KO UN, SHKRIMTARI KOREANOJUGOR QË SHPËRTHEU BUJSHËM!

Veprimtaria e tij letrare shtrihet në disa drejtime. Si edhe shumë krijues botërorë, edhe Ko nis me poezi për të vazhduar me prozën, romanin, pastaj esenë, kritikën letrare, biografinë e autobiografinë, me përkthime etj.

Xhevat HALILI

Ko Un u lind në vitin 1933 dhe është poeti, eseisti dhe shkrimtari më i njohur i Koresë Jugore me më shumë se një qind e tridhjetë vëllime të botuara të poezive, eseve dhe shkrimeve imagjinative e shkrimeve të tjera. Ko u rritë nën sundimin japonez, andaj edhe u shqua për reagimet e bëra ndaj masakrave të luftës së Koresë gjatë viteve 1950-1953. Kështu, ai në vitin 1952 hynë në rendin e murgjve budistë për të parë për së afërmi dhe nga brenda jetën e përkushtimit fetar që zhvillohej aty prej nga do të del pas dhjetë vjetësh. Në këta tempuj budistë që Ko do t’i njohë e rinjohë, do të shtrëngohet e do të jepet pas shëlbimit fetar dhe meditimit e soditjes si forma për të gjetur baraspeshën shpirtërore. Pas kësaj përvoje jetësore, Ko do t’i përkushtohet karrierës së jetës letrare e veçmas poezisë. Si të gjithë poetët me shpirt e mendje të lirë, rebel, i qetë e i urtë për nga natyra, edhe ky do të bëhet militant i zjarrtë kundër diktaturës dhe padrejtësive sociale, andaj edhe shpesh e përgjatë kohë do të dënohet dhe do të dergjet nëpër birucat e burgjet e vendit të tij. Nga vitet 1970 Ko Un-i angazhohet në shumë fronte. Ai do të jetë njëherazi kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve të lirë të Koresë dhe anëtar i Komitetit të lëvizjes së qytetarëve për demokraci, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve të popullit dhe drejtor i Shoqatës së arteve të popullit.

Fillimet e para letrare te Ko-i datojnë aty rreth viteve të pesëdhjeta, me botimin e poemave “Tuberkulozi” dhe “Porositë e një nate pranverore”, të cilat si nismë u botuan në revistën prestigjioze “Poezi moderne”. Më pastaj, shumë shpejt ai hartoi përmbledhje të shumta poezish, mes të cilave me këtë rast do të përmendim: “Piangamseong” më 1960, “Dielli” , “Katundi i një ligjërimi të ri” më 1967, etj. Pas një demokratizimi të brishtë e të hollë të vendit, në vitin 1988 Ko Un-i do të angazhohet për ribashkimin e gadishullit koren dhe bënë një udhëtim e viziton Korenë e Veriut. Për punë e tij krijuese, ai është shpërblyer me çmimin e Shkrimtarëve koreanë në vitin 1974, Joong-Ang në vitin 1991, Daesan në vitin 1994 dhe çmimin Manhane në vitin 1998.

Veprimtaria e tij letrare shtrihet në disa drejtime. Si edhe shumë krijues botërorë, edhe Ko nis me poezi për të vazhduar me prozën, romanin, pastaj esenë, kritikën letrare, biografinë e autobiografinë, me përkthime etj. Kur u vunë konturat e fillim-fjalës, u dha të kuptohet se këtu nuk e kemi ndër mend të merremi me analizë të përimtuar të krijimtarisë së tij, por le të na lejohet të shquajmë me këtë rast, megjithatë, ndonjë nga segmentet më të rëndësishëm të saj.

Vepra e këtij krijuesi zë fill dhe koncentrohet përreth nocioneve dhe kuptimeve që lidhen me pikëllimin dhe shpresën e thyer, ato të fërkimeve dhe kundërthënieve ekzistenciale parë nga këndvështrimi i një nihilzmi që me kohë do të tretet. Teksti poetik i Ko Un-it sikur do t’i ngre një përmendore zymtësisë, absurditetit e shpresave të tretura e të humbura, për të mos thënë vetë vdekjes si akt. Përmes vargjeve të poemave, ai i këndon kotësisë së jetës, një pesimizmi të kapërthyer e të kapluar nga hijet e vdekjes që njëherazi, tekembrëmja, sublimojnë jetën si përzgjedhje përfundimtare. Edhe përkundër të gjithave, poeti edhe në këtë stad vdekjen nuk do ta vijëzojë me linja frike porse me fije të lidhshmërisë së urtësisë filozofike budiste.

