VARRIMI

Tregim

Teki DËRVISHI

Nga të çarat e dërrasave, në kaçorren ku fshiheshim, lehtë mund t’i hetoja njollat e gjakut, por ku ta merrja guximin të dilja përjashta e t’i lëpija. Në kazermat e Gestapos, ushtarët ngaherë kishin ikur me ato kryqet e tyre të thyer, dhe të gjithë qentë e qytezës kishin mësyrë aty që t’i lëpinin kutitë e thata të konservave në të cilat akoma mund të gjendej ndonjë pikë yndyrë për t’u lëpirë. I thashë Baloshit se diç e çuditshme ndodhet atje në qytezë dhe se nuk bënim aspak mirë që, edhe ne, nuk ishim atje, në mesin e shokëve tanë, në llavën e qenve të uritur që nuhatnin pas eshtrave dhe pas kutive të thata të konservave. Baloshi më tha se kështu, duke i futur hundët gjithkund, qentë tërbohen dhe pastaj sëmundja fashit ngado që t’i vijë era. Kjo më bëri të frikohesha, andaj nuk e luta më që të dilnim. Rrinim në kaçorre me ditë të tëra, gjersa krejt kurrizi na u ngjit për barku. I thashë pastaj Baloshit se edhe nga uria qenit fare lehtë mund t’i vijë bakcili i tërbimit. Ai u pajtua me mua, por nuk i mbushej mendja që të dilnim. I lutesha që, së paku, të dilnim dhe t’i mbllaçitnim ato plloha gjaku të derdhura në tokë, atje pas dërrasave të kalbura të kaçorres sonë, por ai frikohej në mos edhe në to, rastësisht, jetonte ndonjë bakcil i tërbimit. Kalonin kështu ditët dhe, më në fund, nuk ndiheshin më as krismat e pushkës, siç pushkallonin me radhë për tri e më shumë vite. Qytezën e kishte kapluar një amulli heshtjeje, që, vërtet, fliste për tërbimin. Por, për çudi, nuk na binte të dëgjonim, së paku një herë të vetme, ndonjë cijatje apo lehje qensh. Thuajse vetëm unë e Baloshi kishim mbetur akoma nga e tërë bota e qenve, e, edhe ne, aq të pafuqi e po aq frikacakë, thuajse krejt soji i qenve kishte vdekur e ngordhur rrugëve të përbaltura të qytezës, e kishim mbetur vetëm unë e Baloshi që të ruanim farën e tyre, duke heshtur e duke u frikuar nga ai bakcil i mallkuar i tërbimit. Nuk ma merrte mendja se mënyra si ruhej Baloshi nga ai bakcil ishte shumë fatlume. Po që se s’bënim diçka, po që se s’dilnim për të gjetur ushqim duke u rrezikuar madje edhe nga infektimi, me siguri se do të na priste tehu i ngordhjes nga uria. Por Baloshi mendonte se më mirë ish të ngordhnim të shëndoshë, se sa të rrezikoheshim duke fryrë barkun me ndonjë ndyrësirë që do të na sëmurte, e në atë gjendje tërbimi edhe të na bënte ta hanim njëri-tjetrin. Baloshi ishte më i vjetër dhe unë nuk guxoja t’ia ktheja fjalën, edhe pse më qe tharë fyti e shterë krejt barku urie. Prisnim kështu e nuk dinim se çfarë na priste. Baloshi ngriste herë pas here veshët e tij të gjatë dhe përgjonte përjashta kaçorres, në mos ndonjë njeri rrapëllonte rastësisht ndonjë konservë sardelesh a gaforresh. Por s’kishte gjë atje përjashta, në qytezë. Thuajse qentë e botës qenë shfarosur krejt. Dikur, atje larg, në kazermën e zbrazur, nisi një lehje e tmerrshme qensh. Baloshi menjëherë futi bishtin nën shalë dhe më tha se tërbimi, më në fund, qe përhapur në qytezë dhe se, në se nuk i mbledhim të gjitha forcat që na kishin mbetur e të iknim diku, patjetër do të infektoheshim edhe ne dy. Pastaj i zgurdulloi sytë dhe, me bisht nën shalë, nisi të ikte, por nuk ecte më shumë se një qen i sëmurë. Unë i shkoja pas.

