POEZI QË FRYMËZON

(Rreth librit të Alma Zenallarit, “Një libër për yjet”)

Nga Agim BAJRAMI

Të shkruash për fëmijët dhe të jesh i suksesshëm me ta,duhet patjetër që të jesh edhe vet pak i tillë,ose të rikthehesh me imagjinatë në moshën e tyre. Nuk di pse më kujtohet kjo sentencë e shkrimtarit të njohur për fëmijë, Bedri Dedja, sa herë që më bien në dorë vepra të autorëve tanë të suksesshëm si “Një libër për yjet”.

Alma Zenellari edhe përkundër pozitës shoqërore dhe statusit të saj si nënë, është dhe mbetet me krijimtarinë e saj një fëmijë i përjetshëm. Duke lexuar këtë libër me një titull metaforik, kupton se cilat janë preferencat dhe dëshirat e fëmijëve të sotëm shqiptarë, problematikat dhe zhvillimet që lidhen me jetët dhe rritjen e tyre. Banore e planetit të ëndrrave, kur ja do puna, por dhe e fantazive të pafundme, krijimet e saj marrin atributet e makinës së kohës, që të çon si pa kuptuar në magjinë e moshës së bukur të fëmijërisë sonë. Është një magji që mund ta bëjë vetëm një penë e frymëzuar dhe e përkushtuar si e Almës,larg trajtimeve të njohura dhe skemave të gatshme soc-realiste që janë ende të dukshme në këtë letërsi. Është ky shkaku që sapo e ke mbyllur këtë libër, ndien se brendshmi nevojën për të qenë edhe njëherë fëmijë dhe të flakësh nga supet vitet e shumta të moshës. Personazhet e bukur që të shoqërojnë në këtë libër,kanë secili nga një ndodhi për të na treguar,por edhe për të na bërë nga një pyetje. Përgjigjet e qëlluara dhe gjuha e veçantë me të cilën komunikojnë ata me ne, flasin për një përvojë të gjatë njohëse dhe krijuese të autores në këtë fushë.

Edhe pse ky është libri i parë në këtë zhanër, pjekuria artistike dhe niveli i lartë i të shkruarit të krijojnë përshtypjen se ky mund të jetë libri i saj i dhjetë. Heronjtë e këtyre poezive janë vetvetja. Ata nuk e njohin ndrojtjen e moshës dhe pasigurinë që karakterizonte fëmijët e një brezi tjetër. Shumica e tyre karakterizohen nga etja për njohje, por edhe për të qenë protagonistë në të gjithë amplitudën e përditshmërive të tyre. Që nga poezia e parë që hap librin dhe gjer tek e fundit, autorja dhe heronjtë e saj ecin dorë për dore me njeri tjetrin, jo vetëm për tëmos humbur rrugën e rrëfimeve të tyre, por edhe për të qenë sa më pranë njeri tjetrit nëçdo situatë. Duke qenë në kontakt përditësor me yjet e saj fëmijët, vëmë re se mes autores dhe personazheve të saj kufijtë ndarës të moshës janë zhdukur si me magji. Të dy palët duket se njihen mirë dhe nuk kanë ndrojtje për t’i besuar njeri tjetrit sekretet dhe të pathënat e jetëve te tyre. Fëmijët e sotëm nuk janë më ata të dikurshmit, është pohimi parësor i këtij libri ndaj dhe gjuha me të cilën duhet folur me ta duhet të jetë krejt e ndryshme.

Ndryshimi i kushteve sociale dhe shoqërore, kanë sjellë një tjetër brez dhe një tjetër psikologji tek ta. Ky është një fakt që i ka shpëtuar shumë autorëve të kësaj letërsie,që vazhdojnë të sillen në krijimtarinë e tyre njëlloj si me fëmijët e viteve 80 -90,por jo i autores në fjalë. Aftësia e saj për të vjelë ndodhi,ngjarje dhe qëndrime nga jeta e tyre, i kanë sjellë asaj në tryezë një shportë me material të bukur dhe të pasur jetësor. Në këtë kontekst, autores nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç se të merret me artikulimin artistik të këtij materiali dhe të na i sugjerojë dhe neve për t’i lexuar.

Është një botë shumëdimensionale dhe shumëngjyrëshe që kur di, të trajtohet mirë, fiton vlera të mirëfillta artistike. Sinqeriteti i rrëfimeve dhe natyrshmëria me të cilën përcillen, e bëjnë këtë libër të vogël nga fletët, por të madh nga mesazhet dhe pohimet, që merr përsipër të na transmetojë. Forca e vargut, ngarkuar me krahasime të gjetur dhe simbole,është imponuese. Edhe pse autorja është e njohur në poezinë për lexuesit e rritur, ky libër i ri është treguesi aftësive të rralla vëzhguese të saj në këtë fushë. Janë krijime ku nuk mungon entuziazmi, por edhe prirja për të folur me ta me gjuhën e tyre të veçantë.

