(Faruk Tasholli “Akademia e zuzarëve”, botoi ShB “Lena” Prishtinë, 2022)
Kemajl ALIU
Libri më i ri me poezi humoristiko-satirike i poetit F. Tasholli, “Akademia e zuzarëve”, shpërfaqë tablotë e sferave të shoqërisë sonë, pa pardon, duke filluar nga ato më elitare (baballarë e pushtetarë) të cilët për pushtet personal, shpenzojnë edhe pikën e fundit të moralit dhe që me veprimet e tyre egoiste e Donkishotiane, krijojnë një realitet të degraduar shoqëror. Të gjitha këto gjendje dhe situata të përditshmërisë sonë, autori ka arritur t’i pasqyrojë me një konotacion të veçantë, metaforë të fuqishme, ngjyrimet dhe theksime të forta emocionale, që gjithsesi dëshmojnë prirjen dhe talentin e tij krijues në këtë zhanër krijues.
Prototipi i liderit në “Akademinë e zuzarëve”, për dallim nga liderët tjerë, është i sofistikuar edhe për nga lidhja e tij “biologjike” me shoqërinë. Prandaj, për dallim nga të tjerët që kanë një lider, në shoqërinë tonë, liderë janë BABALLARËT tanë.
Një “Popull fantastik”, me prijatarët baballarë, si shoqëri, e bën rrugëtimin e tij të përpjekjes dhe sakrificës, rrugëtim për të cilin poeti thotë; /Udhëton me mund kombi nëpër histori/, për të vazhduar më tej me vargun: /Shkon një babë i vjetër vjen një babë i ri/. Nga këtu buron mesazhi poetik, se përpjekjet për arritje të synimeve dhe prosperitetit, të cilat si çdo shoqëri i ka shoqëria e jonë, do të dështojnë dhe fatkeqësisht gjithçka do të përfundojë përsëri me baballarët në krye, gjegjësisht vetëm me një riciklim baballarësh, si gjithmonë në periudhat e historisë sonë, pa përjashtim.
Prandaj kështu do t’i përshkruajë autori baballarët e kohës së Pavarësisë së Shqipërisë; /Turr Haxhi Qamilat e përmbysin shkabën/ Me sy kah Stambolli, me thirrje “Dum Babën”/ “Baballarët e Kombit”, fq. 17. Por, fatkeqësisht as rrugëtimi me baballarët e më vonshëm nuk do të na shpie asgjëkundi tjetër, përpos në Pekin dhe Moskë.
Baballarët në trupin e shoqërisë shfaqen si atavizma të së kaluarës feudale,prandaj çdo veprim i tyre është anakronik, anacional dhe si i tillë është absurd i llojit sui generis, e që autori i satirizon në masë të lakmueshme, shpesh edhe duke i parodizuar edhe në forma krijuese poetike të shkrimtarëve të traditës, por me aktualitet dhe përmbajtje motivore gjithnjë të kalendarit tonë kohorë, duke i spikatur me mjetet shprehëse të veçanta, që e individualizojnë atë si poet të satirës së hollë.
Një tablo të lirisë sonë (një nga më gjithëpërfshirëset), autori e ka shpërfaqur me poezinë “Politikë për qejfi” ,fq. 36, ku përmes një gjuhe të rrallë satirike, dhe tek- tuk me nuanca humori, pasqyron proceset degraduese të një shoqërie, me mungesë hierarkie më elementare të funksionalitetit. Shoqëri ku dija filozofike, ligjshmëria dhe rendi i vlerave, përgjithësisht abrogohen duke u zëvendësuar me anakronizëm, patriarkalizëm dhe bajraktarizëm, gjendje kjo e cila në finale ka epilogun Donkishotian.
/Sa shumë xhamadana u bënë vija-vija/ Në vend të Aristotelit erdh Xhemajl Obria/ Në Prishtinë nga malet seç u ul kanuni/ …/. ( Po aty).
Politika për qejfi i ka stadet dhe metastazat e saja, prandaj në këtë gjendje krenaria më nuk njeh asnjë kufij dhe në këtë situatë dëliri të plotë ata thërrasin: Dil ku je fsheh dheut Gjeto Basho Muji!!!/ (fq. 36), në mënyrë që askush mbi këtë dhe të mos jetë si ne, madje qoftë ai edhe nga legjendat.
Janë vargje të spikatura ku autori befason me diskursin e tij, sidomos në sferën e kategorisë kohë, ku e tashmja -filozofia eAristotelit zëvendësohet me anekdota dhe proverba popullore. Është anarki dhe anakronizëm, ku gjithçka shkon nga një sektarizëm epokash e personalitetesh. Të mbeturash pa Aristotelin e Pitagorën edhe Hipokrati do të ikë nga shekulli i ynë XXI në një kohë tjetër të lashtë. …Madje, të para erës sonë. Kjo ngjallë te lexuesi koshiencën imediate, për të reflektuar cili është rrugëtimi ynë në fakt.
Humori i F. Tashollit, karakterizohet me prezantimin e tablove objektive me një gjuhë e cila herë – herë merr tone të larta sarkastike, e që për shkak të përmbajtjeve tejet pikëlluese, të bën të qeshësh me një lloj gazi të hidhur-pelim.
