Poezi: Jorge Luis BORGES

THJESHTËSIA

Për Haydee Lange

Porta e kopshtit është hapur

aq lehtë sa faqja e kthyer

e hetuar nga devocioni i rregulltë

dhe pasi të hysh brenda,  kundrimet tona

s’kanë nevojë të fiksohen në objekte

që tashmë ekzistojnë plotësisht në kujtesë.

Jam i mësuar me zakonet dhe shpirtërat

dhe me atë dialektikë aluzionesh

që çfarëdo tubimi i njerëzve thur.

Nuk kam nevojë të flas

as të pretendoj privilegje të rreme;

ata që më rrethojnë këtu më njohin mirë,

ma njohin mirë dhembjen dhe dobësinë.

Kjo është për të arritur gjënë më të lartë,

që ndoshta do t’na jepet nga Parajsa:

jo nderim ose ngadhnjime,

por thjesht për t’u pranuar

si pjesë e një Realiteti të pamohueshëm,

sikur gurët dhe pemët.

UNË JAM

Unë jam ai që njeh veten jo më pak të kotë

se shikuesi i kotë i cili në pasqyrën e

xhamtë dhe të heshtjes ndjek pasqyrimin ose

trupin (është po e njëjta gjë) e vëllait të vet.

Unë jam, miqtë e mi të heshtur, ai i cili di

se nuk ka falje ose hakmarrje më të madhe

se harresa e plotë. Zoti na ka dhuruar këtë zgjidhje

të çuditshme ndaj të gjitha urrejtjeve njerëzore.

Përkundër bredhjeve të mia të mahnitshme të shumta,

unë jam ai që kurrë nuk e ka zgjidhur

labirintin e kohës, njëjësin, shumësin,

ndëshkimin, të pashpjegueshmen, e vetvetes dhe të tjetërkujt.

Unë jam askushi. Unë nuk e kam përdor shpatën

në betejë. Jam jehonë, boshllëk, hiçgjë.

Përktheu: Fadil Bajraj

Leave a Reply

Your email address will not be published.