të bashkëbisedimit rreth çështjeve thelbësore të poezisë dhe letërsisë në përgjithësi. Mirëpo, ky projekt u ndërpre qysh në fazën e parë, nga sëmundja e tij. Pengu për projektin e ndërprerë dhe ndjenja e fajësisë që nuk isha kujtuar më herët për të, u bënë shtytje për ta botuar këtë intervistë dhe për t’u ofruar edhe të tjerëve kënaqësinë e leximit të saj.

HEJZA: Poeti amerikan Carl Sandburg e definon poezinë si “Ditar i një kafshe detare, që jeton në tokë dhe do të dëshironte të fluturojë” një përkufizim ky tejet interesant për poezinë dhe poetin, por jo edhe i vetmi. Secili poet ka një koncept vetjak për poezinë, prandaj një pyetje që jo rrallë u bëhet poetëve,dhe natyrisht u është bërë edhe juve në shumë intervista, është se çfarë paraqet poezia për juve? Megjithatë  e vlerësoj të rëndësishme ta përsërisim këtë pyetje dhe t’i dëgjojmë përgjigjet tuaja, sepse jo vetëm që relacioni juaj me poezinë është shumë i veçantë, por edhe për faktin që në mjedisin tonë shpeshherë po harrohet misioni i poezisë.  

XH. BAJRA: Për mua jeta është poezi, apo poezia është jetë, kështu që gjithmonë e kam vëmendjen e përqendruar në librin që po e shkruan jeta për momentin në këtë botë, sidomos në kapitujt që kanë të bëjnë me Ballkanin dhe me viset shqiptare. Poezi është dashuria, ajo që i jep kuptim asaj vizës në mes të ditës së lindjes dhe ditës së vdekjes. Ky është versioni optimist, se përndryshe poezi është vetë ajo vizë, edhe pa dashuri. Po të mos botonin njerëzit që nuk dinë të shkruajnë, do ta shijonim pakëz më shumë qetësinë, sigurisht se do të kishte më shumë lexues, do të dëgjoheshim më mirë, e të tjera, e të tjera. Jam i bindur se poezia ka turp për shumicën absolute të poetëve të sotëm, ashtu siç turpërohet edhe liria nga ata që e keqpërdorën.

HEJZA:Poezia juaj është thellësisht e preokupuar me realitetin kosovar, madje ju arrini ta njihni çdo pore të jetës në Kosovë, sikur të jetonit vazhdimisht këtu. Për më tepër, preokupimet tona i vishni me petkun universal të shqetësimeve të njeriut mbi botën. Megjithatë, jashtë poezisë në përgjithësi keni zgjedhur të jeni i kursyer në deklaratat politike; e kur rrallë ndonjëherë shfaqni më hapur mendimin rreth njërit apo tjetrit subjekt politik, disa nga adhuruesit e poezisë tuaj ju japin ‘këshilla’ rreth qëndrimit që duhet të ketë poeti dhe për vendin e tij në shoqëri. A mendoni se poeti duhet të jetë i angazhuar?

XH. BAJRA: Arsyeja e vetme pse ekziston letërsia është sepse për krijuesin është i pamjaftueshëm realiteti, pavarësisht se çfarë realiteti është ai, ashtu siç është e pamjaftueshme edhe jeta me tërë kompleksitetin që ajo ka. Unë shkruaj poezi për t’u mbrojtur nga jeta, nga dhimbjet që më shkakton ajo; shkruaj sepse nuk më pëlqen realiteti. Meqë nuk mund ta ndryshoj atë, atëherë përpiqem të mbrohem nga ai përmes artit, përmes poezisë. Periudha nëpër të cilën po kalojmë aktualisht ne si popull, ka nevojë për vështrimin kritik të poetit, realiteti ynë ka nevojë të shohë imazhin e vet në poezi. Ata që mendojnë se janë poetë, por që qëndrojnë në margjina të jetës së njeriut apo të kombit, me plot bindje them se të njëjtit ende nuk e kanë kuptuar se çfarë është poezia.

HEJZA:Si filloi bashkëjetesa juaj me poezinë? Kush ishte ‘fajtori’ që ju bëri bashkë juve dhe poezinë?