/Ani me zgatë kryet/ me k’qyr n’ paralment / Prej poteres e gazit/ i kishin dalë ment/ “Huni dhe magari” fq. 26. Këtu poeti paraqet tablo parlamenti ku potera, zhurma dëshmon nivelin e joseriozitetin e një instance nga më të lartat, të përfaqësimit popullor, ku aq të parealizuara janë gazi dhe potera, fjala dhe britma, sa që edhe këtë kafshë të mjerë (gomarin) e bëjnë të ndihet keq. Është një kolorit i vargjeve përplot ngjyrime emocionale, me një narracion humori të spikatur për gradacionin e shprehjes artistike në rritje varg pas vargu, e që lexuesin e tërheqë në mënyrë magnetike.
/ Veç me mujtë magari / Njëherë me kapë hunin/kish me i shkoqë do njerëz/që ia kanë marrë trurin/.Fq. 26
Gjithashtu pjesë e sistemit shoqëror gjithsesi është gënjeshtra, e lansuar dhe e kultivuar nga elita sunduese /Rren me hov rren pushtetari/ rren e rren opozitari/ “Rrena” fq. 21.
Gënjeshtrat të cilat nga të parët (qeveritarë e parlamentarë), erdhën fillimisht si premtime të zgjimit dhe prosperitetit, por koha vërtetoi se ishin ato që politikanët i paskëshin konvertuar në premtime dhe se realiteti tani po i shpërfaqë të rikthyera në gjenezën e tyre të përkatësisë çfarë ishin: rrena tipike. Gjithashtu hajninë si segment të shoqërisë së degraduar, autori e paraqet me aksent të fuqishëm humori, ironie dhe sarkazmi,e cila thënë me fjalë të tjera, është e kultivuar edhe institucionalisht, madje në përmasa dramatike, por që në lidhje me te do të protestohet vetëm nga hajnat. Prandaj në poezinë “Protesta e hajnave” fq.42, poeti thotë; /Na vërtetë vjedhim se s’kemi punë tjetër/ Por me pak ngihemi, nuk ia grahim tepër / (Po, aty)./
Proporcionet midis hajnisë së ndëshkueshme me ligj, dhe asaj të kultivuar institucionalisht dalin në diskrepancë të paimagjinueshme, për çka poeti do të thotë:/…në qeveri vidhet me laps/, prandaj hajnat protestojnë, protestë të cilën shkrimtari e “legjitimon” plotësisht, nëpërmes satirizimit metaforik, duke goditur hajninë si dukuri të shëmtuar ku dy pole shoqërore edhe pse apriori të kundërta për nga gjeneza, do të përfundojnë në një trung të përbashkët; Atë të hajnisë.; / Rrallë i mbushim xhepat e më rrallë arkat/ Veç një herë në vit na bjen m’i thy bankat/ (Po, aty).
Pjesë të rëndësishme në librin “Akademia e zuzarëve” zë edhe çështja e servilizmit. Ku për dallim nga sistemi totalitar që kishte për objektiv të saj krijimin e njeriut ideologjik si një fabrikim të njëmendësisë gjithë-shoqërore, edhe shoqëria jonë e sotme e kultivon tipin e njeriut të saj, njeriun servil, i cili vetëm si i tillë mund të bëhet i dukshëm në hierarkinë e saj.
Nivelin e degradimit kulmor të shoqërisë poeti do ta shpërfaqë me poezinë e fundit “Grevë”, fq. 148, ku ndër të tjera thotë: /Në grevë hidhen arsimtarët? Kundër grevë mban qeveria?/. Gjendje kjo ku grevasi dhe kundër-greva, edhe pse nuk duken të jenë analoge për kah veprimet, aktiviteti i tyre është simbolik./ Veprimet destruktive, tablotë që na jep poeti në poezitë e mëparshme sikur kanë një masë dukshmërie, dhe janë të identifikueshme, ndërsa në poezinë “Grevë” (simbol i heshtjes, mosveprimit), në fakt veprimet tani funksionalizohen në proces destruktiv, që është i mbuluar i tëri nga mjegulla: /Si na ra bre gjithë kjo mjegull/ Ku kem kokën e ku këmbët/ Tash të rriturit i hanë mollat/ E fëmijëve u mpihen dhëmbët/. Poezi e bukur satirike (ndër më të bukurat) që bartë mesazhin për një dukuri negative, aq të rëndë, dhe mjerisht, kryekëput reale.
Krejt në fund, Mark Twain, në një rast duke folur për humorin thotë: “Çdo gjë njerëzore është patetike. Burimi i sekretit të humorit në vetvete nuk është gëzimi, por pikëllimi. Nuk ka humor në Parajsë”.
Ky ndoshta do të mund të ishte njëfarë ngushëllimi për “pikëllimin” aq të veçantë që na e sjellë libri “Akademia e zuzarëve” i poetit Faruk Tasholli, i cili gjithsesi në zhanrin e poezisë humoristike-satirike që krijohet ndër ne, është një emër i veçantë dhe i spikatur.