POEZI: Olimbi Velaj
SA SHPEJT
Sa shpejt u tret veli i kaltër
në kohën që na shtang
në skelete numrash matës
që s’i lexon dot një fëmijë
Dinim aq pak për më vonë…
Më kujtohet si lëkundeshe
në siluetën tënde buzë rrugës
pastaj gishtat si dhimbje mbi xham
dhe një pafundësi e mjegullt
që ende më rrëshqet në tru si plazmë…
Oh, ç’nuk do të jepja
për atë mall që pikonte
në pasditen e vakët mbi peron
MBËRRITI PËRSËRI VERA
Mbërriti përsëri vera
me diellin e lartë si një kolonë therëse
U fundos edhe më
imazhi yt përftuar ngutshëm
në vende të humbura
Atëherë ranë në prehje gjymtyrët
të nxehtë nga lëvizja
gjer në mesnatën e brigjeve
dhe të bulkthave
U ftohën ngadalë
nën gjethet e ngrira kujtese…
Kështu të kam humbur
si një zbehje
e frutave të panjohura
që ranë në tokë
pa i parë një sy
Tani ndiej edhe një herë verën
me rërën e pafund në trup
KOHA VAZHDON TË SHKOJË
Pamjet zbehen
nëpër kohën që shkon mbi gjithçka
dhe s’mund të kujtoj më
fytyrën tënde, gjymtyrët, të qeshurën
Vetëm jehona janë zërat
dhe imazhe për të ringjallur
gjithë ç’qe e shkuar….
Është një betejë
midis gjithçkaje që kam
dhe bindjes se mrekullia kaloi
Pa praninë e askujt
koha vazhdon të shkojë
dhe pa nëntekste
Nëpër terrin tim të arsyeshëm
baresin kujtime të kristalta
me trajta iluzore e zëra
që vetëm dikur i pata
Prania mërgon pafundësisht
nëpër territore të reja
ku shirat shtypin ditët
dhe mesazhet deshifrohen
pa dritë natyrale, nëpër dhoma të ftohta
Ajri mbush vendet bosh të mungesave
dhe stinët shkojnë mbi qenie
pa rëndësinë e moshës
dhe zbehjen e trupave
humbur pafundësisht në të shkuarën
KUSHTIMI
Për ty gjithmonë do të qaj
përbrenda
me togfjalësha të gjymtë vajtojcash
që endin në ajër thirrje fëmijësh
që kurrë s’do të jenë bashkë
ashtu si ti dhe vetvetja
kurrë s’ishit
dhe katastrofat
s’kanë për të qenë më klithma
por çati të brejtura
ku mjegulla kullon
për në sytë e tu pendestarë
Ditët do të shurdhohen
në atë prag të vjetruar
nga një palë hapa të vdekshëm
Kurrë më s’do të të shohim
dhe funerali yt
do të jetë vetëm një lajm
si kjo histori
nisur befas
mes mungesës dhe hijes së fajit
ILUZIONI
Si një ushtar i gjymtuar
po kthehem, në këto vise të heshtura
ku fluturimthi qeshë nisur
Skeleti im tani fundoset
i paqartë, nëpër delire heronjsh
që kurrë s’patën rrojtur
Dhe e di
shumë vise kanë humbur
nëpër trokun e flashkët të kandrrave
ndërsa njerëzit binin
duke mos dyshuar për ngjitjen
E tmerrshme ish
stuhia e verbër e fatit
Si një dorë e lodhur ata ranë
në rërën e verdhë të hiçit
dhe u prehën
pa pranuar asgjë nga rrethanat
Në këtë stinë qeshë zgjuar
mes mizërisë së tyre
kur s’kishte më kohë
për paqen e mbrame