MITRUSH KUTELI, KY RRËFENJËS MAGJIK I PËRRALLAVE POPULLORE

(Interpretime, veçanërisht, për librin “Tregime të moçme shqiptare” (Botime “Kuteli ’04”, ilustrimet: Gazmend Leka, Tiranë 2017)

Xhahid BUSHATI

Studiuesit dhe kritika letrare e kanë vlerësuar Mitrush Kutelin si Mjeshtër i Fjalës shqipe. Një mjeshtëri e rrallë! Krijoi një botë letrare. Në këtë botë zë vend dhe Letërsia e tij që shkroi për fëmijë. Në këtë udhëtim, autori u shfaq: përrallëtar, poet e përkthyes. Ritregimin dhe rrëfimin e përrallave, legjendave, baladave… etj., e shohim te “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilloja”; ndjeshmërinë poetike e shohim te poema “Pylli i gështenjave”; përkthimet e këndshme i shohim te “Përralla të zgjedhura” e “Piktori i vogël që bënte mrekullira”, etj.  

Duam të rikujtojmë se në 10-vjeçarin e fundit të jetës së autorit, lidhjet e Kutelit me folklorin bëhen më të ngushta e më produktive. Autori, kësaj here vihet në rolin e përpunuesit dhe të ritreguesit të krijimtarisë popullore. Veçanërisht te libri “Tregimet e moçme shqiptare” Mitrushi nuk ka marrë përsipër t’i rikrijojë e ndryshojë motivet, heronjtë, ngjarjet e folklorit; por synon vetëm t’i ritregojë, por, ama, bukur, saktë dhe duke ruajtur “të paprekur” palcën mrekullidhënëse që mbart përralla e çmueshme popullore.

Ne do të ndalemi te libri “Tregimet e moçme shqiptare” dhe do të përmendim disa dukuri që lidhen jo vetëm me mënyrë e konceptimit të krijimit, por edhe me mënyrën sesi Mitrushi krijoi personalitetin e tij artistik.

Te libri në fjalë, lexuesi vlerëson rrëfimtarin e talentuar, që interpreton me mjeshtëri e mençuri krijimtarinë (eposin) e popullit. Janë një mozaik kallëzimesh. Mbase është vepra e parë e këtij lloji, kur shkrimtari e ritregon poezinë me gjuhën e prozës, duke iu përmbajtur kritereve të letërsisë artistike. Lënda përrallore gjithnjë kalon përmes filtrit të shkrimtarit.

Konflikti në përrallat e Kutelit përftohet nga ndeshja ndërmjet dy forcave antagoniste, kategori të njohura në përrallën tonë, në mes të Mirës dhe së Keqes, të Bukurës dhe të Shëmtuarës, të Voglit e të Madhit… ku përherë fiton i pari mbi të dytin.

Vepra e Kutelit është e mbrujtur me një frymëmarrje të gjerë popullore. Vetë autori pohon se ushqimi i tij i përhershëm ka qenë “piksëpari folklori dhe përsëri folklori”. “Rrëfimet e mia, shkruan më tej Kuteli në një dorëshkrim janë reflektim i tregimeve të pleqve… ” (Letër prof. Vehbi Balës, 15 gusht 1965, dorëshkrim).

Rrëfimi në penën  e shkrimtarit u ngrit në një vlerë që nuk ishte parë më parë, duke fituar cilësitë e vërteta të llojit të vet. Ai, jo vetëm krijoi një tip të ri tregimi, por i dha këtij lloji epik vulën e individualitetit të tij.

Poetika e rrëfimeve është ajo e rrëfimit popullor, por e përpunuar artistikisht nga Mjeshtri, e kthyer në një mekanizëm të strukturuarit artistik. Këtu, luan rol të rëndësishëm  figura e rrëfimtarit, i cili krijon raporte të caktuara me dëgjuesin, me kohën dhe me hapësirën dhe kthehet në personazh unik i gjithë prozës së tij tregimtare.

Funksioni i rrëfimtarit të Kutelit është i gjithanshëm. Rrafshet që përbëjnë këtë gjithanshmëri Janë: zbulimi i tipit, – karakteri i personazhit, – përshkrimi i situatës psikologjike dhe i gjendjes shpirtërore, – shtjellimi i konfliktit, – zbulimi i figurës, evidentimi dhe shenja e detajit… etj.

Te Kuteli përshkrimi është i fuqishëm, karakterizues dhe i harmonishëm. Ndërsa dialogu me monologun, tok me përshkrimin ndërtojnë veprën. Ato shfaqen në situata të caktuara, si një nga burimet e informacionit; por akoma më shumë me funksion tipizues e individualizues.

Po shënojmë edhe tre elementë: – Poetika nuk mund të kuptohet pa poetikën e kompozicionit të rrëfimeve, – Subjekti i rrëfimeve ndërtohet të rrokë gjithë jetën e heroit ose një pjesë të saj, – Gjuha e Kutelit është dhe mbetet thesar i çmuar.

Si përfundim, Mitrush Kuteli përralltar (Mvetësia është thelbi i shkrimtarit; por, mendoj se, nuk mungojnë aty-këtu edhe ndikimet nga letërsia ruse për fëmijë); ashtu si Anderseni, Sharl Perró, Vëllezërit Grimm… etj., arrin ta kthejë përrallën popullore në përrallë letrare. I jep asaj botën magjike që e ka në zanafillë si gjini.

Leave a Reply

Your email address will not be published.