Diskursi i tij letrar në përgjithësi ka elemente që veprën e tij e vë në maja të poezisë mbarëbotërore. Kur flasim për poezinë e Ko-it, për aq sa ia kemi dalë ta njohim atë, nga rrugë dytësore, mund të themi se kjo poezi shquhet si fjalë poetike që bart ndjenja, emocione e mendime që shkrihen në sinteza shprehëse me harmoni të plotë për të përcjellë porosi vlerash universale, pikërisht nga largësitë e Lindjes së largët.

Njohësit e veprës së tij, këta nga Evropa, përmes të cilëve lidhemi ne, thonë se aty nga vitet e shtatëdhjeta krijimtaria e Ko Un-it bën një kthesë në stilin e tij prej shkrimtari dhe kjo ndodhë veçmas me botimin e veprave “Rrugës së katundit Munui” në vitin 1974, “Duke u ngjitur bjeshkës përpjetë” në vitin 1977 dhe “Rruga e agut mëngjesor” më 1978. Shkrimtari tani përshkruan me intuitë të hollë zbrazëtirën dhe përbuzjen gjatë krajatave të kaluara, me qëllim që t’i kundërshtojë fillit të historisë e realitetit të vrazhdët të epokës së tij. Kështu, shkrimtari ndërton një pikëpamje kritike për evolucionin e shoqërisë koreane, pa u larguar aspak nga njohuritë e thella historike. Ky ngazëllehet me këndimin e thjeshtë që bën kur i këndon “shpresës” pa mburrje e krekosje, përkundrazi këtë e paraqet me përulje të dinjitetshme si njeri i bindjeve të forta për rrugën që duhet të ndiqet për në majat e Tibetit e të Himalajeve.

Parë nga ky aspekt, tekembramja, vargu i tij në të shumtën e herëve, mundohet të përligj luftën për ribashkim kombëtar, në mos tjetër, atëherë të vlerave shpirtërore të një kombi të ndarë mëdysh! As Ko Un-i nuk do të mund t’i shmanget rolit mesianist prej poeti, andaj shprehjen dehëse poetike apo formën e mistifikimit e bart vetëdijshëm dhe e sjell edhe në Evropën e qytetërimeve të lashta, në Francë, në Mesdhe, në djepin e moçëm të muzave romake, ilire e greke. Me rastin e ardhjes së tij në qytetin Provansë, Ko do të shprehet:” Me të arritur këtu sërish e ndjeva erën e detit.Këtej pari, në Mesjetë, atëherë kur poezia këndohej, janë endur poetët trubadurë. Me të vënë këmbën këtu edhe unë u bëra trubadur”. Ky është një ilustrim i një shembulli jetësor të poetit, i cili, siç shkruan shtypi francez, te varri i poetit të madh Pol Valeri në qytetin bregdetar Setë, është shprehur: ” Desha të bëhesha poet. U bëra poet. Dje isha te varri i Pol Valeri-së dhe përpara tij e hoqa nga koka kapelën time. Në Setë pashë dhe dëgjova valët.Valët që përkundin jetën, duke u përthyer me miliona herë gjatë ditës, siç thuhet. Këtu, në bregdet zogjtë këndojnë. Ndërsa në Kore zogjtë qajnë, si grilotë… si derrat.Edhe unë po qaj. Ndërsa poemat i përcjellin këto të qara.”

Lajtmotivi i poezisë së tij, shpesh është lektisja, malli a zemra e këputur të yshtura nga jeta e poetit apo edhe nga gjendja sociale e mjedisit, por edhe nga vetë situata absurde e vendit dhe e popullit prej nga del e vjen poeti. Në vitet e tetëdhjeta, gjatë periudhës së viteve të rrëmujës së madhe sociale në Korenë e Jugut, Ko Un-i boton dy poema epike “Gjenealogjia e jonë” dhe “Bjeshka Baekdusan”, në të cilat poeti pasqyron dramën e përditshmërisë dhe krajatat me të cilat përballen bashkatdhetarët tij.

HUTINA

Hutina në pikë të ditës

Me sytë dollap

Gjë nuk sheh

Pret!

Nata jote patjetër do të vijë.

SHPRESA IME

Kur vendi të ribashkohet

Detyrimisht një gjë duhet ta bëjë

Ajo që do të duhet ta bëjë

Do të jetë, më e para, të mos bëhem atdhetar

Se gjer atëherë do të jem atdhetar mjeran

Madje duke u bërë një plak pusht

Mbase duke u bërë plak-matuf e’kloshar’

E për shok shpirti do e marr ta kem

Gogolin e fusharëve të zbrazëta e bosh.

PËR ASGJË

Rruga kur merret vetë

Thuhet se u mor

Mbase na u tha ta merrnim

Rrjedha e ujit që vete për kurrgjë lëndinës

Thuhet se rrjedh

Do i jetë thënë të rrjedhë

E shkreta urtësi e kësaj bote

Leave a Reply

Your email address will not be published.