NË BURG NUK NA LEJOHEJ KRIJIMI, ISHTE E NDALUAR TË FRYMËZOHESHE

Me Visar Zhitin, shkrimtar

Disidenca në letrat shqipe nuk lejohej, prandaj ka nga ata që nuk besojnë apo nuk u duhet ta besojnë se ka pasur disidencë. Meqenëse nuk lejohej, nuk do të thotë se nuk ka qenë. Disidenca në letërsinë shqipe ka qenë e fshehtë, e pa organizuar, vetanake siç është dhe vetë letërsia, guxoi deri në heroizëm dhe u martirizua. Tashmë ajo është një realitet me vepra, një përvojë që i shërben të sotmes dhe të ardhmes, do të jetë deri sa të ketë pushtete mbi të, në mbrojtje dhe në emër të së bukurës, të së mirës, të së mbarës, të lirisë. Në emër të vetvetes

Intervistoi: Avni HALIMI

Në ciklin e intervistave me personalitete të shquara kombëtare në sferën e kulturës, kësaj radhe do të flasim me një nga poetët më të mirë shqiptar, Visar Zhiti, i cili pati fatin që ta përjetojë burgun e regjimit komunist për poezitë e tij. Punoi edhe si ministër për kulturë, deputet në parlamentin shqiptar, si dhe diplomat, porse në asnjë nga këto faza të karrierës së vet nuk hoqi dorë nga krijimtaria letrare. Me Visar Zhitin në këtë intervistë do të shtjellojmë një varg problemesh e fenomenesh kulturore mbarëkombëtare:

HEJZA: Në fillim qe Fjala, fjala si mundësi komunikimi! Pastaj liria e krijimit. Erdhi harmonia e përkryer si dhe krijesat për ta kuptuar rëndësinë e baraspeshës së çdo gjëje të krijuar. Popujt, ideologjitë, sistemet që e refuzuan këtë formulë jetësore, përjetuan degradimin, dekadencën, zhdukjen! Le t’i japim këtij definicioni një kuptim estetik! Cili do të ishte ai!

V. ZHITI: Është një pafundësi e parrokshme kohe dhe hapësire, një ecuri gjithë mister, vetë përjetësia, mendoj, kur duhet të pranojmë se në fillim ishte Fjala. Dhe në fund është Fjala, shtoj unë, kur fund nuk ka ashtu siç nuk ka dhe fillim. Fjala nuk është vetëm mundësi komunikimi, as vetëm mjet i saj. Fjala është histori dhe frymë. Madje filozofohet se ishte Fjala dhe më pas u bënë ato  që përcakton e shpreh fjala. Është e mrekullueshme teologjia e fjalës. Edhe estetikisht ne jemi ajo që themi, po aq të shëmtuar, por dhe po aq të bukur sa Fjala e thënë me ne.

HEJZA: Ju, si krijues, e keni përjetuar edhe mungesën e lirisë për të krijuar por edhe mungesën e lirisë krijuese. Cila nga këto dy mungesa është më e trishtë për krijuesin?

V. ZHITI: Jemi midis dy lirive, asaj të jashtmes, që është liria që na japin dhe japim, që lejojnë forcat madhore të realitetit, mbijetesa, shteti, etj, por është dhe liria e brendshme, që varet shumë  nga ne, më e rëndësishmja.Për rrjedhojë edhe për krijuesin janë liria që ke për të krijuar, totalitarizmi e jep me racione sa do dhe si t’i duhet, dhe është liria krijuese, që varet dhe nga kultura që ke, guximi artistik e fantazia, etj. Mungesa e lirisë për të krijuar është jo vetëm e trishtë, por dhe torturuese, ndërsa liria krijuese mundohet të gjejë rrugëdaljeje, shpërthime të dukshme dhe te padukshme dhe mbase një kërkim i tillë shpiku metaforën…

HEJZA: Frymëzimi krijues në burg dhe frymëzimi krijues në parajsë-liri! Cili e ka rrjedhën më të furishme?

