Poezi
Astrit BYTYÇI
KLITHJA E PROFETIT
Mos pritni nga unë shpëtimin
Perëndia gjendet në shpirtin tuaj
Parajsa gjendet në zemrën tuaj
Ferri gjendet në mendjen tuaj
Satana gjendet në fjalën tuaj
Mos kërkoni nga unë amshimin
Jam vetëm busulla juaj
NJË DITË DO TË RRITET BARI
Kujtimet janë fletë që shlyhen
Janë jehonë e largët e shiut
Janë gjethe që i luhatë era
kujtimet janë copa dheu
mbi të cilat rritet bari
edhe mbi mua
një ditë
PORTRET
Fytyra – vjeshtë
Flokët – gjethe që shushurijnë
Sytë – tallaz të shqetësuar
Katarakt që ndjell vërshimë
Klithja – këngë mjellme
Pritja – heshtje që vret
Fjala – zë heshtjeje
Heshtja – sinjal që thërret
Mendimet – sqota të tërbuara
Shikimi – rrymë që s’fal
Hija – sirenë e trishtuar
Gjurmët pështymë e tharë
Fytyra – vjeshtë
Flokët – gjethe që shushurijnë
Sytë – tallaz të shqetësuar
Dashuri – ëndërr e flijuar
Uragan që sjell vërshimë
DET I TRAZUAR
S’frikohen pulëbardhat nga tërbimi
Det i trazuar
As rimat e ëmbla Në vargjet e rrudhosura
S’kanë muzikalitet
Ikën fluturimthi në humbëtirë
Pulëbardhat
Krrokatjet shuan
Valë të vetmuara përpiqen në ty
Det i trazuar
‘92
MASHTRIMI
Frymon fillikat
në humbëtirat enigmatike
i mospërfillur
Imagjinon fundin
e fillit të shpresuar
i sfilitur
E në pelegrinin e vonuar
ecajakja e boshatisur peshon rëndë
Un-i
im i mashtruar
‘93
* * *
ëndërr e zezë jeta
në këtë qeli të lagësht pa numër
ku me sy të përjargët vdekja
për vrimë të çelësit kundron
Ç’të bëjmë
Me se të mas kohën
Ditët
Orët
Minutat
Me vizitat ndëshkuese të vizitorëve të paftuar
Me pikat e gjakut që i spërkat muret
Me frymën e mushkërive të sëmura
E këtu gjithçka është e huaj në mënyrën e vet
Ajri vizionet e dyert e rënda
Taku i këpucëve të lustruara
Pasqyrë e vuajtjes së njerëzve
Këtu gjithçka është e imponuar në mënyrën e vet
Hapësira lëvizja iluzioni
DO TË VIJË NJË NJERI
Një ditë
Do të vijë një njeri
Thonë do të jetë i mirë
Do ta heq terrin
Nga nata ime
Atëherë unë nuk do të jem
Vetëm mashtrim
MOS I BESO DIELLIT
Mos i beso diellit
Njeri
Ai topth i zjarrtë
Djersitet në zenit
Ti nga uji je
Gjurmo thellësitë e liqenit
Mbarëso kaltërsinë e detit
Blatoji vargjet e lumit
Njeri
Mos i beso diellit
SYTË QË SHIKOJNË NË MUA
Sytë që shikojnë në mua
Janë të blertë
Dhe plot dritë
Sytë që shikojnë në mua
Janë të thellë
Sa deti të thellë
Sytë që shikojnë në mua
Janë dy gurë para të cilëve përkulem
Dhe nuk e kuptoj pse dridhem
ASTRIT (GAFURR) BYTYÇI
(1975-1998)
U lind në Ferizaj në vitin 1975. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1994-95 filloi studimet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, ku diplomoi si student i dhjetësheve. Sa ishte student, Astriti u dallua edhe si veprimtar i çështjes së lirisë së Kosovës, për çka ishte në shënjestër të policisë armike. Qysh herët u mor me poezi dhe me shkrime eseistike dhe publicistike. Bashkëpunoi me shumë revista e gazeta shqipe të kohës, ku publikoi shkrimet e veta.
Ishte mbështetës i luftës së UÇK-së dhe me kohë iu bashkua radhëve të saj për të përmbushur edhe misionin e ushtarit të lirisë deri më 14 dhjetor 1998, kur ra heroikisht në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Astriti hyri në historinë më të re kombëtare si dëshmor i kombit. Aktiviteti i Klubit letrar “De Rada” në Ferizaj, “Ora e Astritit” organizohet në shenjë nderimi ndaj veprimtarisë së tij letrare dhe patriotike.