Epoka postmoderne kërkon kriteret e veta të qasjes dhe të qeverisjes kulturore shoqërore. Nëse tanimë postmodernja e ka rrjedhën e saj nga modernia, e cila vjen “pas” (post) dhe me “modernen” së bashku, atëherë duhet të dimë realisht se çka kërkojmë
Remzi SALIHU
Njeriu nuk mëson kurrë prej gabimeve të veta, sepse ato defekte, të meta, personale i injoron para të tjerëve, apo i arsyeton sipas dëshirës së vet. Çdo individ gjatë të veprimit të tij kreativ bën gabime pa dashje dhe pa i vërejtur ato dhe e keqja më e madhe e këtyre gabime të bëra, është kur ato i përsëriten gjatë tërë jetës. Përsëritja e gabimeve e vë individin dhe shoqërinë në një fatalizëm të rëndë e të pa riparueshëm jetësor. Për t’ju shmangur këtij përcaktimi humbës dhe shkatërrues, që i sjell dëm të madh vetes dhe të tjerëve, duhet të kërkohet nevoja dijes dhe mençurisë që në mënyrë eksplicite të gjykohen drejtë pasojat e tyre. Por, ne kureshtarët, gjithnjë mençurinë individuale do ta kishim plotësuar dhe përmbushur si duhet, vetëm atëherë kur vëmendjen dhe maturinë do ta kishim orientuar pozitivisht kah vlerat e mirëfillta. Kjo normë është e mundshme kur të jetë individi në vete autokritik gjatë vëzhgimit dhe ndryshimit të gabimeve të të tjerëve, po qe se ato lëshime të dukshme arrijnë t’i vërejë dhe t’i kuptojë kthjellët nga distanca kohore.
E bukura dhe e shëmtuara
Dihet shumë mirë se njeriu që ka vëmendje të shëndosh nga pësimet edhe mëson, për të mos iu përsëritur të njëjtat gjëra të dëmshme. Por, ka ndodhur shpesh në jetë që gabimet e njëjta të përsëriten dhe stërpërsëriten, ndaj edhe gjërat e vlefshme që preken me këtë fat të pa dëshiruar të akëcilit, për shoqërinë nuk kanë shkuar në vendin e duhur. Këto reforma personale të përsosjes mund t’i bëj të pranueshme njeriu po qe se posedon në vete syrin kritik të të vlerësuesit të pa anshëm dhe të pa varur shoqëror. Ndaj çdo individ ka fiksonin e vet të imagjinatës për t’i përfytyruar ndodhitë e shumta në mënyrë artistike, sidomos ato ndodhi e fenomene tipike, të cilat me frymën e tyre ndikuese në shoqëri, janë të inkarnuara nëpër motive të shumta jetësore në hapësirë e kohë. Gjërat e vërteta dhe të drejta në jetë ndërlidhen gradualisht, duke kultivuar në vete maturi dhe mësim permanent. Kërkimi bindës i këtyre gjërave të domosdoshme do të jetë shembull i mirë për të tjerët, se si nuk duhet trajtuar gjërat që si njohim mirë. Sipas kësaj maturie të emancipuar gjallëria e kujtimeve është në gjendje t’u jap shpirt edhe gjërave të vdekura. Dhe ky standard i dëshiruar jetik, i mbamendjes dhe seriozitetit njerëzor pushtohet lehtë, pa shikuar majtas e djathtas, kryesisht pa lakmuar gjërat që si meriton në jetë. Niveli i harmonisë së vlerave arrihet duke shkuar drejtë përkushtimit shkencor dhe sakrificës personale në hulumtim dhe në qëllimin e detyrueshëm të zgjidhjes së gjërave të pakuptueshme. Sidomos ky ndriçim arrihet duke nxjerrë nga përvoja e vetes fakte të shumta dhe rezultate të kërkuara efektive të fenomeneve, për shoqërinë e kohës, e cila shoqëri gjithsesi se posedon në vete kontinuitet dhe standard estetik të kultivuar dijesh e veprash të trashëguara me nivel të lartë. Të besuarit e fakteve mund të jenë mirë, por kontrollimi i tyre dhe veprimeve tona nga kënde të ndryshme vëzhgimi nëpër vite nga më të diturit, është edhe më i mirë, po qese duam të rrugëtojmë shëndetshëm dhe me vëmendje të ngritur hulumtuese, e cili hulumtim serioz, në suaza më të avancuara standardi e dijesh, do të na ndihmojë në jetë dhe në shkencë. Këtë përvojë dallueshmërie e ka secili në një far