Ose shpirt të plotë, ose materie të plotë, lirika se do edhe këtë edhe atë, poezia është e shenjtëdhe do shenjtërinë e poetit
Sulejman MEHAZI
Arti nuk e do madhështinë, por bukurinë estetike, perceptimin shpirtëror.Shumica e poetëve vrapojnë për t’u bërë të mëdhenj, e nuk vrapojnë pas së bukurës artistike.
Ose shpirt të plotë, ose materie të plotë, lirika se do edhe këtë edhe atë, poezia është e shenjtëdhe do shenjtërinë e poetit.Të gjithë poetët e përmendur e të njohur në botë janë shpirtëror.Ata kurrë nuk kanë shkruar poezi për suksese, po për bukuritë shpirtërore, ky shpirt i pastër artistik bëhet universale, ky universalitet shndërrohet në bukuri artistike.Shpirti i pastër poetik gjen motive të pastra, shpirtrat e tolloviturit merren me tollovitje artistike.
Shpirti i sinqertë poetik të jep pastërti poetike, pastërtia poetike te jep motive të pastra, motivet e pastra të japin ide të pastra për të shkruar, idetë e pastra të japin frymëzime të pastra, frymëzimet e pastra të japin bukuri të pastra poetike, prej kësaj bukurie të pastër krijohet vargu i pastër, prej vargut të pastër krijohen strofat e pastra, prej strofave të pastra krijohet poezia e pastër, prej poezisë së pastër krijohet arti i pastër, prej artit të pastër krijohet bukuria shpirtërore, prej kësaj bukurie shpirtërore krijohet perceptimi poetik, prej perceptimit poetik krijohet estetika krijuese, prej kësaj estetike krijuese formohet arti i bukurisë, poezia.
“Poezia është pasqyrim gjuhësor i gjendjes që kalon në shpirt. Është transformim i menjëhershëm i ndjenjës në gjuhë. Poezia është melodi, kurse gjuha dhe rima janë vetëm mjete për shprehjen e kësaj melodie”.(Y. K. Beyatliu)
“…A e keni vërejtur, për shembull, poetët(pasi më së tepërmi kemi punë me poetë) për të qenë poet, duhet të jenë fetarë ose të dehur(pijanecë), nuk ka mundësi të jetë ndryshe ose të bëhen në mënyrë artificiale poet; arti me të gjitha dimensionet e veta është një Einfuhlung(gjermanët e kanë përdorur një term në estetikë, EINFUHLUNG – përjetim i ekzistencës së jashtme në brendinë tënde), për shembull, përjetimin e trëndafilit në brendi. Poeti, artisti, duhet ta fusë shpirtin e vet në çikrikun e shpirtit, ta luajë dhe këtë e bën nëpërmjet mjeteve që e largojnë funksionin e mendjes. I dehur, a e dini çka do të thotë? Domethënë, ta bësh budalla mendjen dhe ta lëshosh shpirtin të punojë, për atë të dehurit, shkruajnë poezi, për shkak se e heqin mendjen prej kontrolli; përderisa e keni mendjen aty, nuk mund të bëni as art, as poezi. Unë nuk ju them të pini alkool, Zoti mos e dhashtë, por ju them të bëheni fetarë. Nuk ka nevojë të pimë alkool që të shkruajmë poezi, mjafton ta përjetojmë Zotin. Nëse lidhemi me Zotin, atëherë automatikisht, fillon të lëvizë motori dhe çikriku i shpirtit tonë, prandaj këtë Zot duhet ta njohim mirë…”(Prof. Dr. Metin Izeti, Dyzet net, I, Logos-A, 2015, fq.177.)
Për hir të artit poetik që është pjesë përbërëse perceptuese e shpirtit, jemi të detyruar të reagojmë për shkak disa përmbledhje të kota poezish antologjike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë Veriore.Mos hyni aty ku nuk e keni vendin, për shkak se bukuria e harmonia qiellore e artit poetik nuk ju pranon të bëheni banor qiellor, dyert e qiellit poetik nuk hapen për çdo e grumbuj poetësh.Ligji mistik, i padukshëm i shpirtrave qiellor për poezinë antologjike thotë:POEZIA ANTOLOGJIKE dallohet prej poezive tjera sikurse hëna pesëmbëdhjetë para yjeve, prandaj poezitë antologjike janë të pakta, numërohen me gishta e të përjetshme.Poezia antologjike zgjidhet nga bota qiellore e kurrsesi nga bota njerëzore, është dhuratë qiellore e jo njerëzore, pikë.Princërit e poezisë antologjike asnjëherë nuk e quajnë veten poet, por të dashuruar, poezitë e tyre quhen serenata dashurie.
Poezia se duron ditën e 21 marsit, s’është njëditëshe, por e përjetshme, vendbanimi i poezisë është në shpirt jo në tubimet manifestuese njëditëshe të 21 marsit, Poezia se duron përkohshmërinë njëditëshe, po pakohshmërinë e përjetësisë.
Thelbi i poezisë është frymëzimi, thelbi i frymëzimit është inspirimi, thelbi i inspirimit është zemra, thelbi i zemrës është dashuria, thelbi i dashurisë është bukuria, thelbi i bukurisë është shpirti, thelbi i shpirtit është përjetësia, thelbi i përjetësisë është Zoti.