XH. BAJRA: E kam thënë edhe herëve të tjera se ishte Sharl Bodlerit me “Lulet e së keqes”. Isha shtatëmbëdhjetë vjeç, i zhytur deri në fyt në llumin e jetës… dhe lulet e Bodlerit ishin fija e kashtës sime të shpëtimit. U kapa për të, kisha fat, qëlloi të ishte fije e Kashtës së Kumtrit dhe kështu e mora Udhën e Qumështit (qumështi ishte herë me sheqer, herë pa të). Kur fillova të shkruaj, nuk po mendoja për lexuesit apo për suksesin, thjesht më duhej të hiqja një peshë që më merrte frymën. Dëshira ime e vetme ishte të mund të deshifroja errësirën që më kafshonte shpirtin.Ndërsa pak më vonë, kur isha njëzet vjeç, lexova për herë të parë “Mitin e Sizifit”të Albert Kamysë që mendoj se ka ndikuar fuqishëm në formimin tim. E kisha përshtypjen që ishte një dritare që përveç që ma mundësonte ta shoh botën, ma mundësonte të shoh edhe brenda vetes. Romanin e tij “I huaji” e pata lexuar kur isha në klasën e pestë apo të gjashtë të shkollës fillore dhe natyrisht që fare nuk e kisha kuptuar. E rilexova, tashmë i kontaminuar me filozofinë e “absurditetit” dhe më pëlqeu tej mase. E futa brenda thonjëzave fjalën absurditet, sepse kurrë nuk më ka dhuruar këtë ndjenjë leximi i veprave të Kamysë.

HEJZA:Mendoj se prapa një poeti të mirë duhet të qëndrojë gjithsesi një lexues i mirë, këtë në njëfarë mënyre e thotë edhe Borgesi. Si ka qenë raporti juaj me librin në përgjithësi, a lexoni shumë dhe çfarë po lexoni aktualisht?

XH. BAJRA: Është e vërtetë se prapa një poeti dhe prapa një poezie ka shumë punë, shumë lexime. Vetë natyra e punës së artistit na imponon edhe leximin, qoftë poezi, rrëfim, filozofi apo histori. Aktualisht po lexoj “Poezi, një histori e të çmendurve (1962- 1986)” apo në gjuhën spanjolle: Poesía, una historia de locos (1962- 1986), antologji e poetit të shkëlqyeshëm bashkëkohor peruan, Antonio Cisneros. Për të qenë i saktë, nuk jam duke e lexuar, por sapo e lexova. Përndryshe, java nuk më kalon pa lexuar shtatë a tetë libra me poezi dhe ese të shumtë rreth letërsisë. Këtë semestër jam duke e ligjëruar lëndën Poezi I dhe Poezia bashkëkohore meksikane, kështu që më bie të lexoj dhe të rilexoj shumë. Tani kam në plan të filloj me ndonjë nga librat e pabotuar të miqve të mi meksikanë që presin për t’iu dhënë një mendim kritik apo për t’i vlerësuar.

HEJZA: Pohuat se Bodleri me “Lulet e së keqes” dhe Kamy me “Mitin e Sizifit” u ka ndryshuar në njëfarë mënyre orientimin në jetë. Çka mund të thoni për librat e tjerë që keni lexuar më pas? A ka pasur ndonjëri prej tyre forcën që të ju ndryshojë botëkuptimet mbi jetën, mbi artin? Apo së paku a ka pasur sadopak ndikim në krijimtarinë tuaj?  

XH. BAJRA:  Në fund të viteve ’80 më ra në dorë një antologji e poezisë spanjolle, i kishte kopertinat e kuqe, i njihja disa poetë që ishin të përfshirë brenda saj, por jo edhe Miguel Hernándezin. Aty e lexova poezinë e tij Ninullat e qepës dhe mbeta pa frymë. Ishte një menaxhim brilant i emocionit. Në atë kohë e kisha të botuar librin tim të parë, “Nënë prej guri”, që iu bashkëngjit propozimit estetik që mbretëronte në Kosovë në fund të viteve, kështu që duke iu falënderuar kësaj poezie dhe Miguel Hernandezit, poezia ime ndryshoi përgjithmonë. Megjithatë, do ta përsëris atë që e kam thënë edhe në një rast tjetër se: nuk janë Bodleri dhe M. Hernándezi poetët e mi të preferuar, po ashtu, nuk është poezia në fjalë poezia ime favorite e Hernándezit, vetëm po kthehem në kohë dhe po rrëfej për atë efektin që kanë pasur ato poezi në krijimtarinë time.