V. ZHITI: Në burg nuk na lejohej krijimi, ishim skllevër, pra “ishte e ndaluar të frymëzoheshe”, kurse liria është plot mundësi dhe, besoj, triumfon ajo të cilën ka më të fortë krijuesi, liria e brendshme apo “liria për të krijuar” siç e thatë aq saktë ju. Vetë furia e frymëzimit është liri…

HEJZA: Pse u burgos Visar Zhiti dhe jo edhe të tjerët! Shkrimtarët e mirëfilltë në esencë janë xhelatë të pushteteve totalitariste! Ishte kjo “lotari e jetës” apo linçoheshin Visar Zhitat për t’u frymëzuar të tjerët me dashuri për “pushtetin absolut”?

V. ZHITI: Në qoftë se do të hapim dosjen e dënimit të Visar Zhitit, aty do të gjejmë se ai është dënuar për poezi, sipas ekspertëve të Realizmit Socialist në diktaturë ato ishin armiqësore, kur vetëm poezia s’mund të jetë e tillë. Policia sekrete politike përbëhej dhe nga redaktorë të botimeve, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kështu rezulton. Ata përcaktuan para se të bëhej gjyqi, pra, ishte vendimi i tyre para atij të gjyqit, që jo vetëm poezitë e tij ishin “të trishta, hermetike, kundër sistemit”, por dhe ai, Visar Zhiti, ishte armik.Mund të them se Visar Zhiti u dënua për rrugën që zgjodhi vetë, të shkojë në ferr, duke u ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë, duke i humbur dhe shpresat, i papenduar, por kjo nuk do të thotë se ai nuk e kishte kuptuar humbjen dhe humnerën, e vuante tmerrësisht keq duke menduar shpesh dhe vetëvrasjen. Dhe po kështu është tejet e rëndë, që ka pasur dhe ka të tillë, që janë “frymëzuar” nga këto dënime, madje kanë qenë zelltarë të tyre dhe kanë ndihmuar me denoncime të fshehta, me dëshmitë gjyqeve, deri edhe letra diktatorit Enver Hoxha, edhe pse shkruanin poezi, kështu u dukej, dhe kjo bëhej jo vetëm nga “dashuria për pushtetin dhe për pushtet”, por dhe nga zilitë dhe ambiciet vrastare, nga paaftësia për te qenë njerëz…. Letërsia e madhe është gjithmonë kundër…

HEJZA: Kur nis disidenca në letërsinë shqiptare! A ka përfunduar ajo dhe, nëse po, a nuk do të duhej të zgjaste përjetësisht, derisa të ekzistojnë pushtetet politike. Vdekja e disidencës përballë pushteteve politike do të thotë disbalancim i përbërësve të së bukurës, të së mirës, të së mbarës, të lirisë…

V. ZHITI: Në konceptin tim letërsia në vetvete ka brenda disidencën, sepse çdo vepër e mirë vjen për të qenë ndryshe nga të tjerat, bën një ndarje, ndërkaq ajo ka mospëlqimet e veta me realitetet, me estetikat e tyre, pra, le ta quajmë disidencë estetike. Duke u nisur nga përmbajtjet, spikasin disidencat ideologjike, politike, por në letërsi unë quaj më të rëndësishme disidencën në shije. Të dimë të duam dhe të dimë të përçmojmë.Disidenca në letërsinë shqipe, në kuptimin ideor të çështjes, nisi me diktatin që u ushtrua ndaj saj, kur u zyrtarizua Realizmi Socialist si e vetmja metodë letrare dhe u bë detyrim për shkrimtarët dhe artistët dhe, sipas konceptit vrastar Leninist, letërsia dhe artet duhej të ishin në shërbim të Partisë në pushtet, ideologjisë dhe politikave të saj, pra propagandë, “vidë dhe burmë” siç e thoshte barbarisht Lenini.Disidenca në letrat shqipe nuk lejohej, prandaj ka nga ata që nuk besojnë apo nuk u duhet ta besojnë se ka pasur disidencë. Meqenëse nuk lejohej, nuk do të thotë se nuk ka qenë. Disidenca në letërsinë shqipe ka qenë e fshehtë, e pa organizuar, vetanake siç është dhe vetë letërsia, guxoi deri në heroizëm dhe u martirizua. Tashmë ajo është një realitet me vepra, një përvojë që i shërben të sotmes dhe të ardhmes, do të jetë deri sa të ketë pushtete mbi të, në mbrojtje dhe në emër të së bukurës, të së mirës, të së mbarës, të lirisë. Në emër të vetvetes.

