POLITIKAT KULTURORE DHE EDUKIMI ESTETIK PËRMES LETËRSISË

Shqiptarët e Shqipërisë ka kohë që janë viktimë e propagandës dashakeqe që thotë se, në Maqedoninë e Veriut nuk ka shkrimtarë shqiptarë por “shkronjës” dhe, si rrjedhojë e kësaj logjike, autorët nga ky shtet përjashtohen, nuk botohen (me përjashtim të një-dy autorëve)

Avni HALIMI

1.

Politikat kulturore të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët partiakë trumbetojnë se janë “ortakë të qeverisë” (dhe jo vasalë!), po zhvillohen në guaca të mbyllura, sidomos në krijimtarinë artistike! Shqiptarët e Shqipërisë ka kohë që janë viktimë e propagandës dashakeqe që thotë se, në Maqedoninë e Veriut nuk ka shkrimtarë shqiptarë por “shkronjës” dhe, si rrjedhojë e kësaj logjike, autorët nga ky shtet përjashtohen, nuk botohen (me përjashtim të një-dy autorëve); autorët nga Kosova nuk përkrahen, sepse, sipas një logjike të mbrapshtë të disa “botuesve shqiptarë”, ata nuk po ditkan të shkruajnë, ose shkruajnë me një “gjuhë neveritëse”, gjysmë gege e gjysmë të çalë nga ndikimet e të menduarit sllavisht! Autorët shqiptarë të Luginës së Preshevës si dhe ata të Malit të Zi, janë “krijues provincialë” ndaj dhe duhet të mos përfillen! Megjithatë, sa për shpëlarje parash, deri para do kohe, ministritë respektive të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruanin një marrëveshje për “bashkëpunim sezonal” kulturor që do të zgjaste tre muaj të verës. Në start kjo marrëveshje privonte nga e drejta e natyrshme që të përfshihen edhe krijuesit e fushave të ndryshme nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Lugina si dhe nga diaspora!

Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, ndonëse me zëvendësministër dhe me sekretar shtetëror shqiptar, bazuar në Strategjinë nacionale për kulturë, ka përjashtuar nga aktivitetet dhe ngjarjet kulturore të gjithë artistët e kulturës shqiptare që nuk janë rezidentë të këtij shteti! Taksapaguesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk paguajnë për këtë “përjashtim kulturor”! Taksat shqiptare shpenzohen për autorë sllavë, për ata serbë, rusë, por edhe për bullgarë që për dreq, vështirë që dallohen nga ata maqedonas, meqë kanë emra e mbiemra të përafërt.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe ashtu nuk marrin as një përqind për kulturë nga ajo që paguajnë si taksë shtetërore. Kultura shqiptar është një, letërsia shqiptare është një dhe, çdo politikë përjashtuese apo segmentarizuese është antishqiptare, është politikë e huaj e cila prej shqiptarëve mundohet të bëjë disa “kombe”!

2.

Politika kulturore e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, ministritë përkatëse, qeveritë kombëtare, duhet të jenë më të logjikshëm dhe, patjetër e kanë që, jo vetëm të jenë kombëtarisht gjithëpërfshirës, por edhe të parashohin buxhet subvencionues për ngritjen, zhvillimin dhe afirmimin kulturor të shqiptarëve gjithandej ku jetojnë.

Letërsia e autorëve shqiptarë nga diaspora, në kohën e Rilindjes Kombëtare, letërsia e autorëve  disident që bënë jetën e refugjatit, letërsia e krijuar jashtë kufijve të shtetit amë, letërsia e krijuar nga krijues jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe piktura, muzika, teatri, folklori, janë materie bazë që e përforcuan tabanin e identitetit kulturor shqiptar! Këtë taban, sot, dikush po e spërkat “me acid”, me qëllim të drobitjes së saj sa më parë!

Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë të jenë më kombëtarisht të kujdesshme!

3.

