Poezi
Adem GASHI
VONË
po troket po troket
natëvones moj e mira
s’kam zemër portën mos të ta hap
në fakt
portën po e hap mëshira
DUKET SI NJË GRAFIKË NË KORNIZË
në djep ninullash po më përkund lashtësia
me harmoni kundërshtish
dritëhijesh hijedritash
“pak dritë, pak dritë, pak dritë”
u deshën shekuj të shndërrohet në urti:
E ZEZA NË TË BARDHË
ardhur nga mistere, hone e thellësi
mbarsur me intrigë
lë lojën e figurave për një uratë:
mbi mendime mos na rëntë krahnezë
mos qoftë e thënë të biem në marrëzi
ta kthejmë Të Bardhën në Të Zezë
PARA NJË LUFTE
do ta lodh gjumin në ngasjen e tij
që të mos më marrë përdore
me një ëndërr të lodhur
të më shpjerë te porta jote e mbyllur
megjithëse s’e kam të lehtë
t’i bëhem shok zogut të neveritshëm të natës
që cicërimën e bën klithmë
po ia dola kësaj lufte përmbytëse
mund të shpall me krenari
ngadhënjimin përballë dytësit
kujtime të mira janë plagët e labirintit
pastaj
kur vijnë në ditët me diell
s’të duhet gjë krenaria me hejbe
derisa fituesi je ti
KUR TË DESHA… KUR TË DUA TY…
Bëj të të harroj e s’e bëj dot.
Ç’janë këto krahasime demode:
Natë me pjalm hëne,
Fjolla me trajta magjike bore?
Kur të desha… kur të dua ty…
së brendshmi ndjej e ndiej drithërimë
në çdo fije floku,
në çdo qelizë e në çdo pore.
…dhe harrova, dhe harroj ku qeshë e ku jam
në ujërat përreth Shkodre,
blusë së valëve të Sarandës
a kalldrëmit të vjetër të Gjakovës,
në qe dje, sot a ditëve të paardhura?
Bregoreve të mallit përplasen korrente
e fryn shumë erë.
Vdekja, po,
ajo edhe mund të harrohet.
GJAH
mërzitur nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm
bezdisur nga marrëzitë
kësaj nate me borë mora çiften e qëllimit
e iu futa pyllit të fantazisë
m’i mori sytë magjia e Hënës prej reflektimit
e më dehën farfuri mirazhesh
kur pashë një drenushe si para tytës së Leninit
po ku vritet bre Ifigjenia në Aulidë
midis Ifigjenisë së virgjër e sutës së pafajësisë
po e qëlloj pa dhimbje bufin plak
mjaftohem të them se vrava orët e kotësisë
mjaftohem të them: ja preja, s’është pak
NJI TJETËR ANDËRR
dimën asht e ftohti ka ra bashkë me natën
lodh gjymtyrësh e hutue mendjet
dhe gjumi ka ardhun
mos m’thoni se nuk keni pa andërr
tue pa andërr
ma s’paku nji herë palue vitet n’palë t’jorganit
e kur n’ferkun e mjesit gjumi ka firue
i keni thanë vedit:
ardh kenka koha m’u zgjue
bashk me borën dimni ka ra
e n’mashtrim na ka xanun të tanëve
pa e diktue se po hyjmë në nji tjetër andërr
DOLLIA E NJË PUTHJEJE
sot në një qiell të bruztë
deri në trullosje era po i vërtit retë
e bora hamendet: të bjerë a mos të bjerë
pikërisht sot sesi m’u tek
sesi m’u pik
të ngre një dolli me mike e me miq
së pari, t’ju them se ç’përmban kupa:
ca flluska etjeje e grimca urie
ca lëmshe mërzie
mbështjellë me mjegullat futa
ama, këtë amalgamë çmendurie
e shëron veç mrekulli – PUTHJA
gëzuar, festën e çastit
që bëhet çast përjetësie
IKËN E IKËN
kam hipur në një urë
s’di sesi e s’di se kur
sot a dje a dikur
në është mbi Danub a Rajnë a Dri
në është prej hekuri a guri a druri
nuk e di
hipur kam të shoh valët e lumit
sesi vijnë
sesi shkojnë tutje moskthimit
e pafundit
krejt ndryshe nga ç’i shihja në letërsi
në vargje poezie a në prozë
me trille ritme e bujë
thonë se përposh saj
kurrë nuk rrjedh i njëjti ujë