mënyre të instaluar e farkuar në vete, si vlerë dalluese, apo si argument bazë i përvojave të përjetuara nga të tjerët dhe vetja. Këto nivele krahasuese me kriter, gjenden të bartura sistematikisht gjatë tërë jetës sonë. Ne i vlerësojmë të tjerët, ata na vlerësojnë neve dhe kështu shkohet përpara në jetë, për të sjellë risi dhe vlera të mirëfillta shoqërore. Me këtë formë e zhvillim kulturor, tërësor në shoqëri, jeta merr dimensionin dhe drejtimin e duhur antropologjik. Kështu njeriu gjen rrugëdaljen e tij nga barrierat e dala të vështirësive dhe kërkesave shoqërore të imponuara papritmas. Prandaj nga ky konglomerat i ngjarjeve të shumta kulturore që kemi tani, tipikja ngandonjëherë na duket si atipike dhe atipikja na shëmbëllen si tipike e veçantë gjatë të vlerësuarit të fenomeneve.E bukura dhe e shëmtuara janë dy pasqyra që tërheqin vëzhgimin tonë. Këto dukuri kundërshtuese, estetike, na e tërheqin vëmendjen gjatë tërë jetës dhe zhvillojnë në ne shijen efikase të emancipimit kulturor, për t’i kuptuar dallueshmëritë më elementare të tyre. Ndaj tani mund të themi se procesi zhvillimor i shoqërisë sonë varet nga ne se sa jemi të ngritur dhe të ditur në profesione të veçanta, dhe posaçërisht sa jemi të armatosur me këtë art dhe kulturë të vazhdueshme shoqërore, për t’i ndryshuar gjërat në ne dhe për rreth nesh.
Shtegu i rrugëdaljes alternative
Sot, nga rrethanat dhe standardi i brishtë që kemi amputuar në trup, nëse nuk ndryshohet gjendja e tanishme politike e kulturore në rrethin tonë, do të jetë edhe më rëndë për të krijuar sistem të shëndosh arti dhe sidomos nivel ekonomik të kënaqshëm, për plotësimin e mirëqenies kulturore, qytetare dhe perspektivë të shëndetshme pasardhësve. Sepse situata e turbullt që vepron në mënyrë subversive në shoqëri, do të na ndëshkoj dhe kushtoj shtrenjtë neve, kurse nga gabimet dhe gjendja e instaluar e formalitetit të vrazhdë politik, të njëanshëm, do të merremi gjatë me pasojat e pa shërueshme. Dhe kriza e përgjithshme do të zgjatë edhe më shumë në mjediset tona. Prandaj, sot, marrëdhëniet politike dhe kulturore nga pësimet duhet të na mësojnë se si të shkohet përpara, si t’i vëmë kriteret e duhura ligjore, për veten dhe të tjerët. Nuk duhet t’i pranojmë gjërat që bëhen shkel e shko në jetën publike. Nuk duhet të pranojmë detyra e poste që nuk ua gjejmë dot zgjidhjen. Pastaj nuk duhet të derdhim shpejtë e shpejtë zhavorrimin e ngjyrave mediokre, për mbi ne dhe t’i vëmë alternativës shoqërore barriera kufizimesh e tendencash përmbysëse, që stimulohen nga klanet e së keqes, sidomos për përfitim të shpejtë, që pastaj ne ta përkundim veten ngathtas në iluzione të rënda dhe të pa kuptueshme. Apo të kalarohemi rrejshëm nëpër struktura të mbyllura interesash politike parciale e fisnore, kurse nga mos dija mund edhe ta burgosim shtegun e shpresës optimiste të pasardhësve tanë të mençur. Çdo gjë nga formaliteti i prurjeve të dobëta merr tatëpjetën, dhe posaçërisht kjo është e dukshme kur para vetes vëmë inatin dhe interesin tonë më të keq, të ndërtuar në çdo mënyrë të veprimit intolerant nëpër tranzicionin e stërzgjatur me dekada, mu nëpër këtë thellësinë e përmbytur të ekzistencës së rënduar në sistem. Ndaj, si majtas si djathtas, duhet të zhvillohet potenciali i vlerave të mirëfillta dhe të bëhet standardi i kulturës së përzgjedhur efektive. Më të mirët dhe më të suksesshmit le të na e tregojnë shtegun e rrugëdaljes alternative. Sepse mbyllja në vete dhe derdhja e klisheut fjalomani neveritëse në ne, nuk na përgatit mirë, me muskuj mendimesh të forta e alternative.
