LIRIKA TË NDJERA

(Mbi librin poetik të Mercedes Gegës, “Frymëmarrje gruaje”)

Agim BAJRAMI

Kontakti me poezitë e Mercedes Gegës, të krijon që në fillim një impakt pozitiv dhe të jep ndjesinë se je duke eksploruar botën e një vajze, veshur me këngë resh të bardha, që këmben në çdo orë letra dashurie me jetën dhe njerëzit e saj më të dashur. Është një letërkëmbim me nota drite dhe vargje këngësh të papërfunduara, të cilat autorja premton t’i përfundojë në një ditë tjetër. Por, edhe pse Mercedesi e vesh veten me buzëqeshje, në fakt nuk është e tillë për brenda saj. Shfletimi me kujdes i opusit të saj poetik dhe konkretisht vëllimit: “Frymëmarrje gruaje” të prezanton me një botë të furtuntë gruaje, me një karakter impulsiv dhe tepër kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve. Ndaj s’është rastësi që në poezinë e saj do të ndeshësh kaq vargje dhe subjekte interesante, kaq zëra kujtimesh dhe përditshmërie të trazuar shqiptare. Autorja e vesh veten me to, jo për t’u mbrojtur nga erërat, por për t’i pasur ato si kryefjalë të shqetësimeve dhe trajtimeve artistike, për t’u ndier vetvetja. Si një krijuese e plotësuar, që merr përsipër të sjell një model të ri përfytyrimi dhe konceptimesh për jetën, vargu i saj më tepër se kaq është sfidimi i kohës dhe individëve të papërgjegjshëm që frymojnë në të dhe vazhdojnë ta intoksikojnë me helmin e tyre vdekjeprurës. Prania e poetes përballë tyre është një gjest kundërshtimi dhe mos aprovimi për këtë ambient human të fyer dhe masakruar kaq keq nga ata. Mjafton vetëm kaq për të vizatuar një pjesë të portretit të saj prej krijuese dhe misionareje të angazhuar që vazhdon të sjell me poezitë e saj aroma shprese dhe ndryshimi. Megjithëkëtë, ai s’mund të jetë asnjëherë identik me atë që shohim ne në foto ose nga një takim spontan me të. Ky është vetëm një portret i lënë në gjysmë.

Vazhdimi i tij sjell të tjera hollësira dhe detaje:

“Aty në shpirtin tim është një dhomëz

ku drita e yjeve mblidhet grusht brenda fjalës

Dhe erërat e ditës belbëzojnë lutje gjethesh”

Vini re ambientin kozmogonik, tek i cili e vendos autorja konceptin e absolutes dhe ekuivalentin e ndjenjave të saj të sinqerta. Është një ekuivalent që nuk i përket vetëm asaj, por edhe atyre që guxojnë të jenë si ajo.

Besimtare e idealeve te bukura dhe lirisë së shprehjes, ajo gjen shpesh kohë të falet para tyre dhe të gdhend në vetëdijen e saj ikona shenjtërie dhe individi në kërkim të lirisë dhe dinjitetit. Libri: “Frymëmarrje gruaje” që kemi në duar, botim i shtëpisë botuese: “Ombra GVG”, të josh ta lexosh atë deri në fund, jo vetëm me estetikën e paraqitjes,por edhe mënyrën bashkëkohore të vështrimeve dhe konceptimit të problematikave të jetës. Është një vëllim poetik që synim parësor nuk ka pasqyrimin e çastit dhe objektit, por analizën psikologjike të tij. Brenda vargut të saj të koncentruar, lëvizin shenja dhe figura të gjalla jetësore, simbolika dhe mesazhe plot peshë. Heroina lirike dhe autorja janë kaq të ngjashme me njëra -tjetrën sa identifikimi i njëra – tjetrës është i pamundur. Në shumicën e poezive të këtij libri arsenali i elementeve artistike dhe ata ndjesorë janë në ekuilibra të barasvlershëm, tregues i pjekurisë artistike të autores. Të njëjtat gjëra duhen thënë edhe për fjalorin e zgjedhur poetik. Funksionaliteti i figurave dhe tingulli asonativ janë një tjetër vlerë e vargjeve të saj. Lexuesi mban frymën dhe provon një dridhje të brendshme kur lexon poezinë për letrën. Fryma e thellë lirike që fryn në çdo varg, muzika e mallit dhe e penës që rrëshqet mbi letër, krijojnë në përfytyrimin e tij një emocion të vërtetë:

” Ende s’të ka ardhur letra që të nisa

Shkruar psherëtimash me bojëtrëndafili”

Poezinë më të mirë të Mercedesit e përbëjnë shumësitë e çasteve dhe përjetimeve që një vajzë dhe poete si ajo e prek dhe e përjeton çast pas çasti. Në përpjekjet e saj për të himnizuar dashurinë, autorja himnizon njëkohësisht edhe veten:

“Sa here vjen pranë meje

Mëngjeset zgjohen

Dhe vërshojnë brenda venave të mia,

Atë çast jam një grua

Diku mbi ylberet e lumturisë…

Prirja e saj për të depërtuar sa të jetë e mundur mbi të padukshmen, i ngjan prizmit të dritës që depërton pa kompromis në çdo kënd të objektit të saj poetik. Në këtë sintoni vlerash është edhe stili i saj narrativ. Në fare pak rreshta ne mund të përjetojmë artistikisht një dramë peizazhi me gjithë ngjyrat dhe dimensionet e tij të vërteta, duke u munduar të jetë sa më konkrete dhe e drejtpërdrejtë.

Stili i saj përsiatës tenton gjithmonë drejt dritës dhe substanciales, të veçantës dhe konkretes. Janë pikërisht këto tipare që ta prishin paqen e leximit dhe të çojnë si pa u ndjerë drejt mjedisesh dhe gjendjesh të reja shpirtërore dhe të bëjnë të fantazosh. Duke u njësuar me drithërimat dhe emocionet e kësaj poezie, ne s’bëjmë gjë tjetër përveç njësimit me gjendjen emocionale të autores në fjalë. Psikologjia e bashkëkohësisë, gruaja dhe marrëdhëniet e saj me shoqërinë, qëndresa e saj përballë opinionit maskilist, marrëdhëniet e shpirtit me ndjenjën etj. janë temat qendrore që të ofron ky libër fletë pas flete. Mercedesi është një eksploruese e palodhur temash dhe di t’i trajtojë ato jo sipas këndvështrimeve të të tjerëve, as sipas standardeve normale, por sipas standardeve të vetvetes. E kulturuar dhe me kërkesa të larta artistike, vargu i saj sot ka peshën dhe emrin e tij mes shumë krijuesve të njohur në vend dhe diasporë. Krahas lirikave të ndjera, ku ajo identifikon moshën dhe ëndrrat, ajo nuk harron edhe problematikat sociale. Individi në poezinë e saj e vuan faktin e të qenët i rrezikuar nga totalitarizmi dhe humbja e individualitetit. Janë këto dukuri që e përshkojnë si një erë e acartë universin poetik të autores dhe që e bëjnë vargun e saj të bëhet më i ashpër dhe më polemizues me to. Është kjo atmosferë që e detyron autoren të nxjerrë nga vetëdija e saj elementet e saj më të mirë poetikë, të shpërfaq vetveten dhe ta shpallë me zë të lartë kredon e saj jetësore dhe artistike.

Vëllimi: “Frymëmarrje gruaje” u shkrua ashtu siç pohon edhe vetë autorja për ta ndier veten se është dhe ajo këtu me vargun plot tingull dhe mesazhe të ndjerë aktualiteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.