Bob Dylan
USTALLARËT E LUFTËS
Ju ustallarë të luftës,
që i prodhoni të gjitha armët
ndërtoni aeroplanët vdekjeprurës
prodhoni bombat e mëdha,
fshiheni aty pas mureve
e sorollateni rreth tryezave;
ta dini se mund t’ju shoh
fare mirë përtej maskave tuaja!
Ju nuk keni bërë kurrë gjë tjetër
veçse keni ndërtuar për të shkatërruar,
ju merrni në duar botën time
e lozni me të sikur me ndonjë marionetë,
ju, ustallarë lufte, më ofroni sall armë
dhe ikni nga vështrimi im,
mandej kur plumbat fluturojnë rrotull
ia mbathni e strukeni shpejt.
Si Juda Iskarioti gënjeni e sfrutoni
llomotitni se bota fitohet me luftë
rrekeni t’ma mbushni mendjen me çdo mjet,
por unë fare mirë mund t’ju dalloj
dhe t’jua zhbiriloj mendjet tuaja,
njëlloj siç shoh ujin që rrjedh nga tubi im.
Ju jeni ata që këmbëzat i tërhiqni
ndërsa të tjerët mes vete batërdisen,
më pas bëni sehir për shtatë palë qejfe
dhe kur vdekjet shtohen ndjeshëm,
përdridheni në vilat tuaja
teksa gjaku i të rinjve përskuq tokën
e më pas shuhet i varrosur në baltë.
Ju keni përhapur frikën më të llahtarshme
që mund të ndihet ndonjëherë,
lindjen e fëmijëve në këtë botë mizore!
Ju e kërcënoni foshnjën time
ende të pa lindur, të pa emër,
sepse keni gjak të mallkuar
që ju pluskon nëpër vena!
Jam ende i ri dhe flas pa kërkuar leje
e ju mund të thoni se jam riosh i marrë
që s’di se ç’flet – por unë e di mirë,
megjithëse shumë më i ri se ju,
se edhe Jezusi vetë s’do t’i falte të bëmat tuaja!
Pa më thoni, ju lutem,
lumi i parave tuaja, a mund ta blejë faljen?
Mendoni se mund të bleni çdo gjë?
Vetëm kur vdekja do t’ju troket në portë
do ta kuptoni se gjithë lekët e grumbulluara
shpirtrat s’do t’jua pastrojnë!
Dhe kur t’ju trokas vdekja vërtet
arkivolin tuaj do ta përcjell
në ndonjë pasdite me peizazh të zbehtë,
do të shoh si ju shpënë në shtratin e vdekjes
duke qëndruar aty sipër varrit
gjersa të sigurohem se s’mbeti gjë nga ju.
1963
Shqipëroi: Bujar Meholli)