KËSHTU TË NDIEJ…
Ke ndierë ndonjëherë
qytetin e zhurmshëm,
të mos pipëtij askund
në ty,
koha të t’mbesë peng
nën tingujt e zërit,
të t’mbesë
brenda dritës në sy…?
Ke ndierë ndonjëherë
erën e shpejtë,
të t’ngatërrohet
mbi hapa
kur nisur je
për tek unë!?
të të shtyjë, dorë e mallit
në mijëra rrugë të panjohura,
që kryqëzohen me mua gjithkund…?
e të zgjatësh duart në asgjë
e të prekësh gjithçka jam…
të thërrasësh, duke mbyt zë
të duash të heshtësh,
të qeshësh,
të qash,
si ndodh në një lutje për shpëtim
kur në altar je gjunjëzuar,
për pak pranverë në gishtërinj,
për frymën time, mbajtur në duar,
e të veshësh me të, rrugët e qytetit…
Ja, kështu të ndiej…
THELLËSI
Trishtim i bardhë
noton në ujëra sysh,
dhe prek thellësinë
e frymës sime…
arrij të dëgjoj veten…
KISHA DASHT
Kisha dasht
me u myt n’ty
si diell i agut
n’ujna t’Paqësorit,
të grishja shpirtin tem
n’thellësitë e syve t’tu,
pa patun frigë
me ta tregue
lotin e njelmët,
qi vagëllon mendimet,
njajt si puthja e peshkut…
kisha dasht
me ja drejtu trupin
dëshirave tona,
qi derdhen
si shelgje n’trisht,
njashtu,
si ai qiri i ndezun,
ndër durë që luten,
e l’mon trupin e vet
tue lëpi avujt e frymës
n’zjerm…
A ban me andrrue
lëkurën teme
t’mbulume
prej puthjeve tuja,
tu u m’mbështjell
me fjalën T’du,
ndër buzë,
si qefin rreth trupit..
se
nëse deka asht kshu,
du me u myt çdo ditë n’ty..
TINGULL
Zot,
lejomë të shfaqem,
thellësisht,
në mendjen e tij…,
e të bie,
si gur,
humnerës
së ndërgjegjes,
pa pendesë,
pa kthim…,
si tingull i fundit
i ekzistencës…
STATUJË
Rreth e qark zemrës
ngrihet një ciklon ndjenjash
dhe argëton mendjen,
e një statuje të ftohtë
që prej lindjes…
… nga pluhuri në pluhur…
statuja gri,
merr e nxjerr
frymë të akullt,
dhe ngre peshë
zemrën e ngrohtë…
Kryeplak, stinësh të rrëmujshme,
një dimër i bardhë i pa fjalë…
DORËZOHU
O anije mbi gjinjtë e ujërave
që s’të panë sytë akull mbi valë,
o kumbim mistik i detit tim
që në tinguj dallgësh, violinë,
lundron,
o velë e ëndrrave plot ngjyrë,
që zbret e puth një yll
të rënë në kërthizë…
fati do të risjell prapë tek unë,
të zhytesh edhe një herë
në ajrin e butë
të përqafimit tim,
si një Fata Morganë do të ndriçojë
shkretëtirën që të rrethon,
mbi supin tim të vendosesh kokën,
ku derdhe shi puthjesh
në natën e vonë…
… sërish…
dorëzohu…
në ardhjen që të pret,
kështu të mbush zemrën
me një kupë plot diell e
e të zbraz këtë brengë..
UNË KOHA…
Çuditem
kur shoh njeriun
tek m’i “shpon brinjët”
për të kuptuar
nëse derdhet gjak a vrerë,
prej plagës që m’hap…
Habitem…
se si njerëzit më “ndajnë në dysh”
si një gardh me dy pronarë,
kohë e mirë,
kohë e keqe…
Nënqesh me ju,
me zë të lartë, mendoj…
-Jeni ju që më pagëzoni:
“kohë luftrash, kohë paqeje”
kohë hienash hipokrite,
që ma shqyejnë trupin
edhe pasi “vdes”
Kohë e lumtur…
E kam lënë veten në duart tuaja
t’më vrisni, t’më bekoni,
zgjidhni ju,
si doni të më ndërtoni…
Vij vetëm një herë,
(e paracaktuar)
nëse iki nuk kthehem më…
Nëse më shkëpusni prej trupit një moment
dhe e bëni mish tuajin,
do buzëqesh..
sepse unë jam fëmijë që bëhem burrë
në krahët tuaj,
qesh e trishtohem…
jam dhe grua
tek ushqej të pakohën
që më lëkundet
në thelb t’zemrës,
bëhem e panjohura ndaj vetes,
(preferoj të ec pa folur)
s’di si do t’vij rrotull frymës së njeriut
në një të nesërme,
të pakufizuar…