Poezi: Fatmir GJATA
PUHIZË
Një puhizë po vjen nga deti bashkë me erë të trupit tënd
Mbi një pëndëz të shkëlqyer që valëvitet anë e kënd
Më sjell ca thërrmija gurësh të mbështjella në stërkalë
Sa të nanurisem pakëz e të dehem përmbi valë.
Një pulëbardhë më ndjek nga pas më këndon për dashuri
Pastaj më thërret në emër në mes diellit ngjyrë flori
Edhe zhduket aq vegimshëm pa lënë gjurmë e pa lënë hije
Saqë mbetem ngazëllyer i mbërthyer prej magjie.
Dhe përtej ca kaltërsive del sirenë prej thellësisë
Përshëndet me dorë të shtrirë më thotë rrugën e shtëpisë
E më sheh me sy përlotur plot dënesë edhe mëshirë
Pastaj hidhet përmbi dallgë ndërsa qiejt janë nxirë.
Si ta marr njëherë me vete gjithë kët qiell të vendit tim
Ta bëj shtrojë edhe mbulesë a shami për psherëtimë
E të mbetem tulatur nën një dallgëz duke qarë
Sa të vijë tjetër puhizë të më njomë synë e përtharë.
SHELGU PLAK
Buzë lumit nën një shelg fshihem ditës deri vonë
E shikoj valët të rrjedhin poshtë shelgut që loton
Por përsenë u bë kaq kohë se kuptova, nuk e di
Ndoshta qan se është vetëm, ndoshta qan për dashuri.
Nën të fshihen ca hajdutë, nën të fshihenë dashnorë
Fshihen njërëz të pashpresë edhe shpirtëra të gjorë
Numërojnë valën e turbullt tek shkon tej me qetësi
Edhe ndjekin hijë të rëndë gjersa bie errësi.
Nuk mësova kurrë njëherë se çfarë moshe ka vërtetë
Ish aty që në kohë tjetër ndoshta bëri njëqind vjetë
Buzë ujrash që lodronin bashkë me degë të rënë mbi tokë
Sikur ishin miq të vjetër sikur ishin gjithmonë shokë.
PËLLUMBAT E MI
Kanë dalë pëllumbat përsëri,
krahë lagur edhe mjerë
E shkojnë e ulen mbi çati,
po presin ca të tjerë
Gugasin fort e shkundin pendë,
thërrasin zogjtë në fushë
Pastaj zënë puthen në një kënd,
me sqepatë në gushë
E nisën, marin udhë të gjatë,
kush di vallë ku të shpie
Andej matanë nga pusi i thatë,
kënetës në një hije
Ndaj u thërras me zë të butë,
më merni në mes resh
Andej të fshihem si hajdut,
bashkë me një pëllumbeshë
Andej ku zhukat hedhin gjëmb,
përkulur ndën marinë
Dhe gjurmët treten nënë këmbë,
sikur s’njohin njerinë
E ulen prapë krahëshkruar,
oborrit mbi plepishtë
Këndojnë këngë për ne të dy,
e ngrihenë sërish…
I HUAJI
I huaj mbeta për të gjithë,
të zgjedh nuk ka kuptim
Për shokë të vjetër s’mbeti kohë,
e as për shokë të rinj.
Kush jam tashmë se di as vetë,
shyqyr që kam një emër
S’do kush ta dijë çfarë ke dëshirë,
ta dijë çfarë ke në zemër.
Këtu më njohin si fytyrë,
andej harrojnë me vrik
Ndoshta një vajzë kujtohet pak,
për djalin simpatik.
Ai që shkruante varg të ëmbël,
ku iku, kush e di!!??
Ka vite që se kemi parë,
vërtetë ish zotëri.
Por si ti them vajzës së bukur,
me trupin bardhë borë
Ai djali që premtonte shumë,
tani bën shërbëtor.
E ndoshta brengë e vrau keq,
është bërë një gjysëm hije
Këndej se njohin se kush është,
andej ndoshta një fije.
Po ç’rëndësi ka jeta ime,
për jetën s’më vjen zor
Kështu u rrokullisën punët,
me fatin djallëzor.
Prandaj kujtoj me mall çdo ditë,
kur nuk mendoja gjatë
Por bridhja fshatit i menduar,
bashkë me kalë mëzat.
Dhe shokë thërrisnin që andej,
ku je Fatmir, do vish!!??
Në breg të detit në dritë hëne,
a te selvitë në kishë.
E ndoshta prapë më thërrasin,
për mua ndezin qiri
I ndriftë zoti rrugë të kthimit,
pastë fat e dashuri.
TUFË ZOGJSH
Një tufë zogjsh e ndjek pas,
tek shkojnë bashkë në vëndin tim
T’ju them diçka por s’di të flas,
pse kurrë s’mësova cicërimë.
Ata më shohin të hutuar,
disa të tjerë plotë me habi
Ç’ është kjo krijesë e dëshpëruar,
që nuk është zog e as njeri.
Se nuk e dinë shpendët e shkretë,
që mall të bën të fluturosh
Të kalosh mal, të kalosh det
pa kohë të shkuar edhe moshë.
Me krahë të zhveshura pa pëndë,
në dhëmbë një fjalë të mërmërirë
Paçka se zogjtë thonë është i pamënd,
paçka se zogjtë ndiejnë mëshirë.
ERË
Më bëhesh erë e ngrohtë jugu,
bëhesh stuhi
Më kthehesh re e bardhë në udhë,
mbushur me shi
Dhe herë puhizë e përkëdhelur,
ohh të ndjek pas
Bashkë me tufane të paemërt,
plot me maraz.
Më fryn mbi trup të përvëluar,
më djeg të tërë
Kur dielli kap zenith me duar,
e shkon të flërë
Dhe atëherë harbon mbi flokë,
zë loz me fije
E sjell aromat që kam dashur,
me erë magjije.
Më bëhesh erë e ftohtë veriu,
mbi mal në shpat
Sa lind pak mjergullë e zbehtë,
e mbulon fshat
e se pres dot
Të bëj shami për lamtumira,
edhe për lot.