Poezi
Primo Shllaku
EUTANAZI
Kam ardhë pranë teje
te kryet e shtratit,
afër t’jam qasë,
mbi të njajtin jastëk kryet e kam pshtetë
e pranë gojës tande veshin kam vu
që ta ndigjoj plotësisht unë grahmën,
ecejakën e ashpër të frymës
ndër korridore mushknish të plasarituna.
Prej ktu ku jam
gjithçka është nji botë zani.
Rropama ndigjoj, kuajt e erës, hingëllimat e shtrëngatës.
Krisma e akullit
si falangë e pamposhtur
kërcënueshëm avancon mbi kaçurrela engjëjsh
e lapa pleqsh,
mbi lëkurën e nxehtë
e ernat e athta të trupit,
mbi telat e kitarës
e partiturën e djegun.
Të gjitha tërhiqen për nji kputje të njiçastshme
e këtë pritje të tendosun,
ma s’e duroj këtë pritje,
si pritjen para plasjes së minës.
Ktu në dorë i kam dekoratat.
Nji nga nji po t’i ve në gjoks.
Karficat në mish t’i ngula
se rroba s’ke,
je lakuriq.
Ato të takojnë
vetë i fitove
si kampion i hjedhjes me krye teposhtë
ndër hone të thata.
Jeta jote – fluturim i pakputun
teposhtë
me sytë e mbyllun
drejt tehut të shkambit.
Nji jetë që balli yt
frikshëm i afrohet thepit ma të mprehtë…
E s’e takon,
e s’e takon…
Kjo jeta e jote, ky fluturim i lirë,
ky ballë që kërkon nji thep,
ky thep që driblon nji ballë…
Gjak nuk të qiti
lëkura,
as mishi.
Karfica u ngul e shurdhët
e dekoratat përpëliten tashti
me dallgën e grahmës tande.
Tash fryma jote kahen e ndrroi.
Te dyert e gojës
nji turmë e madhe fjalësh
zhurmon e shtyhet.
Kur ishte koha
ti flisje me gjeste,
me të pakta gjeste ose me fjalë njërrokëshe.
Të dinim për memec.
Ma afër ta solla veshin te goja,
që ndonji fjalë prej tyne
veshi të ma kapë
e amanetin ta marr
si kurrnji ma i afërt
në këtë ditë solemne.
Shpellat e akullit
e ligjet e borës
i more në gojë e fjalët u ngrinë.
U ndie mbas pak krisma e akullit
e plasja e fjalëve.
Nji fjalë desha prej teje
e atë s’ma dhe.
Më qerase akull të plasun
e fjalë të tejdukshme.
Vetëm pak përpara
të gjitha ato fjalë
t’i shkallmonin prej brenda dhambët
për me dalë deri në buzë.
Faqe më faqe me ty jam shtri.
Mes nesh po ngrihet xhami.
Tash që s’ke asgja për me thanë,
tash që s’kam asgja për me ta dhanë,
pranë teje do rri deri në fund.
Do të pres sa të zbrazesh,
do të pres sa të ftohesh.
Në nji jastëk jemi mprehun,
prej ktu nuk iki.
Le të shkojë sa të shkojë.
Ngadalë do të të ndihmoj
që të vdesësh…