HEJZA: Nga përvoja juaj me librin, a mendoni se çdo libër e ka kohën e vet të leximit dhe se duhet lexuar çdo libër që të bie në dorë?

XH. BAJRA:  Paj, ka diçka të vërtetë në këtë që thoni, por i njëjti libër ka efekt të ndryshëm te njerëzit e së njëjtës moshë, prandaj kohën e leximit e cakton secili lexues për vete, pavarësisht se çdoherë nuk mund t’i bëjë llogaritë si duhet. Ndoshta unë do të kisha dashur që disa libra t’i kisha lexuar më herët, e disa më vonë, por tanimë ajo ka kaluar. Me rëndësi është që sot të gjithë e kanë qasjen më të lehtë tek libri, gjithashtu me rëndësi është të mësohet ndonjë gjuhë e madhe e botës që të komunikohet me sa më shumë shkrimtarë. Në anën tjetër, ka aq shumë libra që kurrë s’do të dëshiroja t’i kem lexuar. Por, është dashur ta bëj këtë, jetë i thonë kësaj, është detyrë e shkrimtarit ta gjejë veten në botën letrare, ta gjejë atë që i përket të shkruaj. Nëse e arrin këtë, atëherë mund të fle zbathur, se edhe po të ngriheshin nga varri kolosët e letërsisë botërore nuk do të mund të shkruanin më mirë se ai, për arsyen e thjeshtë, se vetëm atij dhe askujt tjetër i ka takuar ta bëjë këtë. Dikush mund ta quajë këtë: origjinalitet, le t’i thotë si t’ia ka ëndja, pa u arritur kjo, e tëra është e kotë. Pavarësisht çmimeve letrare, rrethit letrar apo letërsisë që i përket.

HEJZA: Më rastis shpesh të lexoj intervista me shkrimtarë bashkëkohorë shqiptarë dhe kur i pyesin se cilët libra apo cilët autorë u preferojnë lexuesve, ata shpesh përmendin dy tre miq dhe titujt e librave të tyre. Mbase ndonjëherë këto preferenca edhe mund të jenë korrekte, por jo gjithmonë. Imagjinoni një adoleshent të pasionuar që lexon intervistën dhe efektin që arrijnë tek ai ato propozime!! Çfarë u preferoni ju lexuesve?

XH. BAJRA:  Mund të them së pari çfarë më intereson mua të lexoj. Unë jam i orientuar të lexoj autorë, poezia e të cilëve përpiqet t’u përgjigjet problemeve ekzistenciale me të cilat u përballën gjatë jetës. Është ky një udhëtim në kohë, një aventurë që na bën të kuptojmë se brezat kanë të përbashkët diçka tragjike. Duhet lexuar libra që hapin shtigje të reja, apo që përpiqen ta bëjnë një gjë të tillë,libra të sinqertë, që i ngjajnë mesazhit në shishe të nisur nga udhëtari i anijes së fundosur e që ka përfunduar në një ishull. Në të vërtetë, shkrimtari është udhëtari i anijes së mbytur. I rekomandoj të rinjve që duan të bëhen shkrimtarë, ose që tashmë janë të tillë, të lexojnë veprat e plota të autorëve të tyre të preferuar. Për shembull, nëse lexohet Balzaku i ri dhe Balzaku i pjekur do të shohim se si funksionon një shkrimtar i madh. Madhështia është në përgjigjet e ndryshme që ai u jep pyetjeve gjatë evoluimit të tij. Studentët e mi zakonisht i këshilloj t’i lexojnë veprat e plota të poetëve si Villaurrutia, Blas de Otero, Luis Cernuda, Borges, Neruda…Ndërsa miqve meksikan u dhuroj zakonisht libra të Kadaresë, Kongolit, Kazantzakis, Tonino Guerra e tjerë, që do të thotë se në njëfarë mënyre ua preferoj t’i lexojnë.

HEJZA: Rrugëtimin në botën e poezisë e keni filluar në gjuhën shqipe, për ta vazhduar më tej në gjuhën e një sërë kolosëve të letërsisë, në atdheun e realizmit magjik. Si mund ta thoshit me pak fjalë këtë përvojë tuajën të veçantë?

