NJË GALERI DEDIKUAR GRAVE ARTISTE …

Si pjesë e vazhdueshme e hulumtimit të saj konceptual dhe vizual për mundësi të reja për bashkim rreth artit, Odeta ka themeluar dhe drejton OXH Gallery of Art, një “institucioni” kulturor që do bashkojë artistë shqiptarë e ndërkombëtarë në Tampa, Florida

Sokol PAJA

Odeta Xheka është një artiste e kuratore e artit pamor, e cila herë pas here hedh hapa të vegjël në eseistikë e poezi, duke i kujtuar vetes përherë se ndonëse art-bërja është një akt ekspozimi, kjo nuk të jep të drejtën për një audiencë. Ajo duhet fituar.

Si pjesë e vazhdueshme e hulumtimit të saj konceptual dhe vizual për mundësi të reja për bashkim rreth artit, ajo ka themeluar dhe drejton OXH Gallery of Art, një sipërmarrje arti që i jep vëmendje asaj që është me të vërtetë e rëndësishme: aftësia, përmes artit ne rastin konkret, për të vlerësuar bukurinë e brishtë të ekzistencës, pavarësisht vështirësive të pashmangshme.

Lindur e rritur në Berat, Odeta Xheka jeton në Tampa, Florida pas 4 vitesh studimesh universitare në Athinë dhe 16 vite të tjera në Brooklyn, New York, ku ngjizi e rriti njëkohësisht praktikën e artit, studimet pas-universitare dhe familjen e saj.

“Galeria OXH” është një hapësirë hibride ekspozimi virtual në ndërtesën historike Kress Building në Ybor, Tampa. Pavarësisht njohjes së hollësishme të tendencave dominuese të gjykimit kuratorial e studimor, “Galeria OXH” është e përkushtuar për të punuar me artistet, gjuha vizuale e platformat ideologjike të të cilave ofrojnë mundësi për bashkim rreth artit jo si një formë arratisjeje apo një gjest sentimental, por si një mundësi që angazhimi me të bukurën dhe qartësia ndjesore e përftuar prej këtij angazhimi të mos qëndrojë vetëm brenda mureve të galerisë, por të shërbej si një eksplorim intim i përvojës njerëzore.

Përveç përkujdesjes për një ndërthurje brezash të artisteve, punët e të cilave ekspozohen e promovohen në bazë të larmisë së disiplinave të lëvruara, Galeria OXH është konceptuar si strumbullari i një komuniteti artistësh, muzikantësh, poetësh, shkrimtarësh, kërcimtarësh, punonjësish te kulturës e gjithkujt tjetër që kërkon të zgjerojnë imagjinatën e botëkuptimin (vetjak e më gjerë) përmes artit që angazhon jo vetëm mendjen, por edhe syrin e shpirtin.

Inicialet e emrit tim, thotë Odeta, janë gjithashtu emri i galerisë. Përdorimi i inicialeve, ndonëse jo një risi në emërtimin e një galerie arti, është domethënës në dy kuptime. Së pari, gratë në krye të një sipërmarrje (arti, në këtë rast) janë përgjithësisht të paragjykuara dhe duke i vënë emrin tim galerisë, i jap zë shumësisë identitare të një gruaje, artisteje, nëne e sipërmarrëse. Së dyti, shkronja “xh” e mbiemrit tim ofron një mundësi të shtuar të prezantojë gjuhën e kulturën amtare në mënyrë të drejtpërdrejtë. 

Si një hapësirë arti e krijuar nga një artiste, Galeria OXH i jep përparësi ngritjes së një komuniteti artistik ku rritja profesionale e artistëve bashkëpunëtorë përmes publikimit të katalogëve, diskutimeve ndër panele e ekspozimit të denjë në panaire arti e para ekipeve të blerjes muzeale, kritikës e koleksionistëve, është më e rëndësishme se rendja pas konkurrencës në emër të vanitetit profesional. Program i mirëmenduar kuratorial, ngjarjet speciale, e marketingu inovativ janë gjithashtu pjesë e asaj që galeria bën për të nxitur shkëmbimin e hapur të ideve dhe mbështetur zhvillimin e nuancave artistike.

Galeria është tërësisht e fokusuar në artistet gra; krijimtaria e tyre jo domosdoshmërisht zhbiron “rolin e gruas” si qëllim në vetvete apo si gurin themelues të çdo akti krijues, por vetë misioni i galerisë i mëshon rezistencës e fuqizimit të identitetit gjinorë. Çdo krijim i përzgjedhur për ekspozim, nga piktura në kanavacë te punët në tekstil dhe video (e gjithçka tjetër ndërmjet), është një ftesë për reflektim e bashkëbisedim rreth ripërcaktimit të rolit të gruas artiste në botën e artit dhe jo vetëm si pritshmëri për t’i dhënë përparësi prindërimit.

Hap pas hapi, OXH Gallery po kthehet në një pikë referimi jo vetëm për audiencën lokale, por edhe për mediat e interesuara të skicojnë portretin e një sipërmarrje kulturore, e cila e vesh Tampa Bay me qyrk kozmopolit.

Artistet nga Kosova, Shqipëria, e kudo ku flitet shqip janë të mirëpritura të krijojnë ura komunikimi me OXH Gallery. Odeta thotë se nëse vizioni i tyre përkon me atë të galerisë, janë gjithashtu të mirëpritura të bëhen pjesë e kalendarit artistik të Galerisë OXH, por edhe nëse rrugët tona artistike nuk puqen, unë jam e gatshme të ndihmoj e udhëzoj me durim e dëshirë për të përkrahur artistet si-motra në gjuhë e vokacion.

Leave a Reply

Your email address will not be published.