E mira e të mirave është të bëhet dizajnimi i ri shoqëror dhe të shpalohej në shoqëri rendi emancipues sa më i fuqishëm, për perspektivë të ndritur kulturore, posaçërisht, për t’i ndihmuar sa më shpejtë dhe me devotshmëri integrimit gjithë shqiptar. Kjo praktikë përparimtare atëherë do të shërbente kauzës kombëtare vetëm me nivel dijesh elitare, për të ardhmen tonë të shëndosh, e cila dije pastaj nga paradigma e shembullit të mirë në kohë, do t’i jap kësaj shoqërie suksese, hapësirë dhe kahe ndriçimi të kualifikuar për të shkuar përpara me dinjitet e me ndershmëri. Dhe gjithsesi se kjo përgjegjësi individuale dhe kolektive do të shërbente në të ardhmen për të hapur shtigje të mundshme standardizuese për të gjithë ata që preferojnë një zgjidhjeje globale efektive, afatgjate kombëtare.
Sot gjendja politike e shoqërisë sonë është rënduar keq e më keq nëpër tërë trupin shqiptar. Vepron mbrapsht në kulturë, shkencë dhe ekonomi. Këtu te ne në Ballkan jemi populli i veçantë, që kemi mbetur të fundit për integrim përgjithshëm. Fajësojmë njëri tjetrin, hyjmë e dalim nëpër çadra e partish interesash personale. Bllokojmë rrugë e mendime alternative. Përsëritmi me të njëjtën formë të sabotimit dhe të ideve. Nuk e duam ligjin. Bllokojmë vetingun dhe drejtësinë e mirëfilltë. Djegim vendin për interesa personale dhe nuk trishtohemi për të shëmtuarën tonë të përgjithshme, por të gjithë ne nga kjo katrahurë përmbysëse, më në fund jemi të ngulur në fenomen të keq utopik. Nuk mund të mbetet shoqëria tërë jetën në tranzicion. Dikush i ka fajet, për gjendjen e krijuar, por tani fajin më të madh e kanë ata individë që mbanë poste dhe detyra që ua ka besuar shoqëria. Bile disa janë aq grabitqarë sa që takatin e tyre të brishtë të marrjes dhe dhënies së energjisë së tyre, e ngarkojnë pa vetëdije me mbi peshë të rëndë pa përgjegjësie. Nuk u vjen turp se bëhen improvizues të gërditshëm, mu në rrethin ku veprojnë e infektojnë për të keq. Bëhen lakmitarë të papërmirësueshëm nëpër të gjitha segmentet dhe sferat e jetës sistemore. Uzurpojnë vend e pa vend të mirat e kësaj shoqërie të lënduar me vite. Tani koha kërkon risi dhe ndryshime permanente. Prioritetin e kësaj vetëdije zhvilluese, duhet të ketë standardi shoqëror efektiv dhe me afat të caktuar të arrihen gjërat që si posedojmë. Nga ky realitet i shëmtuar që kemi tani te ne, apo te shtetet tjera post komuniste, nuk mund të pritet në pakufi kohe standardizimi i vetes. Të gjitha këto shtete të dala nga komunizmi, duhet t’i japin llogari dhe afat të caktuar ndryshimit ekonomik dhe kulturor të tyre.
