“Letërsia e sirtarit” ekzistonte dhe disa nga autorët dëshmuan të jenë të jashtëzakonshëm si në të gjithë Europën Lindore, edhe në Shqipëri
Luan TOPÇIU
Si në çdo vend tjetër të Lindjes së Europës, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri pati një pritshmëri dhe një kërshëri të shihej se çfarë ishte “letërsia e sirtarit”, siç është bërë zakon të quhet letërsia e ndaluar, e censuruar, e pabotuar dhe letërsia e burgjeve, megjithëse në Shqipëri kjo lloj letërsie dukej e pamundur, për shkak të diktaturës më të egër dhe të burgjeve më mizore. Pas shumë dëshmive, dorëshkrimeve, veprave të papërfunduara, memuaristikë, të shkruara nga ata autorë që vuajtën burgjeve, – në këtë atelie të ferrit njerëzor, – dolën në dritë poezi, tregime, romane, drama, letërsi që do t’i nënshtrohej kriterit estetik, ballafaqimit dhe konkurrencës me letërsinë e botuar. Autorët ishin të paktë, të njohur dikur e të ndaluar më vonë, vepra të ndaluara, autorë të ndaluar, autorë që nuk ishin aspak të njohur për publikun, sepse nuk kishin pasur kurrë mundësinë të botonin.
Shqiptarët nuk kanë letërsi sirtari! Kjo gjë dëgjohej menjëherë pas vitit 1990, thirrja triumfale e disa shkrimtarëve të shqetësuar nga reagimet kundër komunizmit dhe diktaturës. Preferonin të thuhej që elitat kulturore janë të kompromentuara tërësisht dhe përfundimisht në vendin tonë. Miti i mungesës së librave të “sirtarit” ishte miti që promovonin ata që kishin rënë në ujdi me Regjimin Komunist, mendonin dhe shkruanin siç donte regjimi dhe që nuk kishin pasur guximin të ishin ndryshe, qoftë dhe për sirtarin e tyre. Këta autorë, jo të paktë, ishin jashtëzakonisht të motivuar për të përhapur këtë mit që i lante nga mëkatet, domethënë që askush nuk kishte mundur të shkruante fshehurazi letërsi, për pasojë Shqipëria nuk ka pasur elita antikomuniste dhe letërsia shqipe ishte ajo që ishte botuar deri më atëherë. Kështu, përmes këtij miti, duhet të ndodhte një nivelim në rënie, që do të thoshte se nuk kishte pritshmëri për autorë të rinj e të panjohur që mund të kërkonin rishikimin e hierarkisë letrare të deriatëhershme dhe as libra të rinj për t’u zbuluar. Renditja duhej të mbetej e njëjtë, box-office-i identik. Shumë prej tyre kanë luftuar gjatë 30 viteve të fundit për të forcuar këtë klishe për arsye të qarta.
“Letërsia e sirtarit” ekzistonte dhe disa nga autorët dëshmuan të jenë të jashtëzakonshëm si në të gjithë Europën Lindore, edhe në Shqipëri. Në veprat që ishin shkruar fshehur nën ciklopizmin e Sigurimit dhe Censurës, ka më shumë të vërtetë sesa në gjithçka që u shfaq në botimet shtetërore midis 1945-1990. Letërsia ishte e shtetit, e Partisë sunduese.
Kjo situatë gjeneroi pas rënies së sistemit komunist letërsinë e të ashtuquajturve “shkrimtarë të guximshëm” – të cilët denoncuan regjimin komunist shumë vjet pasi ai u shemb. Shumë syresh e denoncuan komunizmin disa dekada pas zhdukjes së tij. Ata marrin çmime letrare dhe vlerësime morale për vlera që nuk i kanë pasur kurrë.
Të ashtuquajturit autorë “trima pas lufte”, shkrimtarë oportunistë, janë një blof dhe mashtrim. Guxim është kur shkruan kundër regjimit, kur e di se je i përndjekur. Guxim është kur botuesit refuzojnë dorëshkrimet e tua për arsye politike, kur librat e tu ndalohen dhe je i përgjuar. Guxim është të vazhdosh të shkruash edhe pse je i ndaluar nga Censura. Ata që rishkruajnë biografitë e tyre letrare pas rënies së komunizmit dhe krijojnë mite të rreme janë raste të trishta morale, etike dhe njerëzore.