Poezi: ALMA ZENELLARI

LETËR E PADËRGUAR

A e di se rrufetë e mallit tim për Ty, 
përplasen dhimbshëm brenda zemrës, 
e dashur motër? 
Dhe nëse ti vonohesh
këto rrufemalli një ditë do të ma ndalin zemrën.
Ndaj, të lutem mos e vono ardhjen tënde.

Përse nuk u bëre dallëndyshe këtë pranverë
të më cicërije dritares sime me një fjongo në sqep 
sjell nga fëmijëria?.. 
Përse kripëmjaltëza ime ?…

Oh, sa vite u bënë pa erën tënde,

lodhem t’i numëroj… 
Ndaj eja shpejt ta tresësh renë e mallit tim, 
ta prekësh me mollëza gishtash, duarsh,
ta ndjesh dhimbjen time vetmitare

tek rrëshqet syve, faqeve 
duke kërkuar prehjen.

Mos u vono, motër 
Mos eja atëherë kur fryma ime të kthehet ajër, 
sepse atëherë

do të jetë vonë.

METAMORFOZË GRUAJE

Unë jam një Beatriçe me sy të trishtë,

me zemër të përflakur nga dhimbja e harresës..

Unë jam një Penelopë

që harrova diku pëlhurën e bardhë

me shenja gishtash,

buzësh,

shpirti,

dhe era e vari si velë ullinjve të paqtë.

Unë jam Kleopatra,

që kurrë nuk rreshti të ndiqte yllin e zemrës së saj.

Jam një Karmen,

që fle dhe zgjohem e prushtë,

e ëndërrt,

e përkëdhelur me frymë dhe mall,

ngjizur nga limfa e bardhë…

Jam një trill, një orë e çmendur, një zanë,

jam dhimbja, marrëzia,

dashuria jote.

Jam shpirti i trazuar i kësaj bote…

A E NDJEN?

A e ndjen, 
si shëmben idhujt,
si rrëzohen ortekët e zemërimit 
kur unë të them “të dua” ?
Si tërhiqen skutave të errëta demonët 
dhe heshtin ?

A e ndjen, 
si shkrijnë akujt,
si bie pluhuri i dhimbjes nga sytë
kur unë sodis e etur me sy e duar fytyrën tënde…
Kur unë të puth 
dhe ti përndritesh i tëri si Diell ?

SI JO ÇDO GRUA

Dashurohem  përditë me ty,

edhe kur mes nesh hyn dimër i acartë.

Me frymën tënde mbush jetën time

gjelbëroj si pemë, kthehem selvia kryelartë….

Dashurohem me ty përditë,

me përrenjtë e dhimbjeve të tua, gjithashtu

edhe atëherë kur ndjej si shpërthejnë stuhitë,

si ndizen rrufetë e digjen syve të tu.

Dhe shpesh gjëmoj brigjeve të tua,
si valë e drojtur,  dallgë e trazuar, 
Por unë të dua jo si çdo grua, 

dashuria ime me frymë e gatuar.

MOS HARRO !

Nëse ti më harron…
edhe shiu do të harroj të ndalet,
dritareve do të zhurmojë me trishtim,
era do t’i thyej kërcejtë e gjelbër që porsambinë…


Nëse ti më harron, 
ditët e mia s’do të kenë më emra,
syve të mi do të shtohen re pikëllimi,

(si krahë lejlekësh të trishtuar).

zemra do t’gjëmojë nga thirrjet e humbura,
brenda saj e kuqja e zambakëve do të venitet. 


Nëse ti më harron, 
koha do të thinjet nga pritjet.

NDJESHMËRI

Më dhimbsen krahët e zogjve mbi pemë,

Kur bie pjalm i borës,

më dhimbset sythi ende i pambirë

ngjizur në zemër thellë tokës.

Kur bie pjalm bore,

më ngrin qerpikëve meraku për ty

ndjek lotin e kristaltë që rrugëton mbi xham. .

ti me gishta prej akulli më shkruan,

 “mos u mërzit, të kam xhan”.

MË DUHET…

Për të të uruar Ty,

më duhet të lëndoj kujtimet

të kafshoj plagët e mbetura 

nëpër hojet e zemrës,

që dikur hovte prej mallit,

dashurisë,

pritjes…

Më duhet të mbyll sytë

për të mos e parë më, rrezen e diellit

që zgjonte trupat tanë

mbështjellë me lëkurë dashurie..

Më duhet

të mos e shoh rënien e yllit tim

pagëzuar prej buzëve, syve, gishtave.

Për të të uruar Ty,

më duhet të harroj

mëngjeset me aromë bugaçeje,

shëtitjet këmbëzbathur thellë pyllit fletëgjerë

gjalluar nga puthjet e zogjve,

Më duhet të harroj tinguj, aroma, emra,

stacione, rrugë, shitore,

shtrëngime duarsh, shikime

ikje, fluturime.

Për të të uruar ty,

më duhet të mbys klithmat e shpirtit,

që çahet dhimbshëm

kur shoh pranë teje tjetër grua.

Më duhet të harroj vetveten.

të shkel mbi zemrën time,

për të të thënë

“qofsh i lumtur, pa mua”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.