Fabrika kulturore “Rilindja”
Epoka postmoderne kërkon kriteret e veta të qasjes dhe të qeverisjes kulturore shoqërore. Nëse tanimë postmodernja e ka rrjedhën e saj nga modernia, e cila vjen “pas” (post) dhe me “modernen” së bashku, atëherë duhet të dimë realisht se çka kërkojmë, në të vërtetë, në funksionimin e drejtë të kësaj epoke të re. Si të shërbehemi me këtë standard të imponuar të kohës? Nëse kjo epokë në funksionimin e saj të mirëfilltë përfshin vitet e nëntëdhjeta (90), por ne duhet patjetër të dimë ta nuhatim nga e kaluara shkencërisht këtë epokë të ardhur edhe në mesin tonë. Rrënjët e saja duhet t’i kërkojmë më herët qysh nga vitet tetëdhjeta(80) edhe pse kjo frymë hetohet te disa krijues edhe më herët. Nga kjo na del bindja evidente se rinia e atëhershme i theu me vullnet të madh dhe sakrificë këto pengesa barrierash, kufizuese sistemesh të kësaj ane. Ajo rini atëherë filloi të kërkojë të njëjtin standard jetese dhe kulture si te popujt tjerë evropian. Këto ngjarje nuk duhet të harrohen dhe anashkalohen. Në atë kohë, ne me teknologji dhe industri edhe pse nuk ishim të përafërt me shtetet e zhvilluara industriale, por në atë pjesë esenciale të kulturës ekzistonin elemente të përafërta ndikimi dhe importimi vlerash të shumta standardizuese. Më kujtohet, në ato vite entuziazmuese të kthesave të metodave artistike, të epokës sëre, kur fabrika kulturore e atëhershme “Rilindja” i përcillte kujdesshëm këto rrjedha e trende botërore moderne dhe postmoderne. Bënte të pa mundurën në vete që të jetë një hap me kohën dhe vlerat që kultivoheshin te popuj tjerë përparimtar. Gjurmët e këtyre drejtimeve hetoheshin te disa lëmi arti dhe sidomos te disa autorë të veçantë të kohës. Të themi se në letërsi, Anton Pashku (1937-1995) Azem Shkreli(1938-1997), RrahmanDedaj (1939-2005), AliPodrimja(1942-2011), Teki Dervishi (1943-2011), Ibrahim Rugova (1944-2006), BeqirMusliu (1945-1996) etj, që tani nuk janë midis nesh, deri në vitet tetëdhjeta përfaqësonin grupin e poetëve dhe studiuesve modern, kurse pas këtyre viteve Rilindja, nga këta iniciues dhe stimulues, përzgjodhi grupin e epokës më të re, të ‘’Plejadës’’alarmuese, si një kthesë nismëtare tjetër kohore. Ata teknikisht dhe artistikisht kanë qenë të sofistikuar nëpër veprat e tyre me në një trend të ri shkrimor postmodern, Këta pjesëmarrës aktiv ishin dhe janë autorë të veçantë shqiptar, që jetonin nëpër të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Shkrimet e tyre sollën një frymë të re qasjeje dhe komunikimi të standardizuar, sidomos në art e kulturë. Ata i vunë bazat e një arti të ri post modern në letërsinë e asaj kohe. Patjetër duhet të themi edhe këtë veçanti jetese të atëhershme kulturore, se këtë kohë të ‘’vrullshme’’ e të ndritur të epokës së re, e përfshinin dhe nxisnin një sërë faktorësh botëror, posaçërisht dalloheshin dhe jepeshin shembuj bazë të ndikimeve e të arriturave të shumta shoqërore perëndimore. Kultura e atëhershme bënte përpjekje maksimale në integrimin e saj për një rend të ri kulturor botëror, e cila më në fund do të shpaloj fuqishëm veten gjatë globalizimit të saj tipik, dhe sidomos të veprimit ndikues, në vitin 92. Në këtë kohë u formuan dhe u zhvilluan shumë institucione e asociacione kulturore private që kishin ndikim permanent në zhvillimin shoqëror të qytetarit. Teknika, media, kultura, filluan të marrin një trajtim tjetër zhvillimor. Filluan të privatizohen gjërat. Individualizmi fillon të marr kahen e vet. Shumë autorë dhe shkencëtar të mirëfilltë bënë një prurje idesh heterogjene, e të shumanshme. Shoqëria tradicionale fillon ta zbeh qëndrimin e vet snobist e ndikues te të rinjtë, e cila po nga ai brez, filloi me të madhe të përkrah individualizmin, filloi të bëhej pengesë kulturore shterpëzimi i artit të realizmit socialist. Përkraheshin stile dhe alternativa shkrimesh jo konvencionale, etj. Kjo shihej nëpër të gjitha segmentet e jetës dhe artet e kohës. Nga e kaluara merrej vetëm ajo që ishte art i mirëfilltë. U botuan vepra me nivel të lartë krijimi, që sot e kësaj dite shpalohen si vepra me nivel të lartë dhe të arrira artistikisht. Nuk përfillej dogmatizmi i realizmit socialist. Konsumoheshin trendë dhe metoda të reja shkrimore që afronte bota e civilizuar.