Kur dolëm në rrugë, njeriu që rrinte pranë ulluqeve të ndotura duke ruajtur ujërat e tyre të njelmëta që të mos futej në to ndonjë i fisit tonë, na veneroi dhe na u lëshua pas duke u dhënë këmbëve me vrap. S’do mend se na zuri shpejt, por nuk guxonte të na ofrohej. Baloshi zuri t’i ngërdhucej me hungërima e me kërcëllimë dhëmbësh, por shihej qartë se kjo nuk e trembte njeriun. Ai veneroi fort mirë edhe barkun tonë të ngjitur për kurrizin e thatë, e besa, fort mirë i shihte edhe sytë tanë që s’kishin më as shkëndijën më të vogël të guximit, por shpërthenin nga ato dritëzat e tmerrshme të frikës. Po të mos frikohej nga mundësia se edhe ne mund të ishim infektuar nga bacili i tërbimit, me siguri, njeriu do të kërcente e do të na rrëmbente me të dy duart e tij prej katallani. Por, fatbardhësisht, frikohej, e këtë e shihnim qartë. Ne niseshim ngadalë përpara, duke dashur t’i iknim, e ai ngarendte pas nesh me nxitim; posa ne ndaleshim dhe Baloshi zinte t’i kërcënohej me dhëmbët e tij të mprehtë, edhe ai ndalej menjëherë dhe priste se ç’do të ndodhte. Por, nuk ndodhte asgjë e kobshme, kështu, duke ecur nga pak, e pastaj, duke u ndalur që ta kërcënonim njeriun katallan, ne grabitëm një copë të mirë rruge. Kjo, pa mëdyshje, e gëzonte Baloshin, por unë për vete herët fillova të brengosesha duke menduar se kah do të shkonim dhe se a do të na linte të qetë ndonjëherë ky njeri i çuditshëm e katallan që donte të na fuste në kurth.

Kështu deri terri rëndoi mbi qytezë. Ishte një natë shumë e ftohtë dhe kur koha filloi të sosej me aq përtesë, unë, që gjithnjë rrija prapa Baloshit që kërcënohej me dhëmbë, pashë se si shkëlqenin sytë e katallanit, i cili as nuk donte të na lëshonte e as të na linte të iknim. Kështu kaloi edhe nata, gjithnjë duke na përcjellë ajo dritë e çuditshme e syve të katallanit. Ata shndrisnin si sy maçoku në terr.

Në agim u gjendem afër telave me gjemba të kazermave të zbrazëta të Gestaposë dhe unë fort mirë ia pashë pushkën njeriut katallan që na përcillte. “E pat”, mendova, por shpejt më ra ndërmend se ai, po të kishe dashur, do të na kishte vrarë kaherë. Megjithatë, nuk besoja se kisha të drejtë, ndoshta nuk mund të na vriste vetëm e vetëm që të mos ndihej krisma e pushkës së tij, e nga ajo krismë të llahtarisej pastaj krejt nahija, edhe ajo përtej qytezës sonë. E pyeta Baloshin qasur me këtë, por ai ishte i zënë duke kërcëllitur dhëmbët dhe as nuk u lodh të më përgjigjej. E luta edhe një herë, por më kot. U binda se nuk e kishte ndërmend të më tregonte asgjë, ndoshta që të mos më frikonte, ndoshta që të më linte gjithnjë të shpresoja, ose, vetë djalli do ta dijë përse nuk ma tregonte Baloshi arsyen e çuditshme pse nuk na vriste njeriu katallan i cili gjithë natën na përcolli asnjëherë pa e hequr prej krahu atë pushkën e gjatë, madje as për sa çel e mbyll sytë. Pastaj mësova se për këtë duhej të kujdesej Baloshi dhe se ai do të më mbronte, duke e mbrojtur edhe veten, kështu që nisi të më brengoste përsëri puna e telave me gjemba. Tani që kishim ardhur në bythë të tyre, nuk dinim se kah djallin t’ia mbanim. Këtë nuk mund ta dija assesi. Nuk e dija, por as nuk guxoja ta pyesja Baloshin. Ai ishte aq i zënë me të kërcënuarit e tij, që i bënte njeriut katallan, sa edhe një shpërqendrim tejet i vogël do të ishte shumë i kobshëm. Rrinim ne, e rrinte para nesh, tërë gjysmë ditën e dytë, njeriu katallan, me atë pushkën e tij të gjatë, varur krahaqafë. Dikur i bëri disa hapa përpara. U zmbrapsëm, por duke shkuar skajit të telave. Si duket u gjet më në fund shtegdalja, mendova. Mirëpo, kur dielli edhe për disa ostena do të zbriste nën Bjeshkët e Nemuna, e kuptova se uria po na i shteronte fuqitë e se kazermat e lëna të Gestapos ishin të rrumbullakëta, që do të thoshte se ndjekja do të ishte e përjetshme dhe se nuk kishte shpresë aspak. Ky njeri katallan mund të na vriste me pushkën e tij kur të donte, por qe, e dija se të rrumbullakëta ishin kazermat dhe ai s’kishte pse ta çonte plumbin kot; nuk i ngutej burrit katallan dhe e dinte se ne, në mos sonte, natën që po vinte, atëherë me siguri nesër do të ngordhim urie, do të na tërbonte bacili i sëmundjes së qenve.

