NJË FSHAT MË FANITET SA HERË
Një fshat më fanitet sa herë,
Një lumë, një pyll, pak shtëpi,
Dy rrugë të lidhura kryq,
Tri varre, një djep, një njëri.
Një hije më ndjek me një pjatë
-papare – më thotë – për ty.
S’ pipëtin asgjë mbi kalldrëm.
Veç varret tani mbetën dy.
Ah, ti, stërgjyshe e ngratë,
që do t’ më ushqesh si dikur,
por unë e harrova përrallën
e ti, dot s’ ma thua më, kurr’.
Ndaj kthehesh, çapitesh ti, leht’
E zhdukesh. As djepi s’ është më.
Unë rrugët mbledh mbi pëllëmbë.
Mbi shtratin e thell’, kryq t’i vë.
Një fshat më fanitet sa herë,
Pa lumë, pa pyll, pa shtëpi.
Një djep i bër’ shkrumb e një kryq,
Tri varre, një shpirt asnjëri.