Heronjtë e këtij libri janë engjëj të zbritur nga qielli për ta bërë këtë botë më të bukur dhe më të sinqertë. Ata vijnë mes nesh për ta na bërë edhe ne si vetja. Nisur nga ky fakt, autorja nuk kursehet t’i pikturojë ata me ngjyrat dhe figurat më të bukura që disponon arsenali i saj poetik. Hulumton dhe mbledh nga lëndina e luleve të tyre nektarin dhe polenin më të mirë. Lexon poezinë hapëse të librit për mësuesen e parë dhe ndihesh befasisht i veshur edhe me fëmijëri dhe emocione: “S’harroj buzëqeshjen margaritar/ Dhe fjalën tënde të ngrohtë ,të urtë/ Kur ti më fshive lotin e parë/ Mësuesja ime e ëmbël,shpirt butë./ Ti më mësove abc -në /Me dashuri dhe përkushtim /Dhe shkronjat bashkë fjalë i bëmë/ Mes gërmash gjeta mrekullinë/

Është një poezi që të frymëzon dhe krijon brenda teje një atmosferë të cilën mund ta injektojë në gjak vetëm figura e shenjtë e kësaj mësueseje dhe plotënia e portretit të saj artistik. Poezia nuk merr përsipër të tregojë histori,por të ndërtojë me mjetet e saj ndjenjën e mirënjohjes së përjetshme të brezave. Të njëjtat drita të ngrohta e shoqërojnë lexuesin e vogël edhe në poezinë kushtuar nënës. Ndonëse këtë herë me një tjetër strukturë vargëzimi pyetja retorike që hedh në ajër poezia, e ka me vete përgjigjen: “A e dini cili është djepi im i parë/ Që ëmbëlsisht më nanurit dhe përkund?/Është dora e butë e nënës sime /Krahët e saj me ëmbëlsi me mbështjellin pafund”. Duke hyrë në brendinë e këtyre dy poezive për këta dy njerëz të shtrenjtë, krijimi poetik del si pa ndjerë nga e zakonshmja, duke e veshur veten me një frymë dashurie hyjnore.

Të njëjtin nivel artistik dhe të njëjtën elegancë vargjesh ndesh edhe në poezitë e tjera, si Fli Matin,Pse u vrejt Drinalda, Njolla mbi përparëse, V – e patave të egra etj etj. Shoqërizimi i ideve me figura dhe simbolikë të perceptueshme nga mosha e lexuesve të vegjël ka qenë qëllimi parësor i kësaj autoreje të talentuar. Kjo e bën leximin e tyre të këndshëm dhe me shumë interes.

Tek” Samanta në biblioteke”, autoren e ngacmon loti i pastër i një vajze të vogël, që ka humbur librin. Futja e detajit artistik të engjëllit, që mund ta ketë marre atë, i jep krijimit një kthesë të papritur dhe interesante: Përse qan Samanta / Kërkoj të ma thotë/Tek syri i saj i bukur /Pikoka një pikë lot /Pikon loti i saj /Përmbi syn e bukur/ I them shpirt mos qaj /Se libri s’ka humbur/

Edhe pse të natyrave të ndryshme, heronjtë e këtij libri, frymorë dhe jo frymorë, janë të prirë për të fantazuar dhe për t’i zhbiruar me këmbëngulje viset dhe ambientet e tyre respektove. Si të tillë shumë pyetje të tyre meritojnë nga një përgjigje nga autorja, të cilave ajo nuk ua përton asnjëherë. Herë duke iu drejtuar imagjinatës së ndezur poetike dhe herë të tjera,duke përdorur dijet e saj të plota shkencore që zotëron bashkëbisedimi i saj me ta, vijon me intensitetin e duhur.

Ndërsa lexoja poezinë “V – e patave të egra” me emocionoi fryma e ndjerë lirike dhe aftësia qe ka kjo autore për t’ia përcjellë atë sa më të plotë tek kategoria e lexuesve qëu drejtohet. Të njëjtat emocione provon edhe mbas leximit të poezisë“Lojë matematike”. Kjo e fundit është në lloj, shumë pak e lëvruar në poezinë tonë dhe si e tillë meriton interes. Të tillë ndjesi të ngjall edhe poezia “Personazhet e përrallave në natën e vitit te ri”, “Borëbardha” etj., ku penelatat e autores lëvizin gjithmonë të orientuara nga drita.

Kjo gjë jo vetëm u ka dhënë jetë portreteve,por edhe i ka nxjerrë ato nga velatura e njohur misterioze me të cilat kanë qenë të mbuluara gjer më tash. Veprime të tilla artistike janë jo vetëm tregues mjeshtërie, por edhe tregues të kulturës së gjerë që zotëron ajo. Bota e kafshëve dhe sendeve është gjithmonë një objekt i preferuar i shumë autorëve të letërsisë për fëmijë. Ka, qëia kanë dalë me sukses,ka që kanë mbetur ne mes të rrugës. Autorja jonë bën pjesë tek të parët.

Bleta, Harabelat,Germat O, F,B, Bora etj., shquhen jo vetëm për trajtimet e tyre origjinale,por të befasojnë për humorin e këndshëm dhe frymën edukative që përcjellin tek fëmijët. E dukshme në këto lloj poezish është fakti që emocioni që ngjall veprimi i tyre shoqërohet ndërkaq edhe me atë të autores. Parë në këtë kontekst them se “Libri i yjeve”, është një sprovë e suksesshme e kësaj autoreje dhe një thirrje për të mos u mjaftuar vetëm me kaq. Dalja në dritë e këtij libri, sa të thjeshtë, të pasur dhe të bukur është një pasurim dinjitoz i letërsisë sonë për fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.