Kur ra, i dendur, edhe terri i natës së dytë, Baloshi më tha të kacavaresha nëpër telat me gjemba të kazermave të lëna të Gestaposë. Bëra si më tha dhe u gjenda matanë telave. Pastaj edhe Baloshi erdhi pas meje. Tani filluam të iknim nëpër terr drejt sheshit që ishte atje, te ndërtesa dykatëshe me kulm llamarine të bardhë që shkëlqente nga drita e hënës dhe, kur ktheva kokën prapa që të shihja sytë që shndrisnin si të maçokut, u binda se katallani s’mund të kacavarej nëpër tela dhe se nuk mundej as të shtinte, pasi që ishte terr i dendur. Sigurisht do të jetë penduar shumë dhe do të ketë plasur nga mëria.

Në sheshin afër shtëpisë me kulm prej llamarine që për tre vjet e më shumë qe vendbanim i Gestaposë, gjetëm disa konserva të freskëta, të sapoçelura, ku kishte pak yndyrë që ta lëpinim. Baloshi ma ofroi së pari mua e më tha se ishte shumë e freskët dhe, si e tillë, me siguri s’mund të ishte infektuar nga bacili i tërbimit. Pastaj shkoi duke nuhatur dhe u kthye edhe me disa të tjera që kishin yndyrë edhe më shumë se kjo që e lëpija unë. Filluam kështu të lëpinim, unë e Baloshi, gjersa na u kthye fuqia krejt dhe, pas një haje kaq të majme, më ra ndërmend se, tani, po na shkatërronte lodhja për një sy gjumë. Ishin bërë dy net e dy ditë që kur na ndiqte ai njeriu me atë pushkën e tij të gjatë dhe, vetëm pasi e ngopëm barkun dhe ikëm prej tij, na u kujtua se, pa e bërë një sy gjumë – s’mund të vazhdonim arratinë. Tani, nuk e di por mua më kujtohet vetëm çasti kur i hapa sytë dhe pashë diellin se si digjte nga kupa e qiellit. Baloshi akoma ishte në gjumë, kurse rreth nesh ishte grumbulluar një llavë e madhe qensh që na shihnin me habi. Cijatnin dhe i zgërdhinin dhëmbët e tyre, sikur nuk ishim edhe ne të fisit të tyre, sikur ishim ujq e jo qen. U dukej. Por nuk na ngacmonin. Ishin të urtë dhe unë u binda se asnjëri nga ata nuk ishte infektuar nga bacili i tërbimit. Kur u zgjua edhe Baloshi e rrethi u shpërnda pak, pamë se si, nëpër tërë oborrin e kazermës, ishin shpërndarë qindra e mijëra konserva peshku e gaforresh të freskëta, veneruam se si, secili nga qentë lëpinte nga një dhe kjo do të thoshte se të gjithë ishin të ngopur. Nga e gjithë kjo që pashë, u gëzova, por prisja të gëzohej edhe Baloshi, i cili nisi ta luante bishtin me nxitim e të cijaste në kulm të hidhërimit. “E patëm, e patëm”, mendova unë, posa ndjeva këtë cijatje të kobshme të baloshit, sepse, ndonëse kishim kaluar rreziqe edhe më të mëdha, kurrë s’më kishte rënë ta dëgjoja Baloshin të cijaste aq kobshëm. E pyeta pastaj, me sytë e mi të llahtarisur, e ai, sipas shprehisë, as kësaj here nuk m’u përgjigj fare. Me gjasë, nuk donte të më tmerronte, ose e dinte se edhe unë së shpejti do ta kuptoja të vërtetën.

Ta merr mendja. Aty kah mesdita, ai njeriu katallan ia behu në shesh, afër shtëpisë së Gestapos; në dorë mbante atë pushkën e gjatë të cilën nuk e shkrepte fare. Pas tij erdhën edhe shumë e shumë njerëz të tjerë, po ashtu katallanë, të cilët, sikurse edhe ai që na kishte ndjekur, kishin varur krahaqafë pushkë të gjata. Ata nisën të na trembnin duke na kërcënuar me pushkët e tyre, e ne të gjithë qentë sa ishim në oborr, prapa telave me gjemba, nisëm të dilnim një nga një nëpër portën e madhe për në rrugë. Katallanët na vinin pas duke na kërcënuar me pushkë, e ne i kërcënonim me dhëmbë. Ecnim pak e ata na vinin pas. Shumë ishin ata me pushkë, e pak ishim ne me dhëmbë. Ndaleshim ne. Ndaleshin ata. Bënin ata një hap përpara, ne iknim pak më larg. Ndaleshin ata, ndaleshim edhe ne. Kështu për disa ditë. Kështu për disa net.

Gjersa arritëm në det.

Leave a Reply

Your email address will not be published.