HEJZA: Vuajtja si kategori shpirtërore! Një shkrimtar në burg dhe tjetri në liri! Shkrimtari në burg ngulfatet nga frymëzimi për të shkruar, por nuk ka ku dhe si të shkruajë! Shkrimtari në liri i ka të gjitha por i mungon frymëzimi për të shkruar! Pozitën e shkrimtarit të parë e keni përjetuar vetë. Mbase e keni përjetuar edhe pozitën e shkrimtarit të dytë! Cila është më e rëndë?

V. ZHITI: Mendoj se janë vuajtje që s’kanë të krahasuar. Kur je në burg dhe të vjen djalli i frymëzimit, por nuk shkruan dot, se nuk lejohet, pra nuk të lënë të bësh shkrimtarin, kurse kur je jashtë, i lirë, por nuk shkruan se nuk ke frymëzime, por mungesë të tij, kriza, qoftë dhe e shkrimtarit, nuk është shkrimtarí, por patologji tjetër, jashtë letrare, etj, etj. Të mosshkruarit nuk është letërsi. E rëndë është, kur nuk të lënë të shkruash…  

HEJZA: Si shkrimtar keni pasur rastin të krijoni edhe në mërgim! Motivi i mërgimit në letërsinë shqiptare (sidomos në atë të krijuar në viset etnike shqiptare, jashtë kufijve të shtetit amë) ka qenë një prej motiveve më të shpeshta dhe më të trishta! Sot, në dëshirën e flaktë të shqiptarëve për të migruar në Perëndim, a mund të gjejmë arsye dhe kuptim në kultivimin e këtij motivi në krijimtarinë e përgjithshme artistike.

V. ZHITI: Mërgimi është një dukuri e hershme, edhe popujt kanë lëvizur duke lenë një gjë dhe duke marrë një tjetër, botë shpirtërore, kulture. Krahas brengës dhe mallit, ato e kanë pasuruar letërsinë me zbulime të tjera, qoftë dhe me subjekte e motive, me qëndrime të reja ndaj botës. Sipas meje çdo motiv mund të trajtohet në një letërsi, edhe mërgimi, ndërsa mërgimi në gjuhë mendoj se kërkon trajtim tjetër, është largimi nga letërsia amë në letërsinë e një populli tjetër. 

HEJZA: Arsyet politike për migrim dhe migrimi si pasojë e zhgënjimit nga politika! Me gjasë, që të dyja i kemi si kamuflim të egos sonë: dëshirë për një jetë më të mirë, më të lumtur! Pa dyshim, kjo dëshirë te popujt e tjerë perceptohet si normale, si shumë njerëzore. Pse kjo “dëshirë moderne” për protagonizëm, për heroizëm ndërkohë që e kemi më të lehtë ta përmbysim mekanizmin që e shtynë furishëm migrimin: sistemet politike!

V. ZHITI: Keni të drejtë me arsyetimin tuaj. Shkak ikjesh mund të jetë dhe politika e mbrapshtë, zhgënjimet, të mosqenit dakord me praktikat e saj, kur sjellin dëm e ti nuk do të jesh pjesë një politikë të caktuar, dhunuese, etj, etj, por dhe dëshira për një jetë tjetër, ndryshe apo më të mirë apo kërshëria për botën, pa protagonizëm apo heroizëm janë shkaqe ikjesh. Çështjet politike edhe ndryshohen me ndryshime të qeverive me zgjedhje të lira apo ngritje krye, etj, po për ndokënd a shumëve të tillë, që duan të ndryshojnë jetën e tyre, u duhet të ndryshojnë dhe vendin. Por atdheu mbetet atdhe.

HEJZA: Një popull, një histori, një gjuhë, një kulturë, por, me shumë politika kulturore. E kemi në terezi këtë punë? Çdo periudhë i ka shtresëzimet e veta kulturore dhe, sot, me plotë gojë mund të themi se nga e kaluara jonë kemi një trashëgimi të mrekullueshme kulturore, e cila flet për një civilizim të padiskutueshëm të të parëve tanë. Por, çdo të thonë pas njëmijë vitesh pasardhësit tanë për shtresëzimin e sotshëm kulturor. Ç’trashëgimi kulturore po u lëmë pasardhësve tanë?

