MBI PËRCAKTIMIN “LEKSIK I PANJOHUR” DHE JO “LEKSIK I VËSHTIRË”

Ndryshimet më të dukshme janë ato që ndodhin në leksikun e një gjuhe, për shkak të faktorëve historik, shoqërorë, politik etj.

Fjoralaba ZIU

Gjuha është një sistem shenjash, i cili përbëhet nga njësitë (fonema, morfema, grupi sintaksor i fjalëve, fjalia) dhe struktura. Elementet përbërës të këtij sistemi nuk kanë kuptim të marrë veçmas, sepse ato janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Secili element varet prej të tjerëve dhe nuk mund të jetë i tillë veçse në lidhje me elementët e tjerë. Fjala sistem përdoret edhe në fusha të tjera të dijes. Sistemi ka të bëjë me disa elementë që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe funksionojnë si një e vetme, për shembull. mund të përfytyrojmë rastin e një TV, ku pjesët përbërëse të tij janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe funksionojnë si një e vetme. E njëjta gjë ndodh edhe në gjuhë, mjafton që të mungojë një formant dhe thënia do të bëhej e pakuptimtë, për pasojë komunikimi domosdoshmërish do të haste vështirësi. Gjuha nuk do të mund të realizonte dot funksionin e saj: komunikimin, i cili është mjet për të plotësuar nevojat e njerëzve në jetën e përditshme.

Për nga disiplinat e gjuhësisë, disiplina e cila ka më shumë ndikim dhe ndryshon më tepër si pasojë e disa faktorëve si historik, shoqëror, politik etj., nuk është fusha e morfologjisë dhe e sintaksës, sepse ndikimi nuk mund të depërtojë aq lehtë në sistemin gramatikor të një gjuhe. Ndërkohë pohojmë se në rrafshin fonetik ndikimet janë, por të pakta. Ndryshimet më të dukshme janë ato që ndodhin në leksikun e një gjuhe, për shkak të faktorëve historik, shoqërorë, politik etj., dhe në lidhje me studimin e leksikut  merret leksikologjia e cila është shkencë gjuhësore që studion tërësinë e fjalëve nga ndërtimi, kuptimi dhe shtresëzimi i mundshëm. Gjuha nuk është prerazi një sistem sinkronik, fjalët e fondit të saj leksikor pasurohen me fjalë të reja, me neologjizma, me huazime, ndërsa disa fjalë të tjera me përdorim të kufizuar si arkaizmat,dialektizmat, krahorizmat ngelen pas, fillojnë të përdoren më pak në komunikimin tonë të përditshëm, aq sa bëhen të panjohura. Disa fjalë të vjetra dalin nga përdorimi, zëvendësohen me fjalë a shprehje të reja ose harrohen krejtësisht, pa lënë gjurmë fare, bashkë me zhdukjen e sendeve ose të brezave që i kanë krijuar ato; shumë fjalë të tjera të rralla, nga një përdorim i kufizuar i tyre, kanë mbetur brenda kufijve krahinorë a dialektorë.

Të përdorim përcaktimin “leksik i panjohur” është me vend, por përcaktimi “leksik i vështirë” (i cili përdoret shpeshherë) është përcaktim i papërshtatshëm dhe i gabuar.

Një ndër gjuhëtarët tanë prof. Aleksandër Xhuvani, kur flet mbi thjeshtësinë e gjuhës shprehet se gjuha quhet e thjeshtë dhe e pastër kur fjalët e saj janë nga brumi i vetë, që nuk janë të huaja dhe për ta mbajtur të thjeshtë gjuhën duhet të përdorim fjalët e brumit të saj duke i mbajtur ato të gjalla në gojën e popullit: “Tash, mbasi elementet prej të cilave përmblidhet gjuha jonë fjalët, merret vesh se nji gjuhë atëherë mund të thohet e thjeshtë, d.m.th, e pastër, kur fjalët e sajë janë me të vërtetë brumi i vetë, ose me kohë janë bamun prona e plangu i vet, e pra nuk janë të hueja; e mbasi kët brum e kët plang vetëm në popull e ndër shkrimtarët e mirë të këtij e gjejmë sa na të pacënuem, kuptohet se thjeshtësia a pastërtia e gjuhës qëndron në të përdorun toyne fjalëv, të cilat janë të përdorshme e të gjallanë gojë të popullit”.

Pra, fakti që këto fjalë nuk kanë frekuencë të lartë përdorimi, për shkak se janë zëvendësuar me fjalë të tjera, nuk do të thotë se janë më pak të rëndësishme, apo janë fjalë të vështira dhe të parëndësishme të shqipes. Ato janë fjalë të trashëguara që nga më i vjetri e nga më fisniku i një populli, kanë formën më të përsosur. Madje, nëse këto fjalë do të mbeten të papërdorura kemi të bëjmë me kufizim të gjuhës dhe jo me pasurim të saj me fjalë të reja të cilat sigurisht që janë shumë të vyera (neologjizmat), por pa e kufizuar leksikun e vjetër të shqipes aq sa të quhet “leksik i vështirë”.

Të përmbajmë gjuhën të thjeshtë dhe të dëlirë nuk është rregull arti për njeriun e qytetëruar, por duhet të jetë nevojë e detyrë që të na rrjedhë nga ndjenja e fisnikërisë dhe e kombësisë. Për të arritur këtë synim do të na ndihmonte shumë studimi i leksikut të gurrës popullore, në mënyrë të sistemuar e të plotë. Kështu do te hapen shtigje te reja për të gjitha fushat dhe degëzimet albanalogjike e do t’i vihej në ndihmë pasurimit dhe pastrimit të gjuhës shqipe. Fjalët “pasurim” dhe “pastrim” i gjuhës duhet parë në të njëjtin këndvështrim, si dy kahe që shkojnë drejt njëra-tjetrës. Pra, vetëm përmes përdorimit të fjalëve të harruara të shqipes, mund të shmangemi nga rryma e ndikimeve të huaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.