Artistët figurativë në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi shumë pak lexojnë, shumë pak flasin, shumë pak dëgjojnë, shumë pak reflektojnë, shumë pak e njohin artin e vërtetë
Burhan AHMETI
Jetojmë në një shtet në të cilin nuk ka rend të qëndrueshëm shoqëror, artistik apo kulturor, por mbi të gjitha as laramani ngjarjesh. Ka vetëm imitime, kopje apo improvizime. Edhe pse çdo prurje e re që ekspozohet nga artistët për shoqërinë duket si risi, por në realitet nuk është gjë tjetër përpos një kopje e shëmtuar e artistëve të mëhershëm që kanë lënë gjurmë në historinë e artit. Artistët figurativë në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi shumë pak lexojnë, shumë pak flasin, shumë pak dëgjojnë, shumë pak reflektojnë, shumë pak e njohin artin e vërtetë apo atë që po e bëjnë edhe vet. Duket se më tepër aktrojnë kinse po bëjnë art por në realitet improvizojnë dhe e mashtrojnë veten.
Në anën tjetër, mungojnë dhe gazetarët e rubrikave të kulturës, mungojnë debatet, mungojnë përkrahjet e sinqerta institucionale, mungon dhe kolegjialiteti pasi që është sfiduar nga rivaliteti. Edhe ata pak artistë të kompletuar që mund të themi se ekzistojnë duket se po treten, pasi që dialogun më të sinqertë e bëjnë me veten apo me artin e tyre. Me fjalë të tjera, nëna e të gjitha profesioneve këtu te ne është politika. Çdo e “mirë” dhe e keqe që na vjen dihet se e kemi po nga ajo “nënë”.Artistët në Maqedoninë e Veriut gatise aspak nuk reagojnë në situata të ndryshme, apo nuk e përdorin artin e tyre për t’iu rezistuar institucioneve shtetërore apo politikës së gabuar, nuk i dalin para “nënës”.Ata, edhe pse shpesh përfshihen në politikë, prapëseprapë nuk arrijnë që t’i ndryshojnë gjërat parësore në favor të tyre apo të komunitetit të artistëve.
Biles, disa nga ata artistë që e llogarisin veten si të “mëdhenj”, nëpër evenimente artistike, ekspozita, koloni arti po e minimizojnë edhe veten e tyre, duke i promovuar më shumë ata që janë në pushtet sesa artin e tyre apo aktivitetin për të cilën arsye janë mbledhur. E politizojnë artin apo aktivitetin për interesa të vogla personale apo për famë duke iu ndenjur stoik ministrave, deputetëve, kryeparlamentarit dhe duke bërë selfie me apo pa vetëdije.
Dihet se ku shkojnë politikanët i ndjellin edhe mediat. Zhurmë shumë për kurrgjë hiç! Ka dhe të tillë artistë që janë distancuar dhe nganjëherë e përdorin artin e tyre për të minuar në mënyrë eksplicite gjendjen kaotike që na ka kapluar apo politikat e qeveritare me të cilat ata nuk pajtohen. Arti mund të paraqitet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme. Artistët kanë mundësi të shumta që në mënyra të ndryshme të reagojnë përmes fotografisë, performancës, simbolikës dhe semiotikës, pikturës, skulpturës madje edhe përmes reagimeve me shkrim. Nganjëherë kot edhe se reagohet kur duket se nuk vërehen ndryshime. E rëndësishmja të mos heshtim!Edhe pse këto qasje mund të duken se janë eksplicite ose subversive, nëse bëhen në kohën dhe momentin e duhur, me shumë lehtësi mund ta sfidojnë çdo dukuri negative që i servohet kësaj shoqërie. Me art mund t’iu përgjigjemi me shumë lehtësi ngjarjeve politike apo çështjeve sociale në mënyra të ndryshme për mospajtimin me politikat e gabuara ose nevojën për ndryshime shoqërore.
Këto lloj shushuritjesh, duke i vënë në dyshim politikat sociale janë bërë edhe më herët nga artistë shumë të njohur, si Francisko Goya, Pablo Picasso apo Jenny Holzer etj. Në Maqedoninë e Veriut shihet qartë se si artistët shqiptarë, kuratorët, gjithashtu edhe kritikët e artit (të cilët pothuajse nuk ekzistojnë fare), po sfidohen me lehtësi nga politika, pasiqë ato pak qindarka që i marrin sa për një koktej i kanë dhuratë nga të përzgjedhurit e tyre. Ka edhe nga ata artistë që kanë aftësi për ta mjelë çdo qeveri, por si produkt me dekada e krijojnë “kosin” (artin) e njëjtë të thartuar që e shesin si bakllava.
Artistët duhet të krijojnë vepra arti të një niveli më të lartë, në mënyrë që zgjidhja e çdo barriere të mundet të trajtohet edhe në mënyrë krijuese figurative .Pra, përmes artit mund të ofrojmë edhe kontekst, kuptim apo vazhdimësi. Krijuesi figurativ mund të jetë i heshtur, por arti i tij duhet të jetë i zhurmshëm apo të gjejë mënyra për të krijuar situata që do të nxisnin reflektime pozitive e të vërteta në shoqëri. Është pak sa e vështirë që të rezultojë kjo menjëherë pasiqë për shumicën e popullatës do ishte si absurde apo e pakuptimtë. Mbetemi me shpresë se gjërat gradualisht do mund t’i ndryshojmë bashkërisht për të mirë, duke edukuar dhe arsimuar gjenerata të reja me profesionalizëm pa improvizime dhe pa hatër.