SUSANNA TAMARO, NJË “FËMIJË I ÇUDITSHËM”

Susanna është një romanciere dhe regjisore italiane. Është autore romanesh, tregimesh, artikujsh në revista dhe e letërsisë për fëmijë. Romani i saj “Thuaj zemrës, po” (1993) ishte bestseller, i përkthyer në 44 gjuhë

Xhahid BUSHATI

U lind më 12.12. 1957. U rrit në Trieste. Familja e nënës ishte hebreje. Ajo është një e afërme e largët e shkrimtarit italian, Italo Zvevo. Prindërit e saj u ndanë. U rrit nga gjyshja e saj nga nëna. Ajo e përshkroi veten si një “fëmijë i çuditshëm”.

Susanna është një romanciere dhe regjisore italiane. Është autore romanesh, tregimesh, artikujsh në revista dhe e letërsisë për fëmijë. Romani i saj “Thuaj zemrës, po” (1993) ishte bestseller, i përkthyer në 44 gjuhë. Nuk pati pritje të favorshme nga kritika letrare, kur u botua për herë të parë, por siç e thamë u bë bestseller. Shiti 15 milionë kopje deri në vitin 2008. Libri përshkruhet si “libri italian më i shitur në shekullin e 20-të.” Që nga viti 2008, rreth 25.000 kopje ishin shitur në SHBA. Romani fitoi çmimin “Premio Donna Citta di Roma” në 1994. Në vitin 1996, regjisorja italiane Cristina Comencini, realizoi një film me të njëjtin emër bazuar te romani.

Për lexuesit e rritur, nga librat e saj në gjuhën shqipe janë përkthyer: “Thuaj zemrës, po” (Çabej, 1994) dhe “Përgjigjmu” (Onufri, 2002).

Susanna mori një bursë për të studiuar në “Centro Sperimentale di Cinematografia”, një shkollë italiane e kinemasë, ku u diplomua për regji në vitin 1977. Filloi të punonte me regjisorin Salvatore Samperi. Punoi si shkrimtare dhe redaktore në industrinë e televizionit për disa vite. Në vitin 1978 filloi të shkruante tregimet e saj të para. Romani i saj i parë “Illmitz” u përfundua në vitin 1981. U refuzua për botim nga shumë shtëpi botuese. Romani, më në fund, u botua në vitin 2013. Në vitin 1989, romani i saj “Koka në re” u botua nga Marsilio. Romani i dytë “Zëri i vetëm” (1991) fitoi çmimin PEN dhe u përkthye në disa gjuhë. Federico Fellini tha për romanin e saj të dytë: “Më ka dhënë gëzimin që jam prekur pa më vënë në siklet, siç më ndodhi kur lexova “Oliver Tuist” ose disa faqe të Amerikës nga Kafka.” Në vitin 1991, shkroi librin për fëmijë “Cuore di ciccia”. Nga kjo autore, letërsi për fëmijë është botuar “Zemër tuli”, është i pari libër i Tamaros i përkthyer në shqip për lexuesit e vegjël duke filluar nga mosha 8-vjeç. (“Zemër tuli”, përktheu: Vjollca Liri, Onufri, Tiranë 2002). Në një intervistë të vitit 2002, Tamaro e përshkroi veten si një ambientaliste dhe vegjetariane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.