Poezi: Saranda Mehmedi
PËRKUNDJE
I
Nina-nana-n’djep-të-drunit
Nina-nana-n’djep-të-përrallës
Nina-nana-n’djep-të-fjalës.
II
Lëkundem…
Një dorë e zgjatur s’di nga ku
më përkund në djepin e heshtjes.
Në djepin e bindjes rri shtrirë…
dhe dëgjoj zërin që më përshpërit
e që më duket sikur është zëri im:
Flini sytë e mi, flini.
Flenë yjet në djepin e mjegullës së ngjeshur…
(dhe teksa në njërën lëkundje varet
një sy i verbër për gjithçka
e në tjetrën
errësira me rrënjët e vjetra
nëpër pëlhurën e përhimtë të mjegullnajës
shuhet drita.)
Flini veshët e mi, flini.
Flenë dallgët në djepin e erërave…
(dhe teksa në njërën lëkundje varet
një vesh i shurdhër për gjithçka
e në tjetrën kënga e sirenave
nëpër gjëmimet e stuhive
shuhen zërat.)
Flini mendimet e mia, flini.
Flenë dhimbjet në djepin
e fjalëve që duam të dëgjojmë…
dhe teksa në njërën lëkundje varet
përralla e qëndisur që magjeps
(gjithmonë e njëjta përrallë)
e në tjetrën frika
(gjithmonë e njëjta frikë)
nëpër cijatjen e këmbëve të drurit
varroset zgjimi.
Dhe unë fle si një foshnjë
teksa dëgjon murmurimën e ninullës që do,
anipse zëri që e këndon e këndon keq,
anipse fjalët nuk i kuptoj
unë megjithatë fle
ti megjithatë fle…
dhe ciatja e djepit
herë frikë, herë përqafim i ftohtë
bëhet hije
hije e rëndë që më përndjek…
Përkunden njerëz nëpër djepa fjalësh.
Nëpër djepa fjalësh përkunden njerëz.
Njerëz përkunden nëpër djepa fjalësh.
Më përkundin. Më përkundin. Më përkundin.
Por unë jam zgjuar…
dhe gjithçka që zgjohet
nuk është më njësoj.
KUR JETA MËSOHET PËRMENDËSH
Jetojmë tash
kur jeta mësohet përmendësh
si një vjershë
e shkruar keq
si një vjershë që duhet ta mësojmë
me zor
e ta recitojmë symbyllurazi
përpara klasës, me zë të lartë,
(paçka se dridhemi e s’dimë pse)
nëpër pluhurin e shkumësit në ajër,
afër koftorit plot thirr
duke shqiptuar nxitimthi
(nëpër rrokjet që na mbesin në fyt
bashkë me frikën se mos gabojmë)
fjalë të panjohura, fjalë që duhet
thjesht t’i shqiptojmë
fjalë që s’na lënë të mbushemi me frymë.
Përmendësh jeta është mësuar pothuajse
përherë
nëpër zërin e egër dhe kërcënues
të predikuesve e perandorëve…
Por tash
në djepin e përditëshmërisëkonsumeriste
plot lëkundje të vjetra e të reja
ai zë i egër është zbutur…
Toni i vrazhdë është shndërruar
në ninullë të zhurmshme por të ëmbël
plot fjalë të mëdha, premtime dhe papritshmëri,
plot nxitim, plot uri veç për t’u dukur
dhe revoltën
e
ka
mbytur
në
gjumë
të
thellë.
Dhe rritemi, rritemi dhe rritemi
zvarritemi, zvarritemi dhe zvarritemi…
Këpucët e jetës që na mësojnë
përmendësh
vrasin
shputat e mendjes, zemrës dhe kohës…
Thellë brenda vetes
mbesim fëmijë të trembur…
NË EMËR TË SHTËPISË, FËMIJËVE DHE BURRIT TË SHENJTË
“Shpija kërkon…
Fmija kërkon…
Burri kërkon…”
…dhe nëpër kallmin e kësaj formule
(më të shenjtë se çdo dogmë kishe a xhamie),
e tëhollon ditën ende gruaja e kohës sime…
Dhe duke mbrujtur brumin e durimit
duke ngjeshur vështrimet dhe përgojimet e egra
(që bota jashtë pragut të shtëpisë gatuan prore),
nëpër një refren vetëflijimi të panevojshëm
gruaja gjithë druajtje, përtyp një lutje …
Seç nëpërdhëmb kush e di?
Ndoshta u drejtohet mureve të shtëpisë që ofshamat ia njohin mirë,
(ku si rrjetë merimange
natën ka thurur ëndrrat e ditën vetë i ka fshirë?!)
Ndoshta u drejtohet fëmijëve ku ka varur shpresën për ditët me dritë…
Ndoshta i drejtohet burrit që mbi shpatulla bart barrën e vjetër të nderit dhe lavdisë!
Ndoshta i drejtohet Zotit që nëpër terr duart zgjat si mallkim,
(thellë brenda vetes ajo e di:
Zoti është një tiran
njësoj si një kler, si një mbret, si një patriark pa dallim)
Dhe qëndron e rrëzuar përdhe:
themel i robërisë së vete.
Dramë e gjallë, plagë e hapur, dhimbje e heshtur…
Gruaja, kjo statujë e copëzuar qëmoti
mbi të cilën tradita
hedh vallen e hapave të rëndë,
të gjembshëm.
… dhe gëlltit zërin e vet nëpër formulën
e saj të shenjtë…
“Shpija do…
Fmija do…
Burri do…”
Grua,
deri kur
kështu deri kur grua, fol?!
MALL
Më mori malli
më bëri flakë
që djeg gjithçka
përveç teje.
Më mori malli
m’i verboi sytë
nuk shohin gjë tjetër
veç ty.
Malli si majë mali
shpon shpirtin tim
më përvëlon zemrën
kujtimi yt.
DESTINACION
Dhe rrugë dhe rritje
dhe vetëm vjeshtë midis
nxitim
nëpër shtratin e një lumi
të tharë.
HISTORI
Një ditë
i mbylla veshët
vështrova
vështrova gjatë
pastaj i mbylla edhe sytë
dhe pashë përtej
flamujve.