V. ZHITI: E kam të vështirë, madje të pamundur të parashikoj se ç’do të mund të thonë pas një mijë vjetësh pasardhësit tanë për kulturën sot, që do t’u lëmë. Ç’do të jetë ajo, si dhe çfarë do të mbërrijë? Mijëvjeçarët e mëparshëm dhanë një histori dhe na lanë një gjuhë, pasuria më e madhe për popullin tonë dhe kulturën e mbijetesës.Mijëvjeçarët e ardhshëm do të kenë një shpejtësi zhvillimi që nuk e imagjinojmë dot, shpejtësi drite dhe dimensione që s’i dimë… Lutem që mbi truallin tonë të mbeten gjurmë dhe vepra për pasardhësit, t’i shërbejnë njohjes së ecurisë së popullit të tyre, në identitet e kulturë, për një mendje të begatë e shpirt të pavdekshëm…    

HEJZA: Për vuajtjet si pasojë e regjimeve totalitariste më lehtë e kemi t’i citojmë poetët rusë, polakë, çekë, bullgarë, se sa poetët shqiptar. E kemi si rrjedhojë e demagogjisë apo, thjesht, nuk njihemi në mes vete, nuk lexohemi! Ç’vuajtje ka mundur të pësojë më shumë një poet rus se sa një Visar Zhiti, apo një Teki Dervishi, ç’mendim estetik më të madh do të mund të kishte lënë Haveli se sa Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, ç’poezi më të mirë do të kishte një disident polak se sa Jusuf Gërvalla etj. Ç’nivel intelektual e kulturor do të ishte njohja e kulturave të huaja ndërsa njohuritë mbi kulturën kombëtare i ke copë-copë?

V. ZHITI: Është një pyetje që më ka goditur dhe mua, e çmoj. E kam ndjerë, që tek ne u duket më me rëndësi, madje vuajtje më aventurore, burg më spektakolar ai i të huajve, rusë sidomos dhe disidencë më e arsyeshme ajo e një polaku apo çeku, hungarezi, mongoli etj. Mbase është kompleks, një si nënshtrim ndaj çdo gjëje të huaj, prangat jashtë mbase janë më të bukura, ndërsa qëndresa jonë, qoftë në Shqipërinë e copëtuar me mizorë mbi krye dhe në Kosovë me të huajt e pamëshirshëm a në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, janë të denja, që nderojnë çdo popull, madhështore. Vargjet e poetëve të pushkatuar dhe vrarë burgjeve, t’i kishte një popull tjetër, do t’i gdhendte në mermer dhe nxënësit do t’i mësonin përmendësh nëpër shkolla.Ndonjëherë më duket se ky moskujdes, ky harrim i qëllimtë i vuajtjes, i emrave të atyre që i bënë ballë të keqes edhe për ne, është një koracë vetes, e atyre që nuk guxuan për më shumë, ca më keq, që u bënë dhe pjesë e së keqes dhe për një alibi hipokrite thërrasin të nderojnë heronjtë e popujve te tjerë, që natyrisht e meritojnë. Por bëje këtë dhe me martirizimin e vëllezërve të tu!

HEJZA: Fatkeqësisht, kasta artistike shqiptare nuk njihet në mes vete, nuk respektohet, ndërsa nuk duket në horizont asnjë shenjë, asnjë përpjekje për një platformë të përbashkët kulturore që do të ishte si nismë historike për bashkim kombëtar në rrafshin kulturor.

V. ZHITI: Do t’më vinte shumë keq, nëse do të ishte plotësisht kështu. E kuptoj pakënaqësinë tuaj për gjendjen, ajo është dhe apel intelektual për përmirësim, për të bërë më shumë ndaj asaj që ëndërrohet.Mendoj se në botën e artistike shqiptare njihen me njëri-tjetrin dhe vlerësohen ndërsjellas, por duhet dhe organizim, takime dhe veprimtari të përbashkëta, kuvende e platforma për ardhmërinë. Do të thosha se institucionet shtetërore përgjegjëse për kulturën dhe artet kanë përgjegjësi të madhe dhe detyra bashkëpunimi, për njohjen e vlerave gjithkund ku ka shqiptarë, t’i shpërndajnë dhe përhapin, të punojnë për mundësime gjithëpërfshirëse në krijimin e vlerave të reja dhe konkretizimin që ju thoni me të drejtë, për një ardhmëri kulturore kombëtare të përbashkët. Duhen jo vetëm për mbijetesë dhe identitet, por dhe për kulturë jetike.

