TARA

Tregim

Afrim DEMIRI

Përditë shikoja në oborrin e shtëpisë së plakut Tara. Nga dritarja e vogël, hyja në shtëpinëmisterioze, në të cilën nuk hynte dot, asnjë i huaj. Dita – ditës, ajo, u pat ba për mua, një kornizë e ditëve verore, në të cilën pamjet ndërroheshin, varësisht nga lëvizjet e përditëshmërisë së fqinjëve, tëdajëve të mi. Nga të gjitha ato lëvizje që thureshin si fijet e padukshme që lëshon një marimangë, kishte diçka që nuk lëvizte, në asnjë rast të vetëm. Dita fillonte dhe mbaronte me pamjene plakut Tara. Shpesh harroja të zbrisja nga kati i dytë dhe ditë pas dite fytyra ime ishte bërë portret, në atë kornizë dritare. Derisa çdo gjë tjetër, si në ndonjë kaleidoskop përthehej nëmijëra ngjyra fafuritëse, nën hijen e dendur të arrës, ai zinte vend  me të le dielli.Lëshonte magnetofonin me  këngët folklorike, jehona e të cilave përcillej nga shpati në shpat.

  Në fillim nuk e kuptoja asnjë fjalë,nga ato kangë me za burrash, që shpesh ndërpriteshin me disa gërhama grithëse. Meloditë me ritëm arkaik më ngjallnin parafytyrimin e turmave protestuese që shkonin drejt një linçimi. Frika zinte fill nën arrën e Tarës, e merrte formë të një shtëllunge dhe më përplasej për fytyre nga frenxhia e shtëpisë dykatëshe, të ndërtuar me qerpiç.Rrjetat e marimangave më ngatërroheshin për flokë. Nga ajo dritare e vogël thyhej muri i zhurmës dhe  nga pasthirrmat e rapsodëve fillonte të derdhej gjaku dhe të dëgjohej troku i parakalimit të kuajve. Mesazhet e kangëve më vinin të largëta, tamam siç vinin nga kohët e shkuara, kurse fytyra e Tarës ndërronte pamje sipas ritmit të kangës. Herë-herë më dukej se vetë Tara po këndonte dhe zëri dilte nga ai, e jo nga magnetofoni i firmës gjermane “Grunding”.

 Të gjithëve Tara iu ishte bërë i padurueshëm me magnetofonin e tij. Krijohej besëtytnia se Tara me këngët e tija po ndillte zi për fshatin. Unë e përjetoja si të isha në një koncert dhe po vëzhgoja nga lartë. Për shumë kë, Tarës i ishte mbushur mendja se është vet heroi i këngëve kreshnike. Kurse fqinjët shpesh  merrnin malin, po si të  ishin kaçakët e këngëve apo muhaxhirë fati i të cilëve këndohej në ato këngë.

Tara jetonte gjatë. Çdo gjë duhej ta plotësonte epikën e epit. Edhe jetëgjatësia e Tarës. Për çdo verë unë vizatohesha në xhamin e dritares. Kangët filluan të depërtojnë në mua, por besa realiteti filloi të dalë nga kangët dhe të vërshojë në shtratin e lumit të shterur. Pyetja “ç’anë po knon ai zog i zi”, po merrte kahje. Po khehej si një shigjetë e zezë dhe po godiste zemrat e bashkëfshatarëve. Frika  se kangët e Tarës do të sillnin kob filloi të jetësohej.

Korrja dhe fshierja e grurit  me kombajë filloi të bëhet risi. Lama e kuajve po zinte vend në kujtime. Mirëpo kombaja e parë solli edhe vrasjen e parë. Sukajt e vranë  djalin  e Gavranëve.

Ajo verë u përgjak. Unë zbrita nga dritarja me bindjen se këngët e Tarës kishin faj që u vra Dili. Kisha dëshirë t’i prishej magnetofoni i Tarës. Tragjikja nuk jehonte më në vesh, por gërryente nga brenda, në zemër. Dilin e pashë të shtrirë. E pamja zgjati gati dy muaj. Tara gjatë asaj kohe nuk e kishte lëshuar muzikën.

Ndalja e kangës ishte një paralajmërim fatkob edhe për Tarën. Tara më nuk doli në oborr nën hije të arrës.  U dergj gjatë në shtratin  e tij prej kashte. Thonin se as mysafir nuk pranonte. Fliste vetmevete. Më shumë thonin se murmuronte, sikur të fliste me Dilin. Dikush nga të afërmit pohonte se po i përsëriste refrenin e këngës “ më mirë qiri i fikur se djalë i koritur”.Në një ditë mesbubullimash ishte varrosur trupi i tij. Lajmi për vdekjen e Tarës kishte bubulluar gjithandej. Unë humba kornizën e dritares dhe strehimin tim arkaik.

Prej kur vdiq Tara, pushimet më janë dukur më të zbehta. Sa herë dëgjoj rapsodi, më duket se po e shoh fytyrën e Tarës, e cila asnjëherë nuk ma kishte dhënë një shenjë të vetme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.