POEZI
Sabit B. BAJRAKTARI
DUKE TYMOSUR MESNATËN
Iku e martja
Para pak minutash Antologji e zezë të Adem Gashit e rilexova
Nuk e di nëse i tymosa njëzet apo njëzet e pesë cigare
Gjatë ditës ku terri dhe drita ishin përzier
Tani për tani e shpërqendroj mesnatën me Marlbora Lights
Që t’mos më zë gjumi
T’mos më mundë dhembja
Teksa shohë të shtrirë plakun tim
Çfarë paradoksi
Teksa mantelbardhët shërojnë mushkëri
Pacientët ecin kundër rrymës së tyre
Thithin cigare njëra pas tjetrës
Të vetëdijshëm pa frikë
Deri atë ditë kur perdja e dhembjes do ua errësoj sytë
Do të shtrihen përdhe si një bisht cigareje
E shkelur me majën e këpucës plotë baltë
(8 mars 2023 – Prizren)
BLASFEMI
Shiu tashmë e ka pushtuar qiellin
Ka tre ditë stina po i lanë mëkatet
Diku në shkretëtirën e kozmosit
Dikush e ka vjedhur detin
Njelmësinë e tij e ka ëmbëlsuar
E ne që besojmë në përralla
I presim ditët e mira
Me duart e lidhura pas shpine
Shëndoshë me qenë se qon Zoti
Më thanë një pasdite prindërit e mi
I dëshpëruar me jetën
Më iku një blasfemi
Më mirë nuk po e them
(4 dhjetor 2022)
KUJTIMET E FUNDIT
Me shpirt u mundova t’ia jepja zemrën
A dalim vrapojmë pak o babë – i thashë
Buzëqeshi teksa pëshpëriti Ah! More biri im…
Dhe shau nëpër dhëmb
S’e di nëse më shau mua
Apo jetën që e kishte mashtruar me kurthet e saja
Edhe pse mendojmë si unë si Ai
Kurrë jetës nuk i kemi besuar
Për vdekjen më mirë të mos flasim
Kur u shtri në shtrat që tashmë i ishte ngjitur për trupi
Ia dhashë ngadalë një kokërr Therdor një Aldizem dhe një Carvaxyl
Dhe në fund Vitamin every day 2×1… ora ishte fiks dhjetë
Dola në oborr
Ndeza radion
Në nënkulmin e pusit tymosa tri cigare njëra pas tjetrës
Derisa mjegulla e shpirtit m’u bë se u kthjellua tërësisht
Lëshova muzikën e Ludovico Einaudi – Una mattina
Pastaj zbrita thellë në kujtimet e mia të bëra asht e lëkurë
U ula te hija e ftoit qava teksa nana bënte gati pite për drekë
Ndërkohë i shemba fshehurazi pesë gota raki të Suharekës
Shoqëruar me cicërimën e zogjve të verës
Që sapo kishin mbërritur në shpirtin e ylbertë të stinës
Gjersa koha shkrihej si gjalpi në tigan
Babai filloi ta ndiente ngadalësimin e frymëmarrjes
Dera kishte pësuar plasaritje
Të trishtuar të humbur në mendime të ftohta
Shikonin me urrejtje mysafirin e zi i cili ishte bërë gati për sulm
Nën kulmin e kuq jeta qe mbështjellë me një grusht vetmi
E cila sikur priste çastin e duhur për të eksploduar
Që t’na lëndoi e t’na vriste të gjithëve me trishtim e mërzi
SYTË E SAJ PËRQAFONIN SYTË E MI
Herën e fundit më pyeti ç’është dashuria
Ishte çasti pak para se të mbyllej dera e kristaltë
T’i referohesha Omar Khajamit
Ajo i kishte lexuar tashmë Rubairat
T’i flisja se si ishte dashuruar Xhulieta
Do t’ma rikujtonte thënien e Shekspirit
“Më duaj ose më urre,
të dyja janë në favorin tim.
Nëse më do, do të jem gjithmonë në zemrën tënde
Nëse më urren, do të jem gjithmonë në mendjen tënde”*
Pak a shumë as unë s’e kuptoja tonën histori
Ç’t’i thosha?
