Poezi: DURIM ÇAÇA

SARABANDA DHE VILANELE

MADRIGAL

muzgu që bie në terr

si gjoksi i një kali të zi në luftë

ah, s’ka asnjë kujtim

sado i ndritshëm të jetë

që të mos shuhet

t’dashurosh gjurmën e një trupi në rërë

më shumë se sa gruan

që ka qen’ shtrirë në të

me gërshetat e zinj t’valëzuar

që shpërhapen si hardhitë

e reja në kopsht

e gishtat delikatë me nuancë

të kuqe zëmbakësh uji

në maj

nuk ka asnjë kujtim t’mos shuhet

sado që të jetë

 i flaktë

buzëqeshja e vajzës që shkoi

si presa e ndritshme e një shpate

atje ku e shkuara shkon përgjithmonë

paj, tehu i mprehtë i gulshit të epshit

e kënga e gjinkallave që bie si një shi

i beftë nga qielli i verës

palca e eshtrave tona kthyer në vezullim

venat e gjakut n’fije zjarri të vrulltë

po s’ka asnjë kujtim

sado të jet’ i dhembshëm

që të mos shuhet…

SARABANDË, 1  

përbëhet prej shum` të tanishmeve

gjithëherë një “përgjithmonë”

përplasja e qerpikëve si krahët e kolibrit

kujtesa e fortë e gjakut

tonë

gruaja me flokë uji nën diell

e nxehtë si një shkurtë në afsh

hapja e dritares gjerësisht

për të pirë gjith` ditën e marsit

lulëzimi i bardhë i pemëve

si qumështi i gjirit të tokës

që rrjedh

kthesat fisnike që vizaton një çafkë

përgjatë qiellit në muzgun

e qetë

ah, se gjithmon’ një “përgjithmonë”

përbëhet nga shum` të tanishme

“sërish e sërish shtrirë të dy poshtë

midis luleve ballë për ballë

me qiellin”

të jesh në ekstazë e iluzion

si një mënyr` për të theksuar stilin

nuse është emri që i thërras një vajze

një fluture, një peme molle

një ylli

e dëshpërimi që detyrohet e mediton

se duhet të zgjedhë midis gjakut

e lotëve

përbëhet prej shum` të tanishmeve

gjithëherë një “përgjithmonë”

