KRUZO, PERSONAZHI QË JETON PAS VDEKJES SË SHKRIMTARIT

Kur e shkruante “Robinson Kruzo-në”, Defos as që i shkonte në mendje se do të ishte njëri ndër pararendësit e parë të romanit realist të letërsisë evropiane dhe njëri nga romanet e parë të letërsisë angleze

Xhahid BUSHATI

Përveç romanit shumë të suksesshëm për të rritur me titull: “Mol Flanders”, Defo ka shkruar edhe romanin tjetër shumë të njohur “Robinson Kruzo”. E shkroi, diku, rreth moshës 60-vjeçare. Për herë të parë romanin e botoi me vazhdime, në revistën “London post” në vitet 1719 – 1720. Defo nuk është shkrimtar tipik i prozës me aventura. Kur e shkruante “Robinson Kruzo-në”, atij as që i shkonte në mendje se do të ishte njëri ndër pararendësit e parë të romanit realist të letërsisë evropiane dhe njëri nga romanet e parë të letërsisë angleze. Studiuesit thonë: “Romani ka elemente të romanit edukativ dhe të utopisë sociale, sepse dëshmon se natyra mund të mposhtet edhe me mjete primitive, falë armës të cilën Zoti apo natyra ia dha njeriut – mendjen… Mirëpo, përveç mendjes, Robinsoni arrin të mbijetojë edhe falë punës. Është puna e pandërprerë që e ndihmon t’i rezistojë vetmisë dhe dëshpërimit. Kur punon, nuk është më vetëm një krijesë e mjerë, e humbur në një ishull, por një fuqi aktive që e fisnikëron dhe, në një mënyrë, e civilizon tokën e pashkelur, të egër. Nga një figurë margjinale e botës së madhe, transformohet në një kryepersonazh: KRIJUES DHE TRANSFORMUES I NATYRËS. Një shembull i gjallë se nuk e krijon vetëm fati njeriun, por edhe njeriu mund ta krijojë fatin e vet”.

Subjekti i romanit nuk është krejtësisht i trilluar. Disa studiues mendojnë se “Robinson Kruzo” është biografia alegorike e vetë Defo-së. Pa dyshim ekzistojnë disa elemente autobiografike. Të tjerë studiues thonë: “Robinsoni me jetën e vet në ishullin e vetmuar, riprodhon në miniaturë epokat e ndryshme historike që ka kaluar njerëzimi, që nga komuniteti primitiv deri te civilizimi i kohës së autorit”. Dobia e librit qëndron se çdo faqe është e mbushur me ngjarje të papritura, të tensionuara. Është shkuar me një gjuhë rrëfimore të qartë. Ofron pamje bindëse të jetës. Rrit besimin për mbijetesë edhe në kushte të vështira. Optimizmi si një mundësi për të mbijetuar në kushte krejtësisht të tjera jetësore, – është një rreze dielli që shndrit në libër. Robinsoni është mishërimi i njeriut ngadhënjimtar, i cili lufton me sukses me natyrën, me pengesa të shumëllojshme me origjinë nga natyra apo edhe shoqëria njerëzore, si me: depresionet, dëshpërimin e pashpresinë. Megjithëse fati e sjell në një situatë gati pa shtegdalje, por nuk i nënshtrohet dëshpërimit, përpiqet që çdo problem që i del përpara t’i gjejë zgjidhjen, ku pothuaj gjithmonë ia del. Ajo që Robinsonin e mban gjallë mbi 28 vjet në ishullin e vetmuar, është optimizmi për të ecur përpara. Ai nuk e humb besimin. Që ditën e parë nisi të regjistronte ditët. Krijoi kalendarin e vet, me objektivin që të mos humbte orientimin në kohë. Po ashtu, në një fletore rregullisht shënonte ngjarjet më interesante që përjetonte në ishull duke hartuar kronikën e jetës në ishull. Robinsoni shpëton jetën e një zezaku. Zezaku iu bëhet shok e mik i ngushtë i Robinsonit. Ai i mëson zezakut edhe gjuhën e vet (anglishten). Romani ka mjeshtëri në të shkruar. Mbetet i mbështetur mbi rrëfimin dhe përshkrimin. Edhe pse i tillë e bën për vete lexuesin. Një studiues e ka quajtur veprën e Defo-së “roman i mbijetesës”. Gjithashtu do të kujtojmë filozofin Zhan Zhak Ruso, i cili në veprën e tij “Emili ose mbi edukatën”, thoshte se libri i vetëm të cilin do e lejonte në bibliotekën e të birit të tij do të ishte “Robinson Kruzo”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.