Ministria për Kulturë e Shqipërisë, e gjendur nën presion të dyfishtë: nga krijuesit letrarë për fëmijë që nuk po stimulohen nga institucionet kulturore dhe nga prindërit e fëmijëve që pareshtur ankoheshin se fëmijët nuk po kanë se çfarë të lexojnë në gjuhën shqipe për moshën e tyre, hapi konkurs për Fondin e “Krijimtarisë letrare për fëmijë”! Të gjithë u ndanë të kënaqur, mbi të gjitha, juria e ngritur e cila do të shprehet shumë e lumtur për interesimin e madh në këtë konkurs të krijuesve letrarë për fëmijë. E entuziazmuar nga paraqitje e numrit të madh të krijuesve për fëmijë, kjo Ministri vendosi që ta rikthejë Çmimin Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë!

Po si është situata në Kosovë? Po në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi, në diasporë? A kemi sot plejadë të gjeneratës së re krijuese për fëmijët! A shkruan sot dikush për fëmijët apo, të gjithë shkruajnë për dashurinë e humbur, për shtratin e thatë, për fatin e zi, për vrapimin me re e me mjegull, për luftërat me dreqin etj.

Institucionet shtetërore në Kosovë, por edhe participientët qeveritarë në Maqedoninë e Veriut e gjetiu, është mirë që ta ndjejnë atë mungesë të fëmijëve, atë boshllëk shpirtëror i cili mund të ndjehet i përmbushur vetëm duke lexuar libra për moshat përkatëse. Sa më shumë që do ta ndjejnë atë nevojë fëmijërore, aq më shumë do të kontribuojnë në prurje të reja letrare.

Shkrimtarët për fëmijë duhet të kenë një trajtesë korrekte dhe të mirëfilltë nga institucionet gjegjëse shtetërore. Ata duhet të ndjehen si shtresa më e privilegjuar e komunitetit të shkrimtarëve.

4.

Kanë kaluar dekada e dekada ndërsa ministritë tona të arsimit assesi nuk janë bërë të mbara të vendosin për kolonat e lekturave shkollore sipas moshës. Sot nuk kemi lektura të përbashkëta. Të dhënat flasin se, tash e dy dekada, këtë nevojë për fëmijët tanë po e përmbushë vetëm Shtëpia botuese Logo A, e Shkupit, pa u përkrahur dhe ndihmuar nga asnjë dikaster përkatës i qeverive tona shqiptare. Si rrjedhojë, edhe kjo shtëpi botuese nuk është në gjendje që të ofrojë tirazh të mjaftueshëm për të gjithë fëmijët tanë, si në këto hapësira ballkanike ashtu edhe në diasporë.

Njëmend, çka të lexojnë fëmijët tanë në diasporë! Si ta ushtrojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe? Si ta arrijmë edukimin estetik të fëmijëve tanë nëse nuk kemi letërsi bashkëkohore për fëmijë si dhe krijues letrarë për fëmijë! Shopenhaueri thoshte: ,,Vetëm ndjenjat për të bukurën, mund të neutralizojnë veset instiktive, negative të njerëzve”! Kur fëmijët tanë do të lexojnë sërish shkrimtarë si: Adelina Mamaqi, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Isuf Nelaj, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Petraq Zoto, Rifat Kukaj, Skënder Hasko, Sokol Jakova, Shkëlzen Zalli, Tasim Gjokutaj, Vangjush Saro, Vehbi Kikaj, Xhahid Bushati, Xhevat Beqaraj, Ymer Elshani, Rexhep Hoxha, Mehmedali Hoxha, Liri Loshi e shumë e shumë të tjerë!

Kur fëmijët e sodit do të kenë mundësinë që nëpër aktivitete letrare të organizuara nga shkollat e tyre, do të kenë mundësinë të takojnë shkrimtarë për fëmijë, të bisedojnë me ta, të shtjellojnë tema të prekura nga krijues letrarë!

Fëmijët tanë duhet të kalojnë sa më shumë kohë me librin shqip, me gjuhën shqiptare, me traditën, kulturën shqiptare. Fundja, këtë çdo shqiptar ia ka borxh trashëgimtarit të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.