Liria elektronike
Letërsia këndej kufirit amë kontrollohej dhe censurohej nga profesionist të vërtetë. U krijua një standard vlerash avancuese. Para vite nëntëdhjeta ndryshe ishte në Shqipëri. Arti dhe letërsia ishte e detyruar të mos dal nga kornizat dogmatike ideologjike në edukimin permanent të shoqërisë. Nga kjo letërsi e shtetit amë kishte edhe autorë e studiues që e preferonin vazhdimësinë e një letërsie që dilte nga qendra, por një “kajmak letrar” i tillë nuk ishte aq dominues. Ajo periudhë u tejkalua shpejtë nga rrethanat e kohës, sepse këndej kufirit nga bota perëndimore hynin metoda dhe shkolla letrare që dirigjonin përmasën letrare moderne dhe post moderne të atyre viteve. Këto ndikime atëherë ishin evidente dhe alarmonin efekte ndikuese standardizuese në shoqëri.
Edhe pse përherë kanë ekzistuar bazat e një komunikimi të ri, vështirësitë përherë kanë qenë të pranishme. Ngandonjëherë edhe nga liria e shprehjes së pakontrolluar burgosen vlera të mirëfillta. Kështu pas kësaj kohe në treg mediatik filluan dalin edhe një mori librash të censuruara dhe të redaktuara shkel e shko. Nëpër ato libra private ekzistonin redaktime edhe me emra të njohur shkrimtarësh e kritikësh, që nuk e dinin edhe vet si mund ishin të pranishëm nëpër ato vlerësime të brishta. Kujt t’i tekej botonte çka të dojë. Shkollimi mori tatëpjetën. Mësohej nëpër podrume. Diplomat merreshin nëpër lokale e kthina të ndryshme. Magjistratura dhe doktoraturat e humbën vlerën e vet shkencore. Pas viteve të 2000 e këndej vërshoi përmbytja e madhe kulturore. “Profesorët” filluan edhe kolumnet e tyre gazetareske t’i quajnë shkencë. Emil Staigeri (që kishte për zemre autorët klasik, Homerin, Sofokliun, Virgjilin, Danten, Cornellin, Racinin, Gëten, Shilerin, Petrarkën, Rilken etj,) në librin e tij të njohur DieKunstderInterpretation, 1955, Mjeshtëria e interpretimit përkthim R.S.(ka dhënë shumë mendime bindëse për interpretimin dhe tani po parafrazoj një mendim të tij, për të plotësuar këtë shkrim, kur thoshte se “ai që merrej me letërsi dhe gazetari, e humb o njërën o tjetrën, ose që të dyja”.
Këto lëshime te ne erdhën nga pamundësia e sistemimit profesionist të individëve në vendet udhëheqëse kulturore e artistike. Sot jemi të përmbytur nga ky formalitet improvizues në kulturë dhe sidomos në letërsi. Kjo pakujdesi e ka bërë letërsinë “mishmash” dhe dashamirët e artit, gjegjësisht profesionistët, të mos marrin pozicionin dhe autoritetin e duhur në shoqëri. Anashkalohen dhe përdhunohen sistematikisht vlerat e mirëfillta nga hipertensioni i veprave të shumta të dala pa kriter e dije të verifikuara. Ato improvizime veprash janë bërë sot shumicë dhe kanë ndikim permanent të keq, në edukimin e mbrapshtë të shoqërisë. Me zhvillimin e teknologjisë kujt t’i teket plason ide dhe mendime të pa kultivuara. Nëpër komente të tilla lexon sharje dhe kundërshti pa një përgjegjësi personale. Autorë të mëdhenj bëhen të vegjël dhe të vegjlit bëhen të mëdhenj, duke u kritikuar e radhitur pa fije kriteri e niveli nga individ të ndryshëm. Liria elektronike ua ka mundësuar të gjithëve ta shohin veten në pasqyrë kohe. Vlerat dhe jo vlerat mund t’i hasim për çdo ditë nëpër këto ekrane e portale elektronike të mundshme aplikative…