Prapë në Durrës
Nuk e dua këtë Durrësin e ri që gati nuk e njoh fare pak. Dua atë tjetrin, kur me zërin që dridhej dhe zemrën që godiste fort, isha në kërkim të dashurisë
Artur SPANJOLLI
1
Ky qytet, me gurë tremijëvjeçar, dallgë dhe leshterikë nuk është thjesht qyteti, është gjithçka. Është e tërë bota ku unë pulita sytë dhe mësova të dashuroj. Është toka në breg, ku krejt i verbëruar nga mahnija, kripa, era e jodit dhe dielli bregdetar më futeshin në palcë. Prapë këtu. Por unë nuk dua këtë Durrësin e ri që gati nuk e njoh fare pak. Dua atë tjetrin, kur me zërin që dridhej dhe zemrën që godiste fort, isha në kërkim të dashurisë. Një ëndërr aq e madhe, sa humba në të, si anijet në Bermudë. Prapë në Durrës. Eci rrugëve me veshje të reja dhe nuk e di, jam i huaj unë, apo është i huaj qyteti. Sillmëni me duar të padukshme ato pishat e errëta të dashurisë, kur ulërinte hëna në mes të qiparisave, kur dashuria ngjyroste me bojëra të forta emocionesh, ditët. Kohë e largët e trazuar, kur çdo mbrëmje ëndrrash ishte një mrekulli e vërtetë emocionesh. Sillmëni zhurmën e atyre dallgëve dhe lotët e të pafatit që flijohej nga kripa e hidhur e trishtimit. Sa pus i thellë na qenka shpirti, të cilit kurrë më nuk i dilkërka fundi. Të kisha duar të fuqishme dhe mëndje hyjnore, do të doja të bridhja atje larg në kohë. Banor i një epoke tjetër, si në një udhëtim në kohë, do të doja të ecja tani, me hap romantik dhe funebër përgjatë rrugës me plepa. Asaj rruge që më mirë e njoh se vetvetja. Të ecja akoma me hap të përmbajtur, si në zi, ndërsa mijëra violina ngushëllimi do të britnin mes gjethesh. Të isha hyjnor! Do të zhytesha kryekëput, magjishëm në ato pasione djaloshare, kur me mjekrën plot puçrra dhe lotët e errët, shtrirë në rërën e muzgut, yjet do të numëroja me radhë, një nga një. Oh ec përpara, ti i vdekuri i saj kohe. Plot kob të zi zemra, ritëm funebër në ecje! I rëndë ai hapi yt. Tam, tam, tam, gjëmon një daulle. Kush është? Jam unë, shëmbëlltyra jote e atyre kohërave, dyzimi yt i cili kurrë vdes, por në kozmos jeton përjetësisht.
Dikur ti dije të qaje aq bukur, dhe ëndërroje si një hyjni, o trupi im, grirë nga dhimbja, tmerri i gjallë! Dikur ti ishe i Madhërishëm! Po! Fare madhështorë. Oh dikur, ti shpirt dashuroje edhe grimën më të vogël të rërës, çdo përshndritje shkume në muzg, shkruaje fjalë trishtimi mbi qiellin e përjetshëm dhe mblidhje perla guacash hyjnore. Rëra ishte letra gri, ku me një shkop shkruaje fjalët e ngazëllimit. Nëse një Zot nuk do të kishte për dëmshpërblimin, çmim do të merrnim vallë nga Përjetësia? Për ato lot, që depozituar janë në Qiell si i vetmi flori! Dashuria është veç ajka e jetës, o njeri!
Prapë tek ti Durrës, si ngahera. Tek ty mësova të ëndërroj. Sa gjëra mësova nga ti?! Miliona e miliona hektarë ëndërr, netëve të tua kur tërë botën e donim për vete. Brodha pa fund, si bujku i mirë që tokën zgjedh, unë mbi trupin tënd, shenjtërova gjithçka tënden! Me rruaza dashurie të zbukurova. Prapë tek ti Durrësi im. Bredharaku i dikurshëm u lodh ndoshta? Mjaft tani! Hesht!
2
Më ngjan ti qytet, si një varrezë kujtimesh, ku kohë e ikur veç kthehet tash pa mall. Ti shkollë me qiparisa që humbe dhe u trete; ti plazh i gjerë plot leshterikë braktisje në tetor, ti Vilë e heshtur në ag, ku u lozën drama pa dialogë. Ç’brengë e atëhershme plot diell të kursyer në mars. Ç’trishtim! Më ngjan ti qytet me dhimbjen e gurëzuar, si një gërmadhë, rrënojë “pompejane” plot nostalgji të cilën aq fort e desha. Fantazmë e zbehtë ku qiejt ngashëreheshin pa fund. Dhe qanin fushat në perëndim, zogjtë mbyteshin në vaj, trishtimi plot vetmi sublime mbushej. Oh linte vrragën e dhimbjes, gjithkund ulërima, si mos të arratisesha unë?! Shpirti, krejt i çarë më dysh si një shegë plot gjak. Gjithçka digjej zjarr. Fort dete, udhë e qytete kam parë. Gjithkund bukur është sistemuar bota, por askush nuk këndoi aq përmallshëm dhe nga fundet sa gurët e Kalasë. Mbi pilotat e Vollgës zhyteshim, tek Currilat kishim mall. Askush nuk u harrua me frikën e së panjohurës, kur dashuria si një demon i tmerrshëm me brirë, më shkundte aq fort.