e blerta blu-marine e Bryzhit

kulti i formës si esenc` e thelbësores

parfumi i njom` mbi krahë, nëpër trup, i gruas

parfum prerie e bari të thatë ngjyr’ jargavani

afër flokëve…

SARABANDË,  2   

lër gjithçka të të ndodhë

bukuri, hov, tmerr *

lumturia më e madhe në botë

që ësht` ajo e një iluzioni tjetër

Buda në lavdi, forma e ujit

hareja e virgjër e luleve

dehja e bletëve

dashuria e thell` që ësht` të shohësh

te një njeri i përditshëm bukurin` e përjetshme

yllësimi, shkulmi, humnerimi, lulësimi

misteri me themele n`mungesën si prani

tramundana që merr gjethen e vyshkur

të mendjes

ah, ashk, shend, llahtari

gjithçka të të ndodhë, lër

sytë që duken ëmbëlsisht tragjikë

lajthia që këndon n`gjuhën tënde

aromën e vet

lavdia e buzëve, e trëndafilëve të kuq

si flakë që burojnë nga toka në vesk

retë ornamentale, këngët e dëshirimeve

gremina e dridhshme në natën e botës

puthja e ballit të gruas me delikatesën e zefirit

e solemnitetin e Solomonit

marrëzia e hershme e asketizmit

forca e jetës që gjendet te gjuha e shprehjes

lër gjithçka të të ndodhë

bukuri, hymn, tmerr

melankolia e qëndresës së vonë

dinjiteti i qetë i dhembjes

ngrohtësia shtypëse e zjarrit dhe afshit

në vatrën e kasolles së kreshtës

e njeriu që përgjunjet vetëm kur falet

a për të njohur vetveten…

VILANELË,  1    

çdo gjë ësht’ e thjeshtë

si mësimi i puthjes

vezullimi i zjarrit të brendshëm

drita e zambakut të fushës

vallja shamanike n`ujvarë

struktura sintaksore e realitetit

tingëllimi i kudhrës së farkëtarit

dija jonë e përsosjes

ah, se një me lumin e qenies

lotët e ëmbël të rinisë

lotët e njelmët të të vjetërve

porsi mësimi i puthjes

seç ësht` çdo gjë e lehtë

përplasja e valëve në shtuf

firoma e amësht e bisqeve

ajthi i mallit mes shkulmesh

kurmi i vajzës së vogël

me arom` luleshëngjergji

bota që përbëhet nga fjalë

bletët nëpër arin e kolzës

t`folurit me saktësin` e rreptë

që kërkojn` çastet e fundit

seç çdo gjë, paj, e thjeshtë

si mësimi i puthjes

jeta që na krijon ngaherë

t`rrojturit për mall e kujtime

violina e trupit të gruas

n`tinguj gishtërinjsh afshi

floriri vjeshtor i vidheve…

VILANELË,  2     

kur çlirohem nga ai që jam

bëhem ai që mund t`jem

visi i largët mjegullor ndriçuar e rrënuar

nga dashuritë e dhembjet

burbujë krahësh gugurues pëllumbash

tek përplasen n`shend në një ftua

të gjelbër

përmallje e egër n`kërkim të diçkaje absolute

që bashkon fjalë, si: baba`, Zot, det, dëlirje

vdekje, poemë, ajth, vuajtje

përshkënditje përlotjeje e melankolisë

së re të mugët

ah, se bëhem ajo çka mund t`jem

kur çlirohem nga ajo ç`jam

dije e të shenjtëve që buron

prej përvojës së vet mëkatare

shtëpia e shkret` kur ikin përgjithmon` qeniet

që u dashuruan e u plaguan

brenda saj

energji e brendshme për tmerr si një përzierje

fuqie kozmike, urrejtjeje, afshi

trishtimi, hareje

kur çlirohem nga ai që jam

bëhem ai që mund t`jem

dalldia epshore e heroit

n`çastin më të rrezikshëm të betejës

magjepsje që jep humnera e errtë natën me hënë

ndërliksje dëlirësie e sensualiteti të fshehtë

stuhit` e mëdha që ëndërrojn` detet kur flenë…

___________

* Sarabandë, (nga spanjishtja: zarabandë, lloj valleje popullore spanjolle e shek. XVII), suitë në muzikë, kompozim që përbëhet prej kohësh kontrastuese, epike dhe lirike, ndërthurur me njëra-tjetrën. Në rastin tonë, të përdorimit të këtij termi, si emërtim i këtij cikli lirik, (ashtu si në cikle të tjerë: lid-e, samsara, vilanele, etj.), është thjesht si element formal estetik, pa patur lidhje me strukturën e këtij zhanri artistik.

    *Vilanelë, (nga italishtja- villanella), këngë ose valle e kënduar popullore e traditës së hershme italiane folklorike rustike, ( me përmbajtje fshatarake e pastorale), e ndërtuar me 19 vargje, 5 tercina dhe 1 katrenë, ku vargu i tretë përsëritet si refren në strofën e tretë dhe të pestë dhe po kështu persëritja e alternuar e vargut të tretë përkatës, e strofës së dytë në strofën e katërt, dhe të vargjeve refrenë, si reprizë në katrenën përmbyllëse. Vilanele të bukura kanë shkruar dhe poetë të shekullit XX si, ata anglezë: D. Tomas, Ë. Auden; amerikanë: E. Arlington Robinson, E. Bishop, S. Plath, etj.. Në rastin tonë, të emërtimit të këtij cikli tonë lirik, vilanelë nuk ka lidhje me strukturën përmbajtësore- ritmike të kësaj tradite folklorike, por është përdorur thjesht si element formal estetik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.