POST- MODERNIA

Sipas R. Federmanit, post- modernia filloi në Perëndim duke shpallur se autori, romani, arti në përgjithësi, madje edhe vetë lexuesi, kishin vdekur

Péter KRASZTEV

Malcolm Bradbury thotë në një nga leksionet tij se post-modernizmi i një kulture është njëlloj si modernizmi i saj, përderisa zhvillohet pikërisht prej këtij. Çdo ideologji moderne premton redimensionimin e vet. Modernizmi ynë i dështuar na tërheq me idenë e një shpëtimi social tepër agresiv. Sipas R. Federmanit, post- modernia filloi në Perëndim duke shpallur se autori, romani, arti në përgjithësi, madje edhe vetë lexuesi, kishin vdekur. Në vendet tona, veprat e para që mund të konsiderohen post-moderne u shfaqën kur kishte filluar të ndjehej vdekja e regjimit ndërmjet viteve 1980 dhe 1989 (në kohë të ndryshme në secilin vend). Fiksioni post-modernist eksperimentoi me vdekjen – shkroi Fedeermani, dhe ai kishte të drejtë, ndonëse po flasim për dy lloj vdekjesh. Ajo e jona ishte një eksperiment i gëzuar. Ne filluam ta shohim realitetin nëpërmjet një prizmi të ri të gjuhës letrare: nëpërmjet ironisë dhe parodisë gjuhësore në shkrimet e Esterházit dhe Pekiçit, Kunderës dhe Danillo Kishit, sllovakut Pavel Vilikovsky, bullgarëve Viktor Paskov dhe Ivajlo Dichev, rusëve Dmitri Prigov, Jevgeni Popov, Viktor dhe Venedikt Ierofejev; nëpërmjet absurdit të Ismail Kadaresë. Asokohe ne admironim edhe Edichka Limonov dhe Milorad Paviç, u mësuam me inter dhe metatekstualitetin, me vetërefleksionin e tekstit, relativitetin e vlerave, skepticizmin e përhershëm. Ne u socializuam gjatë gjithë këtij procesi; dhe kështu na gjeti historia që filloi më 1989. Deri atëherë nuk kishim influencë në formimin e ngjarjeve, prandaj pse duhet të mendonim, asokohe, se e gjitha kjo nuk ishte tjetër veçse e shkuara jonë? Bradbury shkruan gjithashtu se viti 1989 nuk do të thotë fundi i historisë; kjo është ultra utopike. Ai do të thotë kthim në problemet kaotike të 45 viteve më parë. Ihab Hassan thotë se globalizimi i Heidegger-it dhe fragmentizimi i Lyotard-it janë të pavarur nga njëri-tjetri; që të dy si procese po e shtyjnë fundin e premtuar të historisë tutje e më tutje. Asokohe unë do ta kisha quajtur këtë një blof intelektual. Kam humbur javë të tëra duke u përpjekur të gjeja një përkufizim standard për Evropën Qendrore dhe Lindore. Asokohe, sipas konceptimit tim, kjo zonë shtrihej nga Baltiku deri në Shqipëri. Sot nuk do të guxoja të bëja të njëjtën gjë. Sikur të më duhej ta bëja, do të thosha se përgjithësisht nuk ekziston më një letërsi evropiane-qendrore dhe juglindore, përderisa zona jonë ka ndryshuar sipas kufijve të një Evrope shengeniane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.