Pirandelo vizitonte, shëtiste, gëzohej dhe fliste e pëshpëriste me vete, pse jo edhe me zë të lartë: “O Teatri Dramatik! Ty do të pushtoj!
Xhahid BUSHATI
Luigi Pirandelo ishte dramaturg, romancier, poet dhe shkrimtar italian. Kontributi më i madh në jetën artistike ishin dramat e tij. Iu dha Çmimi Nobel në Letërsi (viti 1934) “për ringjalljen e tij të guximshme dhe të zgjuar të artit dramatik dhe skenik.” Veprat e Pirandelos përfshijnë romane, tregime të shkurtra pafund, rreth 40 drama, ku, disa prej tyre janë shkruar në gjuhën siciliane. Farsat tragjike të Pirandelos, nga kritika letrare, shihen, shpesh, si pararendëse të Teatrit Absurd.
Pirandelo u lind (28 qershor 1867) në një familje të pasur në Agrigento (Sicili), pranë periferisë së varfër të Porto Empedocle. Zona quhej “Caos”, nga cáusi, siciliane, për “pantallona”, sipas formës së një përroske, aty pranë. Babai i tij, Stefano Pirandelo, i përkiste një familjeje të pasur të përfshirë në industrinë e squfurit, dhe nëna e tij, Caterina Ricci Gramitto, ishte, gjithashtu, me një prejardhje të pasur (familje e një klase profesionale borgjeze të Agrigentos). Të dy familjet, Pirandelo dhe Ricci Gramitto ishin anti-Burbon. Morën pjesë aktivisht, në luftën për bashkim dhe demokraci (Risorgimento). Stefano, ashtu si shumë të tjerë morën pjesë në betejat e Garibaldit. Ai ishte edhe ne betejën e Aspromontes. Pjesëmarrja e hapur në kauzën garibaldiane, dhe ndjenja e fortë e idealizmit të atyre viteve të hershme u shndërruan shpejt, mbi të gjitha te Katerina, në një zhgënjim të zemëruar dhe të hidhur me realitetin e ri të krijuar, që ishte larg ëndrrës së tyre të vërtetë. Pirandelo, në pamjen e jashtme do ta asimilonte këtë ndjenjë tradhtie e pakënaqësie dhe, do ta shprehte atë në disa nga poezitë e tij, si dhe në romanin “I moshuari dhe i riu”.
Pirandelo e mori arsimin fillor në shtëpi, por ishte më shumë i magjepsur nga fabulat e legjendat, diku mes popullores dhe magjisë, që shërbëtorja e tij e moshuar Maria Stella i tregonte atij. Në moshën 12-vjeç, Pirandelo kishte shkruar, tashmë, tragjedinë e tij të parë. Me këmbënguljen e babait, u regjistrua në një shkollë teknike, por shumë shpejt kaloi në studimin e shkencave humane. Në vitin 1880, familja Pirandelo u shpërngul në Palermo. Pikërisht, këtu, në kryeqytetin e Siçilisë, Luigi përfundoi shkollën e mesme. Marrëdhëniet me leximin, bëhen përherë e më të ngushta; fokusohen te poetët italianë të shekullit të 19-të, si: Giosué Carducci dhe Arturo Graf. Më pas nisi të shkruante poezitë e para…
Vitet kalojnë… Pirandelo regjistrohet në Universitetin e Palermos në departamentet e Drejtësisë dhe të Letërsisë. Në vitin 1887, zgjedh përfundimisht Departamentin e Letërsisë. U transferua në Romë për të vazhduar studimet. Por takimi me qytetin, me qendrën e luftës për bashkim, në të cilin kishin marrë pjesë me entuziazëm dhe idealizëm familjet e prindërve të tij; ishte zhgënjyes, dhe nuk i falte asgjë nga ajo që priste. Në një moment Pirandelo thotë: “Kur mbërrita në Romë binte një shi i fortë. Ishte natë dhe ndjeva sikur po më shtypej zemra, por më pas qesha si një njeri që ishte e jetonte grahmat e dëshpërimit.”
Pirandelo, i cili ishte një moralist jashtëzakonisht i ndjeshëm, më në fund pati mundësinë të shihte me sytë e tij dekadencën e pandërprerë të të ashtuquajturve ‘heronj të Risorgimento-s’, që e shihte të pasqyruar në figurën e xhxhait të tij, Rocco, tani një ish-funksionar i thinjur dhe i rraskapitur i prefekturës që i dha atij strehim të përkohshëm në Romë.
“E qeshura e dëshpëruar…”. manifestimi i vetëm i hakmarrjes për zhgënjimin e përjetuar; frymëzoi vargjet e hidhura të përmbledhjes së tij të parë me poezi “Mal Giocondo” (1889). Por jo gjithçka ishte negative… Kjo ishte vizita e parë në Romë, ku i dha atij mundësinë për të vizituar me zell e kujdesshëm teatrot e shumtë të kryeqytetit: Il Nazionale, II Valle, il Manzoni…
Pirandelo vizitonte, shëtiste, gëzohej dhe fliste e pëshpëriste me vete, pse jo edhe me zë të lartë: “O Teatri Dramatik! Ty do të pushtoj! Nuk mund të hyj në një ‘Perandori’ të tillë pa përjetuar një ndjesi të çuditshme. një ngacmim gjaku që rrjedh në të gjithë damarët e mi…”