HEJZA: Antologjitë e shpeshta të poezisë shqiptare më shumë shprehin mentalitetin tonë krahinor se sa përgatitjen profesionale për vepra të tilla reprezentative! Botohet “Antologjia e poezisë shqiptare” ndërsa aty nuk përfshihet asnjë poet nga viset e tjera etnike! Për të qenë trishtimi edhe më i madh, mblidhen poetë, demagogë e mediokër dhe e promovojnë si kryevepër shqiptare! Këto ndasi të qëllimta do të duhej të dënoheshin si tradhti kombëtare! Akoma nuk kemi një shfaqje teatrale të përbashkët, akoma nuk kemi një film të përbashkët, një koreografi, një koncert me instrumentistë e interpretues të përbashkët, nuk kemi akoma një ekspozitë të piktorëve shqiptarë nga të gjitha trevat etnike…

V. ZHITI: Janë çështje me rëndësi dhe me vlerë këto që parashtroni, madje dhe të bukura. Përsa u përket antologjive, me sa kam informacion, janë aq të shumta dhe të shumëllojta, mbi 300 kanë dalë pas viteve ‘90 dhe nuk mund të kërkojmë nga asnjëra gjithçka. Ato kanë emrat e hartuesve, një autor për autorët që ka përzgjedhur, pra, si të thuash nuk është çështje dhe aq e letërsisë, as meritë e atyre që janë të përfshirë në një antologji dhe as pazotësi e atyre që nuk janë përfshirë. Kanë subjektivitet të pashmangshëm, ndonjëherë dhe të keq. Unë mendoj se nuk do të ishte mirë nëse një antologji do të mund ta përfshinte të gjithë letërsinë. Ajo, e mbetura jashtë një antologjie, sipas meje, duhet të jete po aq e mirë sa e përfshira, e denjë për një antologji tjetër të një kriteri tjetër. A janë të kritikueshme antologjitë? Patjetër që po, edhe kur subjektiviteti nuk është aq flagrant. Por kur kriteret e hartimin të saj janë jashtëletrare, sidomos ideo-politike apo kur ndokush është gati të kacafytet fizikisht se mungojnë poetët e lokalitetit të tij, duke pasur parasysh veten, i përmend me emër të munguarit që t’i nxisë në një rebelim socrealist, ky është një grotesk mërzitës. Dënimi më i saktë është të mos merremi me to. Unë di që ka antologji të mira e shumë të mira, edhe pse mund të jenë të pakta, për to duhet të diskutohet më shumë. Dhe kur ato dalin në një vend tjetër e gjuhë tjetër, fakti që botohen, gjuha tjetër dhe vendi tjetër ka parë vlera, mirënjohës hartuesit apo hartuesve të tyre dhe përkthyesit. Gjithsesi janë një pasqyrë e letrave tona deri në atë ditë, ta pranojmë arritjen, t’i gëzohemi estetikisht me dëshirën dhe kritikën që herë tjetër pasqyra të ndrisë më bukur.Ideja juaj, ai propozim për shfaqje teatrore mbarëkombëtare, me artistë brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë, politikë, të cilët kanë ndarë trojet tona, që assesi nuk duhet të bien më mbi kulturën tonë e ndërgjegjet tona, pra, për filma të përbashkët, koncerte, balet, ekspozita, etj, është dobiprurëse dhe progresive. Janë të munduara, duan prirës, bashkëpunëtorë, mbështetës. Dashuri për artin e popullit tënd, për vetë popullin.  

HEJZA: Pa themelimin e institucioneve kombëtare kulturore, që shtrihen përtej kufijve shtetëror (“ansambli shtetëror”, “teatri shtetëror”, “opera shtetërore”) nuk mund të themi se po vërehen shenja të një bashkimi kombëtar në rrafshin kulturor. Akoma një biznesmen i Kosovës nuk ka sponsorizuar një shfaqje apo një libër të një krijuesi nga Gjirokastra, Durrësi, Fieri, Berati, apo, një biznesmen nga Berati ta sponsorizonte një vepër artistike nga Ferizaj, Shkupi, Ulqini, Presheva… Kurse, shih paradoksin, një hoxhë, me rastin e pensionimit të tij, nga popullata shpërblehet me një Mercedes të fjalës së fundit, që do të kushtonte sa buxheti vjetor i Teatrit të Prishtinës apo Tiranës! Ç’po ndodhë me ne? Sikur më shumë po japim shenja të vullnetit për akulturim se sa për ngritje kulturore institucionale!

