Tregim

PEMA E VDEKJES

Shazim MEHMETI

Plakut, kishte kohë që i kishte vajtur mendja për një kokërr dardhë, por nuk ia kishte thënë së shoqes. As nuk do t’ia thoshte kurrë.

Pleqëria është më e keqe se varfëria: plakun nuk e mbanin këmbët; të shoqen, me të cilën jetonin vetëm, këmbët e mbanin disi, por jo deri në atë masë sa për të dalë diku larg; këmbët e së shoqes, edhe trupi, edhe krahët, mezi bënin aq, sa për t’i mbajtur gjallë shpirtrat e të dyve.

Kur zbardhi mëngjesi i së dielës, plakut, e shoqja i serviri një çaj bliri. I vuri përpara edhe dy petëza buke, të lyera me gjalp. Plaku i hëngri të dy copat e bukës. E piu edhe çajin. Hëngri e piu edhe e shoqja.

Atë ditë, mëngjesi qëlloi i ngrohtë e i bukur. Plaku e vuri re këtë favor, dhe i tha së shoqes:  

– Dua të dal n’oborr!

Plaka miratoi. Ia lëmoi qimet e pakta e të bardha të flokëve, që i preheshin mbi tullac e mbi ballin e rrudhur, dhe ia vuri krahët trupit të këputur. Ngadalë, ngadalë, e nxori jashtë, dhe e vuri në ulësen e drunjtë, që e mbanin gjithnjë përpara hyrjes së shtëpisë, aty diku, në të thatë.

Trupi i plakut u rehatua mbi ulëse. Përkrah tij, e shoqja ia lëmonte dorën.

Plaku, ngadalshëm, vështronte oborrin, kur, në çast,  sytë e tij të lodhur u ndalën mbi një filiz dardhe, mu në mes t’oborrit.

Zemra e tij brofulloi.  I brofulluan edhe kapakët e syve:

-Pa shiko, moj grua… – i tha së shoqes, gjithë gëzim, – Në mes të oborrit, na ka mbirë një filiz dardhe.

E shoqja, ia shtrëngoi dorën, i hodhi sytë tutje mbi oborr, e vëzhgoi oborrin mirë e mirë e pëllëmbë për pëllëmbë, por, sytë e saj nuk panë, aty pari, asfarë filizi, asfarë dardhe.

“Pleqëria është e çuditshme…” tha vetëmevete ajo, por plakut nuk ia prishi: atij ia pohoi “mbirjen e dardhës”.

Si  gjithë ditët tjera, kaloi edhe ajo ditë….

Të nesërmen, pasi e bënë ritualin e përditshëm të ngrënies së mëngjesit, me kërkesën e plakut, plaka mblodhi forcat, dhe e nxori atë, e, e vendosi aty jashtë, ku e vendoste përditë. Plaku, edhe kësaj here u rehatua mirë, dhe pa humbur kohë, e hodhi shikimin, drejt pikës së oborrit, ku, një ditë më parë, kishte mbirë filizi i dardhës.

Por, tashmë, në pikën përkatëse, sytë e tij, nuk e panë atë filizin e vogël të posambirë të dardhës, por panë atje, një pemë dardhe, të rritur fort, e që kishte lëshuar degët anë më anë. Dhe, në degët e shtrira, ai i shihte, tashmë, edhe kokrrat e dardhës që kishin filluar të rriten.

– Paaah! – u bë gjithë gëzim, ajo zemër e plakut, dhe i bëri zë së shoqes:  

– Pa shih, pa shih… – i tha,  – …sa është rritur dardha jonë. Ka lëshuar krahët. Degët i ka përplot me fruta…”

Dyshimtare, natyrisht, gruaja e vuri buzën në gaz, dhe sërish s’ia prishi plakut. Përkundrazi, ajo ia pohoi thënien. Por, ajo e shihte boshësinë e oborrit ku s’kishte asfarë peme, asfarë degësh e asfarë frutash: ajo shihte në oborr, të vërtetën, atë shkretëtirën e vërtetë, që ishte e njëjtë me shkretëtirën pleqërore në zemrën e saj.

Atë ditë, dy pleqtë, qëndruan edhe për ca kohë aty jashtë: plaku, me sytë e përqëndruar te pika e oborrit ku i rritej pema e dardhës, dhe plaka, me sytë përdhé.

Ca çaste më pas, era e lehtë, u dha krahë dy pleqve, dhe i futi brenda…

Një ditë më pas, pasi e bënë, si gjithnjë, ritualin e ngrënies së mëngjesit, plaka mblodhi krahët, dhe e nxori të shoqin, aty ku e nxirrte përditë, kur bënte kohë me diell.

Kësaj here, sytë e plakut nxituan ta hedhin shikimin drejt pikës së oborrit ku i rritej dardha. Dhe, zemra e plakut, u mbush sërish me gëzim:

– Pa shih,  pa shih… – i tha së shoqes, – është pjekur dardha. Kokrrat i janë bërë të verdha deng, dhe faqet e kokrrave janë krejt të kuqe… ”

Leave a Reply

Your email address will not be published.