Është një pansion shumë i vjetër në Kamden Taun të Londrës, që ndoshta ekziston gjer më sot, ngaqë ka në hyrje të tij këtë nënshkrim: “Këtu kanë jetuar poetët Pol Verlen dhe Artur Rembo”. Kaq, pak fjalë, por mjaftojnë për të mbetur në histori
Grigor JOVANI
Ekziston një skicë-portret i poetit Artur Rembo. E ka vizatuar një poet tjetër, bashkëkombës, po kaq heretik – në mos më shumë – se djaloshi skandaloz, që shkruante vargje si profit dhe jetonte si personazhet e Hygoit, fotografuar në lumpenin më të errët të Parisit. Pol Verleni. Ç’i lidhte të dy, përveç talentit të madh dhe perversitetit të skajshëm? Dashuroheshin, prandaj dhe Verleni e ka vizatuar Rembonë si “ëngjëllin e butë” të Lorkës, diçka e ndaluar dhe e paaritshme. Si poezinë më heretike. Më tepër se ajo e Bodlerit.
Është një pansion shumë i vjetër në Kamden Taun të Londrës, që ndoshta ekziston gjer më sot, ngaqë ka në hyrje të tij këtë nënshkrim: “Këtu kanë jetuar poetët Pol Verlen dhe Artur Rembo”. Kaq, pak fjalë, por mjaftojnë për të mbetur në histori.
Nuk qëndruan shumë në Londër. Marrëdhënia e tyre e stuhishme kishte shumë stacione: Bruksel, Sharsvil, Paris. “Zana e gjelbër”, e cila u qëndronte mbi kokë në mënyrë shumë katastrofike dy poetëve, i shtynte vazhdimisht drejt një dashurie të çmendur, që u stigmatizoi jetën. Kudo ku gjendeshin linin shënjat e çmendurisë së tyre, bota që i njohu në këto çaste pasioni i karakterizon “të dhunshëm dhe të frikshëm”. Nuk ishin të pakta rastet, kur dy dashnorët e marrë, të mbërthyer në epshet e alkoolit, luftonin njeri-tjetrin me thika të mbështjellura me shami. Gjersa plagosej njeri prej tyre dhe ata ndalonin përleshjen, duke u hedhur në të tjera, në kënaqësitë e ferrit të tyre erotik. Pastaj, të shkrehur krejt, i dorëzoheshin asgjesë. Verleni, paksa i moshuar, me vështrim gati të shuar dhe Remboja, me fytyrë fëminore, si një ëngjëll i pistë dhe i turpshëm, me dëshirën e vazhdueshme për të provokuar të tjerët rreth tij.
Siç nisi, ashtu dhe do të mbaronte dashuria e tyre. Në mënyrë skandaloze. Ndodhi në Bruksel, pas një zënkeje të tmerrshme. Vetëm kështu mund të merrte fund një dashuri kaq absurde, kundër epokës dhe ligjeve të saj.
Goditjen e parë e dha Verleni, por shkaktar ishte Remboja, me ironinë e tij të përhershme. Verleni godet në fytyrë djaloshin me një peshk që mbante në dorë. Pas sherrit, dhunuesi largohet drejt një hoteli tjetër. Remboja, pasi kishte mbledhur rrobat e Verlenit në një thes, e ndjek nga pas. Gjenden përsëri të dy në dhomën e hotelit ku kishte përfunduar Verleni. Prapë nga e para. Zjarri kishte triumfuar përsëri, kësaj here më tmerrshëm. Pesëdhjetëvjeçari Pol nxjerr armën e tij dhe plagos të riun në kyçin e dorës. Ndërhyn ligji. Nuk mund të bënte gjithmonë një sy qorr. Verleni burgoset. Por ç’rëndësi ka kjo? Remboja, pa Verlenin, humb busullën. Rron kudo dhe askund, bëhet më skandaloz se më parë, gjersa vdes i lodhur dhe i pështirosur nga jeta, pa mbushur dhjetëvjeçarin e tretë.
Në Sharsvil ekziston shtëpia e tij e përhershme, nën dhe. Ironia e tij e pashembullt e shoqëron edhe në botën përtej. Duket edhe tek mbishkrimi mbi pllakën e varrit të tij: “Lutuni për të!” Ai që nuk iu lut askujt, që nuk pati nevojë kurrë për pekule.
Mbase këtu, tek kjo dashuri e pashembullt, e kishte fjalën një heretik tjetër, Serzh Gensbur, kur shkruante për t’u kënduar:
“Erdha t’iu them se po iki
dhe lotët e tu nuk do të ndryshojnë asgjë,
siç thotë aq mirë Verleni, me atë erën e keqe…”
Vallë, për kë e ka fjalën Verleni, për kë?
(Athinë, janar 2025)