V. ZHITI: Bashkohem me shqetësimin tuaj, pa dashur të bëj krahasime e paralele, njerëzit janë të lirë të zgjedhin.Mendoj se me përpjekje më shumë e më me largpamësi mund dhe duhet të kemi ndërveprime të përbashkëta kulturore dhe siç e thoni dhe ju, “ansamblin” më shumë se sa “shtetëror” do ta dëshiroja kombëtar, as teatër shtetëror, por kombëtar, as opera shtetërore, të mos këndojnë ministrat me kryeministrin, por të punojnë, pra opera kombëtare, veç shteti të ishte sa më shtetëror dhe sa më pak privat e vetanak.

HEJZA: Aktualisht Visar Zhiti jeton në SHBA! Pa dyshim, ju mund ta dëgjoni zërin e vendlindjes, të atdheut, që ju fton e që ju çon peshë! Ju keni thënë se shkrimtari krijon ashtu siç jeton! Nën presionin e zërit kumbues të vendlindjes dhe mënyrës së jetesës së re, e ndani akoma të njëjtin mendim!

V. ZHITI: Unë vërtet këto vitet e fundi po jetoj larg dheut amë, e kam thënë, pasi i kreva të gjitha detyrat ndaj shtetit në vendin tim, shpërngula shtëpinë, por jo gjuhën si shkrimtar, as shqetësimet, as dhimbjet dhe gëzimet e përbashkëta, vazhdoj ta thur po njëlloj elegjinë time, ndoshta po e pasuroj, SHBA është botë e madhe, pra, nuk ndjehem i ikur. Na duhej paqe më shumë e qetësi më shumë, një vetëmbrojtje nga ajo që na godet, nga rruga, një tjetër mirëkuptim me jetën, etj, dhe desha t’i largohesha rutinës së një hipokrizie gjenerale, sa zyrtare po aq dhe miqësore, nëse mund të quhet hipokrizia miqësore, megjithëse tek ne ekziston dhe ajo hipokrizi që nuk gjendet kurrkund, besoj, tjetri mashtron me vetëdije hipokrite, të shan me hipokrizi sepse do apo i duhet, pra hipokrizi dhe në të keq, duke cenuar rëndë moralin e vetes. Jo se shpëtova tërësisht dhe këtej larg. Pas rënies së perandorisë komuniste kanë mbërritur më parë ata që ishin me persekutorët se sa vetë të persekutuarit. Kjo më bind që jam ende në fushën e betejës. Pa merak, ndaj të njëjtin mendim, sepse dhe nuk me është ndarë…   

HEJZA: Ç’po shkruani për momentin? A po shkruani siç po jetoni, apo, megjithatë, keni akoma për të shkruar për jetën që e jetuat si mos më keq, burgjeve të totalitarizmit shqiptar!

V. ZHITI:Nuk po shkruaj gjë për momentin, në kuptimin se nuk kam gjë të çastit, përveç atyre që hedh në fb. Letërsinë e shoh si përkushtim ndaj të gjithmonës, edhe pse mund ta nxjerrë momenti. pavarësisht se sa ia del. Realitetin e shoh si të pashtershëm. Në burgjet e totalitarizmit shqiptar kishte vuajtje të madhe, tmerr dhe mbyllje, frikë dhe qëndresë, absurd dhe zi, çmenduri, vegime dhe revoltë, nga ato që futen në histori, por çuditërisht dhe poezi brenda telave me gjemba, dinjitet të copërluar njerëzor, ndërsa jeta si mos më keq më shumë bëhej jashtë burgut, me urrejtje dhe shtirje, mërzi, dyzim të personalitetit, as maskat nuk ishin të bukura, me baltën e së keqes… do të doja që e gjitha kjo, të mund të shkruhet…

Leave a Reply

Your email address will not be published.