Poezi: John Yamrus
POETI AKADEMIK
është përfshirë në
antologji të panumërta.
ai ka marrë bursa
dhe grante.
ai është i njohur si aktivist
dhe socialist.
ai aktualisht është duke botuar
një poemë goxha të gjatë
që do t’i ketë disa vëllime,
plot me referenca misterioze dhe të errëta.
të paktën një herë në muaj
citon Eskilin
dhe Pindarin.
ka botuar disa vëlime të bisedave dhe
eseve.
e luan për merak
këtë lojë.
gjithmonë është i sigurt të shtrëngojë
dorën e duhur.
ai po ashtu
kurrë s’ka pasur thua të thyer
dhe qeni i tij kurrë nuk ka vjellë në qilim.
faturat i paguan gjithmonë
s’ka bërë vaki
ta ketë humbur
ndonjë vakt buke.
çorapet gjithmonë i ka çift,
flokët gjithmonë të krehura
kurrë nuk ka bërë ndonjë gomarllëk
para familjes apo miqve.
edhe
poezia e tij
e dëshmon një gjë të tillë.
në të nuk ka shpirt,
nuk ka koqe.
është krejt boshe…
sall muhabet.
kur të vdesë ai,
akademikë të tjerë
do të diskutojnë për jetën e tij
dhe do t’ia analizojnë librat.
njerëzit do ta harrojnë.
kurse akademikë të tjerë
do t’ia zënë vendin.
dhe të tjerët
së shpejti do t’ua vendin zënë atyre.
kam frikë
se gjithmonë do të ketë
akademikë,
të buzëqeshur, me besim në vete
dhe të sigurt.
dhe kjo
është vetëm edhe
një arsye më shumë
se përse ju
absolutisht keni nevojë
për
dikë
si
unë.
POETËT E FACEBOOK-ut
duket se i kalojnë ditët
duke uruar njëri-tjetrin
për gjenialitetin e tyre
për bloget e tyre
për faqet e tyre të internetit
për fotot e tyre
për kafen e tyre
për drekën e tyre.
poetët e facebook-ut
kënaqen
duke e quajtur njëri-tjetrin poet.
krejt të obsesionuar
me ato pëlqime të kota,
mprihen
kot
se dikujt me të vërtetë
ia ndien.
KËTA POETË TË VJETËR HALABAKA
që shkruajnë poshtë e lart
“më pëlqeu poezia jote, a të
pëlqeu e imja?”
tingëllojnë
si dy nxënës
të klasës së tretë
që luajnë
kashelashë
pas shkolle
mbrapa kishës
Përktheu: Fadil BAJRAJ