XH. BAJRA: Diku në një intervistë në spanjisht e kam bërë një ilustrim të gjendjes sime dhe po përpiqem ta përsëris përafërsisht edhe këtu. Është sikur të jem një peshk që jeton në dy lumenj, një peshk që u plagos në luftën e Kosovës/Ballkanit. Unë erdha me atë plagë në këtë det, ajo plagë po gjakoste ende dhe në lumin ku jetoj tani kam vënë gjakun tim. E gjithë përpjekja ime në Meksikë, ka qenë për ta përkthyer në spanjisht atë gjak dhe atë dhimbje. Meqë disa lumenj derdhen në dete, ai gjak tanimë është përzier me plagët e Amerikës Latine. Nëse nuk do ta zotëroja gjuhën, nuk do të arrija t’i përkthej plagët e mia. Gjuha është mjeti i zërit, i kockave, i mishit dhe i shpirtit njerëzor. Megjithatë, për poetin është e rëndësishme poezia, jo gjuha në të cilën është shkruar ajo.

HEJZA: Shumë kohë më parë më pat bërë përshtypje një mendim i Lasgushit për artin, ku thotë se arti nuk ka shkallë të dytë. Sipas tij, arti është i vetmi manifestim shpirtëror i brendshëm, i veshur me formën e jashtme të fjalës, i cili nuk pranon gradacione. A e mbështesni edhe ju këtë mendim kur bëhet fjalë për poezinë?

XH. BAJRA: Poezia është ose nuk është, nuk ka një fazë të ndërmjetme, kur diçka i ngjan poezisë dhe është në zhvillim e sipër, mund edhe të flitet për te, ama nuk është poezi.

HEJZA: Duke qenë krijues dhe ligjërues i poezisë në një gjuhë e kulturë që i ka ofruar botës aq shumë kryevepra, si e shihni letërsinë/poezinë e dy dekadave të fundit në Kosovë?

XH. BAJRA:  Mua më dhemb Kosova kur gjendem atje, më dhemb edhe mungesa e saj (kur jam këtu, në Meksikë), dhe si çdo gjë tjetër në Kosovë edhe letërsia më dhemb. Sigurisht do të më pyesni pse? Po përpiqem ta bëj një ilustrim: Imagjinoni se keni dalë në një treg dhe te çdo shitës që ofroheni gjeni mallra të përgjysmuara; një kukull pa njërën dorë, pa sy, apo pa asnjë gjymtyrë, vetura të vogla që u mungojnë gomat, topa të shfryrë që nuk kërcejnë e të tjera të ngjashme, dhe për të gjitha këto t’i dëgjoni lavdërimet e shitësve, qoftë për mallin e vet, apo për ato të shitësve të tjerë, të shihni kënaqësinë dhe mburrjen e tyre për ato që u ofrojnë klientëve. Në anën tjetër ju ruani në kujtesë pamjen e tregut të para disa dekadave kur mallrat ishin të një cilësie të lartë, por nëse provoni t’ua thoni këtë shitësve, ata jo vetëm që nuk ju kuptojnë, por ju shohin si mendjemadh e ju veshin lloj-lloj etiketash. 

HEJZA: Nëse hedhim një vështrim retrospektiv në krijimtarinë tuaj në gjuhën shqipe, duke filluar nga viti 1988 (“Nënë prej guri”, Rilindja) e deri më sot, shohim se gjatë këtij harku kohor tridhjetë e tre vjeçar, keni arritur të krijoni portretin gjithëpërfshirës të ndjenjave më sublime të njeriut, portretin e dhimbjes, trishtimit, mallit e dashurisë, krahas hartografisë së vuajtjeve të popullit tonë. Cili nga librat tuaj të botuar deri më tani është më i dashuri për ju dhe me të cilin dëshironi të identifikoheni si poet?

XH. BAJRA:  Po ta kisha përgjigjen në këtë pyetje me siguri nuk do të shkruaja më. Për momentin parapëlqej që kjo t’i ndodh librit të radhës “Unaza e Saturnit”. Pasi të botohet ky, të njëjtën ndjenjë do të ma jepte libri i radhës. Prandaj edhe ia vlen t’i kushtohet jeta shkrimit. Se librat edhe pas ikjes sonë nga kjo botë mbeten gjallë, përveç atyre që kanë lindur të vdekur dhe lëvizin poshtë e lart, të tjerët e kanë jetën e tyre.

Foto: Agron Shala

Leave a Reply

Your email address will not be published.