Poezi: Nizar Kabbanin
DO TË TË THEM TË DUA
Do të them se të dua,
Kur të ndjej se, toka ka nevojë për ty që të rrotullohet
Kur kallinjtë e grurit, të kenë nevojë për ty që të zihen
Kur stinët që të këmbehen ,të kenë nevojë për ty,
Kur burimet të kenë nevojë për ty, që të gurgullojnë,
Kur qytetërimi të ketë nevojë për ty që të mbërrijë,
Kur zogjtë të kenë nevojë për ty, që të mësojnë fluturimin
Kur fluturat të kenë nevojë për ty, të mësojnë se si të pozojnë…
Kur unë për të përmbushur porofecinë time,
Të kem nevojë për ty
NJËQIND LETRA DASHURIE
1
Vallë, cila je ti moj grua ?
Moj e futura si kamë, në historinë time të jetës.
Moj e bukura, si sytë e lepurit
Moj e buta , si pushi i pjeshkës
Moj e brishta si degë jasemine
Moj e pastërta si gushore fëmijësh.
Moj e mahnitshme, si fjalët…
Dil nga fletët e fletoreve të mia.
Nga çarçafët e shtratit tim.
Hiqu nga filxhanët e kafeve,
Nga lugët e sheqerit, dil.
Dilmë nga kopsat e këmishës
Nga të palosurat e shamisë së dorës
Nga furça ime e dhëmbëve
Nga shkuma e sapunit të fytyrës…
Dil nga të gjitha gjërat e mia të vogla
Që të mundem të dal për në punë…
Sa herë udhëtoj në sytë e tu,
2
Më ngjan se shkoj mbi qilim fluturues.
Në peshë më ngre, një re prej lulesh,
Kur ti ma sjell shpirtin si det.
Dhe sillem, sillem e dashura ime,
Rrotull teje, porsi planet.
3
Ti nuk ke kohë reale jashtë frymëzimit tim
Unë jam koha jote .
Nuk ke përmasa të prekshme, të qarta
Jashtë shtrirjes së krahëve të mi.
Unë jam çdo dimension i yti!
Jam perimetri rreth gjoksit tënd,
Jam këndi i formuar nga kulmorja jote
Jam vija jote e lakuar dhe e drejtë…
Dita që hyre në pyjet e gjoksit tim
Është dita që hyre në liri
Dhe dita që dole u bëre robinjë,
Nën urdhërat e më të madhit të fisit.
Unë të mësova emrat e pemëve
Bisedat e brumbujve të natës…
Të dhashë titujt e yjeve të largët.
Të çova në shkollën e pranverës,
Të mësova gjuhën e zogjve.
Dhe alfabetin e tyre pranveror.
Unë të skalita në fletoret e shiut,
Në çarçafët e borës, në boçet e pishave
Të mësova gjuhën e lepujve dhe dhelprës,
Si të krehësh flokët e deshve gjatë verës.
Unë të vendosa në librat e pabotuara të zogjve
Të dhurova hartat e dimrit dhe të verës,
Që të mësosh se si rriten kallinjtë e grurit,
Se si ushqehen me to zogjtë e pulëbardhës
Se si peshqit çiftëzohen me njëri – tjetrin,
Se si rrjedh qumështi nga gjinjtë e hënës…
Por ti u lodhe nga kuajt e lirisë
Kali yt i lirisë të hodhi.
U lodhe nga pyjet e gjoksit tim
Nga simfonia e brumbujve të natës
Nga të fjeturit lakuriq mbi çarçafët e hënës…
Ndaj e le pyllin në mëshirën e ujqërve
Kur nga rruga e Zotit dhe e profetit të Tij,
Të ndau i pari i fisit…
4.
Sa herë që të vështroj,
Zhgënjehem nga vjershat e mija.
Kurrë nuk jam zhgënjyer nga vjershat e mia
Vetëm kur jam gjendur me ty.
Ti je e bukur, në një masë që unë,
vetëm kur mendoj të të shoh, habitem.
Fjalët më shuhen në gojë, metaforat veniten…
Ndihmomë që të dal nga kjo gjendje
dhe bëhu më pak e bukur ,
që të mund të rikthej poemat e mia.
Bëhu një grua e zakonshme,
Bëj tualet, parfumosu, bëhu nënë…
Bëhu grua, si të gjitha gratë.
Që të pajtohem me fjalët e mia,
Që të pajtohem me gojën time…
TË DUA SHUMË !
Të dua shumë dhe e di
Që rruga drejt së pamundurës është e gjatë
E di që ti je një grua përmbi të gjitha gratë
Dhe që unë s’kam asnjë zgjidhje tjetër.
E di që koha e dashurisë ka mbaruar
Dhe që fjalët e bukura kanë vdekur
Çfarë të them më shumë për më të mirën grua?
Të dua shumë!
Të dua shumë dhe e di që jetoj në mërgim.
Dhe ti në mërgim …
Mes nesh ka erë, vetëtima, re,
Bubullima, dëborë dhe zjarr.
E di që mbërritja tek ty është vetëvrasje
Por unë kam një ndjenjë lumturie,
Që për ty të flijohem, e shtrenjta ime.
Dhe nëse do mundja,do e përsërisja sërish dashurinë për ty
Moj grua, që këmishën ta enda nga fletët e pemëve
Që me durim të mbrojta edhe nga pikëlat e vogla të shiut
Të dua shumë, duke e ditur që po udhëtoj i pasigurtë
Në detin tënd të syve .
Duke lënë nga pas mendjen, duke vrapuar,
Duke vrapuar pas çmendurisë sime.