Ti qytet, tani më ngjason me një njerkë, me lifting tënd. Ndaj veshjet e reja aq çuditshëm shëmbëllejnë. Unë banor i ardhur nga një kohë e largët, ndjehem sikur kam zhbiruar shekujt, jo vitet. Bukur, bukur, por dhe aq shumë, më nuk të njoh. Kur dhimbja linte brazdën mbi trotuar, sytë e dashuruar kishin veç mall. Je gjithmonë ti, ku çdo gur e bartte një kujtesë dhe çdo ëndërr e kishte një nënkresë. I dua prapë këtë mbrëmje të përzishme ata sytë e ngrirë nga tmerri i bardhë, dhe jastëkun plot lot, ku ngashërimi i vetëm ishe ajo vajzë. Akoma e dua. Për një çast hap i ngurtë oshëtinte mbi kalldrëm! Zi plot ar në atë yshtje të marrë. ” E pashë?! Jo. Sot nuk e pashë!” Oh Kohë e Madhe Shpirti. Bethovianja simfoni, kur brazdë e zemrës së çjerrë e të tronditur, kullonte veç gjak. Atëherë vleja sa mijëra ditë bashkë. Jetoja si i magjepsur në botën fantastik plot përralla ëndrrash. Nuk ishte nostalgji, veç shpirt i çelur, mahnitej aq shumë! “Kjo është jeta?!”, pëshpëritja me mosbesim. “Oh ç’ mrekulli!. Sa bukur lind drita kur i dashuruar zemra me hov hidhej. Oh, ar i verdhë plot feksje drite! Oh fantastikja bukuri!” Qaja larg nga njerëzit, nga kafshët, nga sytë kurjoz. Deri në Golem arratisesha në këmbë. Ku të ikja? Ku të fshihesha?! Ajo dashuria më ndiqte si djall!” Mallkim sublim, dhimbje e gjallë! Un dashnor i vjeshtës së verdhë, kur qielli çahej nga zjarri në perëndim. Ti ulërimë e mjerë. Ti madhështi sublime e zemrës së gjorë. Mëshirë, mëshirë! Hesht ti zemër e tërbuar krejt! Mos ki frikë! Askush nuk ka vdekur nga pasioni i marrë. Kisha frikë se mos çmendesha nga afshi i zjarrtë. Avuj të nxehtë tereshin tek sytë e mi. Për Zotin i cili është aq i Madh. Po aq sa njeriu është i marrë!
Te Vila e përjetësoja çastin. Sublimen dashuri! Pak dritë, pak dritë dhe liri, pas aq shumë lotësh skllavërie dhe zinxhirësh të hekurt. Si Sizifi e bartja gurin e çmendurisë, i magjepsur krejt çalltisja drejt dhimbjes. Unë, dashnor i marrë, rendja veç drejt skllavërisë. Më vrit, më vrit me lot ndër sy. Nuk ka ëndërr më të madhe sesa të vdesësh për zjarr. Oh. Më digjnin sytë, mua dashnorit, mbushur me gjethe vjeshte në muzg, erë të çmendur dhe heshtje, si i krisuri që pak paqe don, ikja kudo. Ty Durrësi im. Të kam dashur si ajo dashnorja kryeneçe, që për turp dhe sedër, hundëtkurrë nuk i ul; ndaj dhe prej teje u largova, si bukëshkalë a frikacak. I nxirë nga dielli në gusht, krejt i ngrirë nga frika, me sytë nga ballkoni i bardhë, me hap funebër dhe të trishtë, ç lamtumirë! Shkoja të derdhja lotët i heshtur gjithkund. Libër jete plot simfoni dritash, ti ishe qyteti im.
3
Prapë i dashuruar, gjithkund?! Oh çmenduri e radhë. Ti femër qenke si akrepi me helmin plot mjaltë. Qenke si dashnorja e cila me një dorë të godet kokës me çantë për tradhtinë dhe me tjetrën, prej kyçi fort të mban. Ti vajzë qenke pa shpirt! Ku të fshihem ku?! Se di për besë. Si një pije e fortë Ajo, më ka rënë kresë.
