POEZI:Marsela NENI
TI QË MË DO, VRITMË I PARI
Ti i shtove ngjyra tokësore
qiellit tim
që atëherë penelatë e pezullt mbeta
as dhé – as re
pupël e nderur në bebe të syve
çastndalur.
Si vallë të jem ajo që s’jam
e të mos jem ajo që jam?
Ti, ti që më do
merre pyetjen e Çehovit dhe si heshtë
ngulma në brinjë:
“Mos vallë po e mashtron lexuesin…?”
Ti, ti që më do
duhet të më vrasësh i pari,
para se të të vras.
NË MUNDSH TË MË KRIJOJE EDHE NJË HERË
I.
Eshtërpërvjedhur,
pëlhurëmishtë,
Sytë- pasqyrë të përtejme
bota të kish,
Gji nazemëndafsh,
gushë cipëfildish,
Flokë limanprehje
si mes resh të ish.
Këmbësorkadhe praruar
pyjesh të trishtë,
Ku dehet parajsa
me alkimi magjish.
Arsye e gjykim,
mprehtësi më dhe,
një zemër të madhe
që dhe botën e nxé
Ndjenja të bardha
lotë, mall, zjarr,
gjuhë magjiplotë
që dhembjen ndal.
vullnet të lirë,
hare e dhunti
brishtësi fizike
forcë e butësi
Engjëll i rrëzuar
në ligësi.
II.
Kur gruan krijove, o Zot,
ç’mister, ç‘mrekulli,
si vallë s’mendove
për një palë sy,
mashkullit t’ia jepje, …
të më shihte si TY?!
III.
Në mundsh, o Zot, të më krijoje
për së dyti dhe një herë
do mundje vallë të më ribëje
Të bukur, por kaq të mjerë?!
BURRAT S’E KËRKOJNË DASHURINË
Burrat s’e kërkojnë dashurinë
ata duan të posedojnë
janë kaq lakmitarë
harxhojnë paranë
por kursejnë zemrën.
Burrat, pasi eksplorojnë,
ngulin shkopat me flamujt vetjakë
dhe deklarojnë “tokë e zënë”
kjo s’ i ndal, nëse do mundeshin
çdo natë do ta zinin një tokë të re.
Ata janë fëmijë marrokë të rritur
dhe një grua e bukur është për ta
pasqyra e Narcizit ku shihen
dhe u pëlqen vetja.
Burrat s’e kërkojnë dashurinë
por kur ajo i gjen, vdes burri brenda tyre
dhe lind Njeriu.
PRITJA
Të kishe sy për të më parë,
nën lëkurën e fildishtë
nuk më rrjedh gjak në damarë,
por një hare e trishtë.
Vdekjet e bukura të çdo çasti
si nëpër gjethe bien në vjeshtë,
përhumbur në pyje krijimtarie,
të pres të vish, si qindra herë!
Marroset vargu nga vetmia,
vallëzim me ujqërit nis e hedh.
me hënën fjalë numërojmë tespia:
-Shko të flesh!-më thotë -Nuk vjen!
Ah! Të kishe sy për t’më parë,
nën lëkurën e pranvertë…
pritjet si gurë palë-palë,
ngrihen rreth meje kështjellë.
SI BATICË DO VIJ NË BUZË
Detin e lotëve mbledh në një shishe
në të një varkë nis në lundrim
dëgjohen këngët e sirenave
unë jam vela kredhur si floknajë në erë
deti im nuk është i qetë
si poezia
një albatros s’më lë vetëm
për njëfarë kohe
në mëngjes të vdekur e paskam gjetur
në prehrin tim
stuhia nis, dikush pranë vetes më mbledh
në cilin breg do ta gjej të nesërmen
ti lexomë në harta zvogëluar disavargëshe
zhytur në lëngun e shishes sime
si baticë do të vij në buzë
çdo valë e imja, çdo dallgë deti
asosacione të reja do të të sjellë
dhe ti s’do dish puthjen e kujt përpive
varkës, velës, stuhisë a albatrosit të vdekur
nga lakmia jote
një ditë do të zgjohesh me ethe deti në zemër.
RUHU DJALË NGA VASHAT SY BLU
Ti mahnitesh
me sytë e mi të qelqtë,
kur një buzëqeshje
retë e trishta krejt i heq.
S’di me çfarë të përngjasin,
ca pak mendueshëm rri
Vallë janë cifla qielli
përhumbur në pluhur gri,
apo yjz të humbur
qiejve, në pafundësi?!
Ti vështromë i pafrymë,
por veten mos e humb krejt,
për gjëra që s’janë tokësore,
nuk ka etiketë.
Sytë – portë e shpirtit janë
që vjen nga të tjera botë.
Në ke frikë të duash
mos trokit kot!
***
Ruhu djalë, nga vashat syblu!
Ato shohin yjet, jo ty!
UDHËTAR I PASOSUR
Veten braktisur në mëshirë të fatit
mbi varkë oqeanit të pafund,
lopatat në thellësi i kam lëshuar
vala heshturazi më përkund.
Mall i pakuptuar këmishë e trishtë
veshur shpirtit kur mbi sy yjet më flenë,
veç me flokë mbuluar trupin tim të brishtë
ndër zhuritje buzësh etja ngre folenë.
Hijen time kam mikeshë të paçmuar
sa kam atë hënë e diell ka,
dhe kur netët qiejt i kanë turbulluar
një këngë në zemër vigjëlon si flaka.
Shkujdesur me agun zgjohem ndër supe
e lakuriqtë me veten në sinqeritet,
befas kuptoj që unë jam veç varka
ti je udhëtari i pasosur që frymëzimin pret.
GJERBË MALL
Qëmton shi
Mbi floknajë
Mbi ndjesi
Mbi varg
Shqep kujtimet e qepura
visoreve të zemrës
Gjerbon shi
n’atë oazë brenda meje
ku të strehova ty
Gjerbon mall
fërkoj dy eshtra prej tij
ndez zjarr me fjalë
Malli im i bardhë, perlë e rrallë
mes dy heshtjeve, ishullohet.
ÇEL-TI-NË
Ja! Atje tej! Kur yjet shuhen
Atje-jam e shoh një çeltin’
Ku hedhin valle shtojzavallet
Shtoi-o-Zot-vallet e shpirtit tim!
Aty, në atë shteg rrethuar driza,
Në gjuhë, o mik, e kam shtëpinë
Në do të shoh, në do përfare
Më harro! Kalo! Ti ik!…Ti prit!…
Kur zërat shthuren me mëngjesin,
kulloshtër e qenies ar-t-pikon.
Kullo një vesë-puthje ndër petale,
nga shteg i vetes që më harron!
Ja! Atje tej! Kur ndizen yjet…
Atje-jam e afër të ndiej çeltinë!
Ku hedhur lozin shtojzavallet,
përshfaqe o Zë, gjithë bukurinë!
(Nga përmbledhja poetike “Nantë herë grue”)