Qëndro apo rri
T’i thosha se herën e fundit një vëllau im…
Vendosa t’mos i them asgjë
Heshta teksa sytë e saj përqafonin sytë e mi
Në intervalin e asaj heshtje
Një fishkëllimë bezdisëse u dëgjua
Dera e kristaltë u mbyllë lehtësisht
Treni nisi të rrëshqiste ngadalë
U mundova ta ndjekë vagonin e fundit
Me zemrën që qante shikimin që dridhej
Dëgjoja vetëm një zhurmë
E cila ishte futur thellë në unin tim
Më torturonte më shante më urrente
Fati i shtrirë në binarët e ftohtë akull
I cili shpëtim kërkonte
(Dhjetor 2022)
LEXUESI IM BESNIK
Ato ditë flisja me njeriun që e dua e kam dashur
Përmes një video-fotografie të turbullt
Dhe dora gjysmë e ngritur në formë të përshëndetjes
Nuk besoja një hero që kishte hapur rrugë të reja
Ishte shndërruar në një hije e rrëzuar përtokë
S’e di nëse loja e shahut i ka pëlqyer
Disa herë e kam parë të luante dhe fitonte
Është duke lozur shah në këtë repart – thashë
Njëherë në dhomën numër shtatë…
Herën tjetër në dhomën numër dy…
I njëjti qiell i njëjti paviment
Patjetër e njëjta dhembje që rritej si një lule e zezë
Ka qenë bukur tinëzar babai im
Kur botëza prej studenti më kishte kapur për fyti
Më duhej të gjeja tulla për shtëpinë e djegur
Të cilën lufta e pati dërguar në qiellin tejdukshëm
Stres për mua nuk ishin mësimet as provimet
Pagesa e qerasë udhëtimet për në kryeqytet
Më ngjanin me kurthet e gjuetarëve
Si një i pa punë prej vitesh vetëm pse shqip fliste
Tinëz m’i fuste në xhep ca të holla
“Mos i trego askujt këto mbaji për ndonjë rast urgjent…”
E rasti më urgjent për mua ishte
Të shfaqej në horizont lumturia
Çfarë paradoksi dhuron jeta teksa komandon
Kishte edhe një tjetër paradoks atë botë
Teksa unë rritesha jeta zvogëlohej
Babën isha mësuar ta shihja si një shkëmb të parrëzueshëm
E gjeta të shtrirë në shtrat si një gjethe të zverdhur shtatori
Frutat e stinëve kishin filluar të piqeshin së tepërmi
Kur mu dha çmimi për poezi…
Rastësisht një ditë më parë qesh kthyer nga mërgimi
Ali Podrimja qe një befasi e këndshme
Së paku ditët nuk dukeshin të njëjta ngjyrë gri
Takimi me baben qe një urgjencë një nevojë
Atë ditë avioni më bëhej sikur nuk fluturonte si përherë
I fshehur mes resh të bardha më bëhej sikur ikte për në pafundësi
Pothuajse dy muaj që ishte bërë një me shtratin
Kur i thashë se libri im NOAH…
Nuk priti asnjë sekondë
Ngadalë nxori këmbët nga mbulesa me figura të supermenit
Duke i puthur me pavimentin e pluhurosur
Dy pika dhembje i pikuan nga balli i rrudhur
E dija se Ali Podrimja e kishte përjetësuar Lumin
Me fjalë kishte lëvizur malet mbajtur gjallë Kosovën
Si kurrë më parë besova në emrin dhe mbiemrin e Aliut
Vura re se i buzëqeshi fytyra dhe shpirti
“Ky po që është ilaç për mua “ – tha teksa kollitej
Nuk e di nëse fillova të qaja
Apo brenda repartit të mushkërive shi binte
Teksa fliste diçka për gjuhën për Kosovën…
Herë pas here fërkonte sytë
Nuk e di nëse e kishte nga dhembja
Apo nga dashuria për librin
Dhe lëshonte nja zë në formë onomatopeje
“Eh more birë… sa mirë…”
I buzëqeshte shpirti atë çast
Teksa mushkëritë e nxira shikonin me habi
Në pritë i kishin dalë zemrës së tij
E dinte edhe Ai dueli kishte filluar tashmë
Ato çaste e pata pyetur veten në heshtje
Kush do fitojë vallë në këtë lojë shahu
Gëzimi i tij apo trishtimi im
Ngujuar në librin e shpresës
Më pas mendova
Kur të dalë libri im i radhës
Nuk e di nëse do jetë në gjendje ta lexojë
Me kureshtje lot e gëzim
Siç bënte përherë Ai
(2023)
S’ËSHTË ÇUDI
S’është çudi të zgjohesh i çmendur
Ta kapërcesh murin e arsyes
Duke i sharë një nga një pemët
Duke pshurrur afër derës së parlamentit
Gishtin e mesëm t’ia tregosh presidentit
Pa harruar t’i thuash… nanën…
S’është çudi të çuditesh me çudirat tona
Të tentosh të bësh vetëvrasje
Të përfundosh në psikiatri
Si prishës i rendit publik
Çudi s’është nëse të thërrasin në festë
Dhe përfundon i varur në litar
Çudi s’është nëse të ngrenë në qiell
Dhe sheh se je duke u rrokullisur si një mut sorre
Mbi kokën e ndonjë kalimtari të pafajshëm
Çudi s’është të zgjohesh me gishtin në gojë
Më të cilin pak më parë e kruaje bythën e bardhë
S’është çudi të biesh në dashuri
Me gruan e ministrit me urdhër të ministrit
Sepse karrigia duhet të blihet disi
Një herë… një votë mbështjellë me dashuri
Kurrgjë nuk është falas sa çudi
S’është çudi të të vidhet ëndrra
E të akuzohesh për plagjiaturë
Të përfundosh prapa grilave
E ta paguash lumturinë e tjetrit
Me vuajtjen tënde absurde
S’është çudi të vdesësh për atdhe
E të të shpallin tradhtar
Çudi s’është nëse luftë bën nëpër shtëpi publike
Dhe përfundon si president i një shteti appena natto
Çudi s’është t’i kalosh pushimet në Durrës
Të lodrosh natën me zonjusha n’Beograd
Të vetëquhesh gjeneral pa i mbushur tetëmbëdhjetë vjet
T’i biesh çiftelisë e të hash mish viçi
Të pish çaj Indie si qen i keq rrugësh
Të gërvallesh si kalë se je patriot…
Pa e shkrepur kurrë një plumb pushke
E të marrësh një rrogë si veteran lufte
S’është çudi të jesh i varfër në darkë
E të zgjohesh në mëngjes si pronar banke
Çudi s’është nëse tërë kohën vret e vjedh
Pastaj të thërrasin eja udhëhiqe këtë vend
Është çudi nëse sheh se dashuria ka lulëzuar
Mbi varret e atyre që u bënë ylber
Për rrugët e mbuluara me terr
Çudi do të ishte
Të ta presin litarin në qafë
E të ta japin një gotë me ujë
Çudi mbi çudira do të ishte
Ta takonim mbjellësin e ëndrrave
Që hedh farën në fushën e djerrë
Të tjerët kur të vijnë pas nesh
Ta korrin dashurinë e vërtetë
Sa do të doja të ndodhnin
Këto të fundit tri çudi
(23. IV. 2020, Itali)