Prapë i dashuruar me alarm. Ore, nuk i pate thënë vetes se nuk bën për ty dashuria?! Ta shkelmon krejt kraharorin si thundër kali me hov. Nuk pate thënë se me të, si mes dallgësh ti vërtitesh?! I humbur krejt? Ore, nuk pate shkruar, se s’bën për mua dashuria?! Më trondit krejt?! Kush je ti që në hirin e ëndrrës vërtitesh si një fantom? A je dreq a je engjëll? Ç’do që krejt më pushton?! Dhe në ëndrra të plogështa më trondit, vërtit, krejt më katranos! Po! Prapë i dashuruar. Koka si tingull elektrik fort buçet. Rrufe pa ngushëllim. Herë jam i kthjellët si koha me diell pas rrebeshit dhe herë i turbull si moti para shiut. Nga humori yt varet jeta ime Hyjneshë. Prapë lakmoj zjarrin në kraharor. Iluzionin e dritës. Lumturinë me hua. Prapë hije e jetës së tjetrës?! Shëmbëlltyrë fantome. Prapë xheloz, me ankth pres që ora të shkojë?! Si s ecin minutat deri tek orë e takimit, si fare nuk ecin?! Takim me hyjninë! Dikur shkruaja bukur. Dija të shkruaja.
Zu e ra nata dalëngadalë nëpër udhën e shkretuar,
ku veç fëshfërin gjethisht e shndritshme edhe fryn plot trishti,
nëpër shpirtin e shkretë ndizet kënga e përmallshme,
dhe zgjon oh aq kujtime, edhe ëndërron aq dashuri.
Ç’buzë të bukura grash, sy plot shkëndija, vullkan në shpërthim më vijnë ndër mënd tani! Mbi lëkurën e tyre të gjithë këngët e parajsës doja t’i këndoja. Një nga një. Mbi gjokset e dashurisë ku drita lind dhe gjithçka e bardhë ndrin. Oh trupe të ëmbla harruar nëpër stinë, vite dhjetëvjeçar. Mbi ju dergjeshin meloditë e hutuara krejt dhe mbi ju flinte heshtur muzika e gjithësisë. Oh trupa të bukur grash. Prapë i dashuruar?! Po kur ndahesha, nuk e dija me ç ta mbushja kohën! Vetmia krejt do më vriste! I rëndë si plumb shpirti, çjerrë nga vetmia veç ulërinte! Jetoja dikur i tëri zjarr. I paaftë fare isha të frenoja vetveten. Ndjeja atomin e dritës, gërthisja bukurie, dhe më i lehtë se ajri rozë me flatra drite vërtitesha në muzg. Si krimbi i shndërruar në flutur, që mrekullinë e përtëritjes përjetonte, dhe unë çdo grimë të ekzistencës jetoja fort, në çdo çast.
Nuk e gjej më udhën për te shtëpia e gjyshes së saj! Ky qytet ka ndryshuar. Është bërë për ibret! Nuk e gjej . Nuk e gjej. Nuk e gjej! As bluzën e saj të bardhë me lule të verdha dhe fundin kaf, atë pranverë lumturie, 18 vjeçar. Nuk e gjej. Nuk e gjej, nuk e gjej. As qeshjen hyjnore, me mishin plot dritë, borë të bardhë. Gjithçka është asgjë dhe gjithçka. Ndaj nuk e di është e tërë bota brenda meje, o jashtë meje ndodh gjithçka?! Pa të shkuarën jam si truri i sterilizuar me klor. Krijesë shterpë që asgjë nuk mund të pjellë. Pa një shans ëndrre jam lehone. Nuk e gjej. Nuk e gjej dhe harruar kam të këndoj si dikur!
•••
Nëpër ëndërr shpirt i hijshëm,
prej së thelli dashuronte,
prej së thelli nis vajtonte,
duke qarë ndër lot malli.
M’u shfaq vajza bukuri,
Flokartë e syun e zi,
buzën e ëmbël mrekulli,
nëpër sy i shkrepej zjarri.
Dhe nis ecte nëpër rrugë,
plot nur të hijshmen bukuri,
vështrim ndrojtur duke qarë,
e shikoja plot hutim.
Dhe shpejt zë e këndova
nëpër qiell, nëpër erë,
prej zjarrit u dashurova,
dhe mbeta ngacmuar përherë.
Po vjen vajza për së largu,
porsi një hije krejt e zbehtë,
nis më zgjon prej gjumit t’vdekjes,
më ledhaton lehtë e lehtë.
Shpirti im i shuar krejt,
prej mallit të thellë që e breu,
buzëqesh e qan mahnie,
nis e tretet dhembshurie.
Dhe përqafohemi plot dashuri,
krah për krah e gji më gji,
lot i ëmbël ngazëlloi,
shpirt me shpirt, plot dhembshuri.
Jetë a vdekje përqafuar,
malluar thellë e shtrënguar,
gji me gji të magjiruar,
jetë a vdekje përqafuar.
Duke qarë aq dashuri,
duke puthur aq mjerim,
ledhaton plot ëmbëlsi,
dora jote shpirtin tim.