Poezi
Alma ZENELLARI
UNË JAM NJË GRUA
Unë jam një grua,
që më pëlqen të ul sytë çapkënçe mbi filxhan
kur gjerb çdo gllënjkë kafeje me delikatesë,
dhe ti diku më sheh i hutuar.
Unë jam një grua,
që më pëlqen të skuqem ëmbël nga shikimi yt i bukur,
të ndjej fluturat të më pushtojnë,
tek hapin krahët e borta thellë meje,
sapo ti zgjat duart dhe kërkon petalin e ngrohtë mbi buzë…
Unë jam një grua,
që më pëlqen të luaj mbi një tel violine,
të kërcej tango këmbëzbathur,
të cicëroj nëpër dhomëza si një laureshë…
të mbyll sytë, të ëndërroj
se ti majë gishtash do t’më gjesh ..
Unë jam një grua,
që më pëlqen të rend,
të lagem gjer në asht,
nën shiun e ngrohtë të pranverës
ja si këtë çast.
Peshën e shiut që rrjedh
ta ndjej në çdo pore, nën lëkurë,
ashtu siç ëndërroj të t’kem pranë vetes Ty,
të vetmin mashkull,
të vetmin burrë!
GRUA PA EMËR
Bie nata !
Zgjohen demonët
dhe vijnë,
Prej supesh më shkundin
në terr ,
Si hije zvarriten
Më çojnë në ferr !
Unë kthehem ujkonjë,
çaj pyllin e egër
çaj shtegun e vjetër
Vajtoj…
Se ujqërit s’më lenë…
(demonët nuk flenë)
Mallkuar moj natë
jam shpirt i pafat ,
Jam gruaja ujkonjë
jam grua pa emër
E lënë në harresë
me shpirtin e fikur,
gjymtyrët e mpirë
(Një zot, pastë mëshirë!)
Mallkoj ,
s’ka shpresë !
Kërkoj vetëm vdekjen,
vet e dytë të vdes …
Në prehër të natës lëshoj zemrën time,
ajo veç rënkon
Përgjon…
Nata dhe shtegu i vjetër
Hëna me syrin e verbër.
TROKITJE
Trokit
me një degëz të blertë,
në dritaren time,
dimri keq më ka mbështjellë
Trokit me sy e krahë pëllumbi
që renë e bardhë kthen fjongo,
me sqep ballukeve e sjell…
zgjatmi degët
zgjatmi,
ti bredh i gjelbër!
Gjelbëro dhe brenda trupit tim,
Ushqemë ngadalë me limfën tënde,
injektomë në heshtje, dashurinë.
Eja,
me gishta pranvere trokit ngadalë,
Papra eja
Mbi xham të dritares pa droje, ngurrime.
Aty, e sheh?
Sa fluturza prej bore, frymojnë
pikturuar mijëra herë nga malli i buzës sime.
NË DITËLINDJEN TËNDE
Sa shumë do doja sot pranë teje,
të isha puthja jote e parë,
të isha prekje, një regëtim
të ndjeja ty nëpër damarë.
Të isha lidhur me krahët e tu
Si dy zambakë të përqafuar,
të thithja erën e trupit tënd,
të ndjeja burrin e dashuruar.
Ndodh dhe kështu i shtrenjti im,
të mos jem pranë në ditën tënde,
por mallin tim sot përvëlim,
e kthej për ty në tingull kënge.
Ndaj sot dhe pse nuk jam pranë teje,
unë prapë jam puthja jote e parë,
unë prekje, mall, ti regëtim,
ti ndjenja ime nëpër damarë.
FESTO PA MUA
Ti sot i dashur ke ditëlindjen
por unë me ty s’ bëj dot gëzuar,
ndaj shpirtit tim ndjeja pak dhimbjen,
pa Ty s’jam veç vullkan i shuar.
Ti sot me miq e ngre një gotë ,
i lumtur padyshim,
Sikur të mundja një grusht lot
mbi sytë e zogjve ta nis kujtim.
A e mban mend se ç’më ke thënë,
atëherë kur stinët mbanin një emër ?
Se sytë e mi që bëjnë pranverë
do t’i kesh diej përherë në zemër,
Ndaj sot mungesa shpirtin ma shemb,
(kujtesës tënde i mungoj )
dhe ndjej si ther dhe ndjej sa dhemb,
zemrën që qan, dot s’e ndaloj
Kaprollja jote rrugën ka humbur
zëri i saj do të vij jehonë.
Festo i dashur dhe qofsh i lumtur,
kjo botë s’do t’jetë gjithmonë…
S’GJEJ FJALË
Sot pash’
si i vranë para syve të mi
pëllumbat e paqes.
I ndjeva klithmat e tyre shumë pranë,
krahët kur ia thyen me forcë një nga një,
sytë e pambyllur me dritë dhe lotë të patharë…
Ata pëllumbat,
në rënie të lirë duke puthur qiellin,
shpirtin e dhanë…
M’i vranë pëllumbat e paqes, m’i vranë.
Qyteti im nuk i deshi…
SIME MËJE
Si më shfaqesh kështu kaq papritur,
Gea ime,
me një re meraku mbi sy.
Heshta e dhimbjes tënde,
më gjymton,
më trishton, më mbyt.
Pika e lotit tënd,
zmadhon plagën time
thellë e më thellë në kraharor
Oh, perëndesha ime!
Reja e dendur e mendimeve
gjer në mbrëmje të ndjek,
struket eshtrave të tua,
s’të lë të qetë…
Një herë mbaj mend më ke thënë,
(kur numëronim yjet rreth hënës)
“ Gjithçka ndryshon në jetë bija ime,
veç merakut mbirë si heshtë,
syve të nënës”…
MBRËMË
Mbrëmë fjeta gjymtyrëmbledhur,
shtrëngova zemrën e dehur në kraharor.
fjeta qenie e mbushur me lëng dashurie,
E ngrohur, e lagur nga malli yt,
Fjeta e ëmbëltuar.
ndërsa sot,
sërish më kaploi e madhe vetmia,
sërish larg teje,
humba udhën,
humba ngjyrat,
Sërish u bëra tingull i pazëshëm,
inekzistent,
reja që tretet nga harresa.
Mungesa jote më tkurri
më terri, më theri
thellë shpirtit buçet stuhi vetmie,
dhe unë nis kërkoj këngën e zgjimit të malltë,
nga e para,
për të të pasur, për të të dashur përjetësisht,
Sërish e sërish,
Gjer në klithmën e fundit.
DHJETOR I ASHPËR
Sa ashpër fryka sot dhjetori,
Fryn dhimbja ime nëpër brinjë.
dhe pse mundohem të harroj
një lum trishtimi më përpin.
Një lum trishtimi që s’di nuk sos,
në shteg të shpirtit godet përditë
boshllëk në brinjë, boshllëk në gjoks
më kthehet dhimbje e pambarimtë.
Sa ditë besova se ëndërr ish’
një ëndërr, lojë, një fluturim.
Por kurrsesi një ikje engjëjsh,
po kurrë një ikje që nuk njeh kthim.
Mundohem shpirtit t’i jap kurajë,
tek një buzëqeshje të ngushëllohem,
Mundohem zemrës lotët t’ia thajë,
dhe pse me vdekjen dot s’pajtohem.
Se vdekja vika porsi hije,
se vdekja qenka e pabesë,
Vjen tinëzisht, pa zhurmë godet,
të lë pa frymë, një muzg pa shpresë.
Sa ashpër fryka sot dhjetori,
një erë e çmendur që tokën ngrin,
Kjo erë që fryn përmes selvish
dhe gjakun tim ndër deje, mpin.