Ta mendosh. Shekulli i teknologjisë. I zhvillimit të ndërveprimit komunikues njerëzor! Po i kujt zhvillimi, kur shenja më zhvlerëson shpirtin e fjalës!?
Anila KRUTI
Kryefjala e kohës moderne është teknologjia dhe rrjetet sociale, ku janë të përfshirë të gjitha moshat dhe kryesisht të rinjtë. Pra, teknologjia ty të jep mundësinë të komunikosh me dikë, t’i shprehësh emocionet dikujt për një foto, status apo diçka tjetër jo ndër sy, as me letër, por me disa emoji. Pra, për të shprehur atë që ndjen dhe për të shkurtuar kohën. Kam bërë një testim të vogël: Kam hedhur një foto me poezi në rrjetet sociale dhe për çudi kanë shpërthyer një lum i madh emoji.
Ta mendosh. Shekulli i teknologjisë. I zhvillimit të ndërveprimit komunikues njerëzor! Po i kujt zhvillimi, kur shenja më zhvlerëson shpirtin e fjalës!? Për çfarë i përdorim ne fjalët, për të shpërthyer helm kundër njëri -tjetrit në rrjetet sociale? Për të sharë këdo që ka bërë një veprim, një ngjarje për qejfin e vet…Për të futur në depresion ata njerëz që menduan dhe dëshiruan të bënin atë që donin. Pra, fjalën e përdorim …por me fjalën lëndojmë, akoma më keq masakrojmë. Po pse nuk ditkemi ta themi fjalën e mirë kur njerëzit janë të bukur, kur kanë foto dhe statuse të bukura? Çfarë zhvillimi është ky në vend që të përdorim fjalën e bukur, ta pasurojmë atë, fjalorin, komunikimin që njerëzit ta shprehin me fjalë atë që panë apo dëgjuan. I destinojmë fjalët t’i vrasim dhe në këtë rast t’i vdesim.
E mandej?
M’u kujtua një shprehje e një filozofi gjerman ku citon: Njeriu banon në gjuhë! Si mund të vlerësoj një emoji rëndësinë e fjalës, ngjyrën emocionale, kënaqësinë që të jep fjala?! Emocionin që përcjell ajo tek tjetri! Pra, komunikimi dhe forca e magjia e fjalës është thelbi për të qenë të lumtur.
Ndoshta shumë janë të njëjtit mendim me mua. Ky është shekulli i shkatërrimit të vlerave, emocioneve të fjalës, dashurisë njerëzore. Ky është shekulli i akullit shpirtëror. I prishjes së vlerave njerëzore. I zhvlerësimit të artikulimit të bukur të fjalëve shqipe. I perdes vizive. Çfarë është një emoji ❤️ përpara fjalëve të bukura shqipe: zemër, të dua, e bukur, e mrekullueshme! etj. Ç’janë këto emoji që po i bëjnë njerëzit, të rinjtë të ftohtë, egoistë, dembelë dhe mbi të gjitha mos të shprehin bukur dhe me vërtetësi atë që ndjejnë? E kuptoni se çfarë po mësojnë njerëzit të mos jenë empatik, po të shajnë me fjalën dhe të mos duan më fjalën. Është një kambanë për të gjithë ne. Emoji mund të mbush sytë, ndërsa fjala të mbush shpirtin!
Provo t’i thuash me gojë dhe më pas t’i shkruash fjalët e bukura dhe magjike shqipe kur duhet t’i thuash në vend të emojit: Të dua! Zemër! Shpirt! Je shumë i /e bukur ! Je i/e mrekullueshme! Provoji t’i shkruash! Sa të bukura janë! Çfarë potenciali kanë! Sa empati dhe qetësim përcjellin. Çfarë respekti përcjellin ato për ty dhe të tjerët! Të lutem ti që po e lexon këtë shkrim kur hedh një foto, status apo diçka tjetër: mos shkruaj me emoji, por me fjalë! Fjala është ajo që lidh dy njerëz dhe që të bën të mbash gjallë miqësinë dhe dashurinë. Stop emojit! Shkruaj fjalët e bukura shqipe! Përdore fjalën për gjëra të bukura, sepse pasqyron shpirtin tënd!