Poezi: Uran Krasniqi

NË GJYQ ME VETEN

Si një të pandehur
Një ditë do ta marrësh veten në pyetje
Për të gjitha duart që i ke lënë të varura në ajër
Për të gjithë trupat që s’iu ke bërë krah
E për të gjitha rastet ku nuk ke shërbyer për të shtyrë

Si një prokuror akull i ftohtë
Një ditë do ta marrësh veten në pyetje
Për të gjitha buzëqeshjet që nuk i ke dhënë
Për të gjitha fjalët që nuk i ke thënë
E për gjithë dashurinë që e ke mbajtur

Një ditë do ta marrësh veten në pyetje
Përditë kujdesu që kur të vijë ajo orë
Të kesh sa më pak nevojë për përgjigje


FRIKË POSTFESTUM

Shpesh gjatë jetës më ka ndodhur
Që të frikësohem më vonë
Vetëm kur ai/ajo ata/ato kanë shkuar
Një të nesërme e di që do të kem frikë
Edhe për sot

ATENTAT

Nuk i frikësohem asnjë atentati të madh
Sepse u shpëtova plot atentateve të vogla
Atentate pa plumba e pa bujë
Po që ishin atentate
Atentate me fjalë
Me gënjeshtra
Me hipokrizi
Që kishin një formë vdekje
Pastaj çdoherë duhej ngritur
Duhej marrë veten nga plagët
Për t’ia nisur edhe një herë çdo gjëje nga fillimi

LUTJE NGA PROKRUSTI

Më kishte çuar fjalë Prokrusti mitik,
përmes ca korrierëve të sotëm politikë;
“Eja në shtrat ta bëjmë një ndërhyrje”
po i thashë: S’kam nevojë t’u bëj atyre.

Dhe ishte kthyer prapë për në Antikë,
që s’pranova ofertën e tij i dëshpëruar,
ndërsa unë do të ngel në të njëjtën pikë,
sa të mund të vazhdoj i pandryshuar.

EPOKA IME

Kur të vijë epoka ime
Do të jetë e gjatë
Shumë më e gjatë
Se pritjet e mosardhjes së saj

Kur të vijë epoka ime
Më e gjatë se e perandorëve do të jetë
E xhelozuar prej të gjithëve

Epoka ime
Askush s’e pret i gjallë

(Libi “Lule mes ndërtimesh të egra”, Prishtinë, 2020)

JETA

Nganjëherë jeta ka nevojë
ta blejë një pasqyrë
në tregun e rraqeve
Për aq sa nuk e sheh veten
bëhet më e shëmtuar
diçka si një njeri i keq
që ta ka zënë rrugën
e s’të lë të kalosh
apo edhe si një mut
që i është porositur njeriut
pa e pyetur  

ATLETIKË

 
Më mposhtën sprinterët
pesëdhjetë metra dolën më shpejt se unë
mbaroi thanë
dhe u çirrën para meje si kampionë
derisa unë fshija djersët e të mundurit
humbjen e pranova
shteg tjetër s’më mbeti
pos maratonës që ka dhjetëra kilometra
do të vrapojDUKE E KËRKUAR KOHËN E HUMBUR

 Nëse e shihni një djalë mbi të tridhjetat
duke ecur jo nga ecin të gjithë
mos mendoni
që ai nuk i njeh rrugët parësore
ai e ka arsyen e vet pse ecën mbrapshtë
mos e përqeshni
kur zë në thua e rrëzohet
ai e di vetë arsyen pse i ngatërrohen këmbët
lëreni të qetë
sepse ai nuk ka të bëjë asgjë me juve
ai është në kërkim të kohës
që i humbi (që ia humbën)
mundohet ta gjejë atë
edhe atje ku nuk është
qoftë edhe duke e humbur kohën e tashme


DIALOG ME JETËN

 Nganjëherë bëj dialog me jetën
a e di që përditë mendoj për gjërat që më mungojnë nga ti e pyes
hingirizet si kurvë
fort më shkon në nerva
më vjen ta shajë me nënë
sikur dikur kur rraheshim me bashkëmoshatarët
në versionin origjinal timin
(një gegnishte me aksent të Malishevës)
pastaj qetësohem
kthehem të provoj një diskutim si dikush që ka qenë dy ditë në shkollë
më mirë që s’m’i ke dhënë të gjitha i them
se në atë rast nuk do të kisha për çka të shpresoja
prapë hingirizet
e shoh që s’ke çka t’i thuash

Leave a Reply

Your email address will not be published.