Moj grua, që ma ke marrë zemrën në duar
Tu luta, për hir të Zotit, të mos më lësh.
Mos më lër…
Çfarë do të jem unë nëse s’je pranë meje?
Të dua shumë, shumë, shumë…
Aq sa refuzoj me zjarr, të heq dorë prej teje
A mundet i mbyturi në dashuri të japë dorëheqje?
Por, nëse ndodh të heq dorë nga dashuria
Nuk ka më rëndësi nëse mbetem gjallë
Apo nëse dal i vdekur, i vrarë.
Të dua shumë
E di që isha shumë i dhënë pas teje
Aq sa dogja çdo varkë pas meje.
E di, që do dal shumë i humbur
Pavarësisht mijëra grave
Pavarësisht mijëra provave…
Të dua shumë dhe e di,
Që në pyjet e syve të tu po luftoj i vetëm.
Që dhe unë, si të gjithë të marrët
U përpoqa të gjuaja planetët.
Do vazhdoj të të dua ,me gjithë bindjen time
Që kam mbetur gjallë, falë dashurisë tënde
E cila është një prej mrekullive.
Të dua shumë dhe e di
Që me kokën time po luaj.
E di që kali im, është humbës në garë
Që rruga drejt shtëpisë së tët eti
Është e rrethuar nga mijëra ushtarë
Ende të dua, me gjithë bindjen time të plotë
Që pëmendja e emrit tënd është si blasfemia
Dhe që unë, si ç’do i çmendur në botë
Luftoj, përmbi fletoret e mija.
Të dua shumë dhe pse e di si vdekja,
Që dashuria për ty është vetëvrasje.
Që pasi të luaj rolin,do t’më mbyllet perdja.
Mbi mëshirën tënde, do ta vë kokën dhe pse e di
që ditë nuk do ketë kurrë për mua
Por e bind veten se vdekja, quhet fitore
Në bie i vdekur për buzët e tua .
Të dua shumë
E dija që në fillim se do dështoj
Që do vritem gjatë kapitujve që vijnë
Që koka ime do vijë tek ti
Dhe do qëndrojë në gjunjë para teje si fëmijë
Përplot një muaj
Do lumturohem shumë me një fund të tillë
Dhe do mbetem në ty, i dashuruar.
NJË NGA 100 LETRAT E DASHURISË
Avioni ngrihet lart e më lart
Dhe unë të dua shumë e më shumë.
Sa paskam vuajtur për një përvoje të re,
Për provën e dashurisë së një gruaje
Në lartësinë e tridhjetë mijë këmbëve.
Tashmë fillova të kuptoj misticizmin,
Dëshirat dhe mallin e mistikëve….
Që lart , nga aeroplani
Njeriu i sheh ndryshe emocionet e tij.
Dashuria çlirohet nga pluhuri i tokës,
Nga ligjet, nga graviteti i saj
Dhe bëhet një top i pambuktë, pa peshë.
Avioni rrëshqet mbi një qilim reje të bukur
Dhe sytë vrapojnë, vërtik pas saj
Si dy zogj kuriozë që ndjekin një flutur.
Sa i marrë qenkam treguar,
Kur mendova se po udhëtoja i vetëm.
Sepse pas çdo pushimi
Në secilin aeroport të botës,
Je gjendur e fshehur aty,
Në çantën time të dorës.
MË I BUKURI LAJM
Shkrova : “ të dua” mbi murin e hënës.
Të dua shumë,
Siç nuk të deshi njeri asnjëherë
A nuk e lexon në vijat e mija të dorës?
A nuk lexon mbi murin e hënës?
Mbi stolat në park,
Mbi trungjet e pemëve,
Mbi degët, mbi tryeze, mbi frytet,
Dhe mbi planetët , ku fshij pluhurin e udhëtimit.
Gdhenda :” të dua “ mbi gurët magjikë,
Gdhenda kufinjë e qiellit dhe të fatit
A nuk arrin ta shohësh?
Në petalet e luleve,
Mbi shpat, mbi lum, mbi urë
Në guackat e detit, në pikëlat e shiut.
A nuk e shikon,
Në çdo degë, guriçkë e gur?
Në fletoren e diellit kam shkruar,
Lajmin më të bukur:
“ Të dua shumë “./Ah, sikur ta kishe lexuar…
NJË LETËR NGA NËN UJI
Në qofsh miku im më ndihmo
Që të largohem nga ti
Në qofsh i dashuri im , ndihmomë
Të shërohem nga ti.
Nëse do ta dija dashurinë kaq të rrezikshme
Nuk do dashuroja.
Nëse do ta dija që deti është kaq i thellë
Në të , s’do lundroja.
Nëse do ta dija se ky është fundi
Kurrë nuk do filloja.
Më përzhiti malli, ndaj mësomë
të mos përvëlohem.
Më mëso, si t’i pres gjer në fund,
rrënjët e dashurisë për ty.
Se si vdes zemra,si vetëvritet dashuria …
Mësomë , si vdes loti në sy .
Në ke fuqi më shpëto,
nga ky det me stuhi
se unë nuk di të notoj.
Dallga blu në sytë e tu, më tërheq thellë e më thellë.
Dhe unë nuk kam përvojë në dashuri
Nuk kam as ndonjë varkë, të lundroj.
Në më ke të shtrenjtë , zgjatma dorën
Unë jam e dashuruar në ty, kokë e këmbë
Aq sa po marr frymë dhe nën ujë.
Unë po mbytem,
Po mbytem,
Po mbytem…
(Shqipëroi Artan Almeta)