Tregim

ZAKONE PARAMARTESORE

Hasinta ESKUDOS

Midis Klaudios dhe së dashurës së tij ka një lidhje, e cila, gjatë dy muajve, përgjithësisht, po rrjedh kafeneve, kinemave, parqeve dhe hoteleve familjare. Pra, një dashuri rruge, siç e mendon ai vetë.

Por koha kalon dhe Klaudios i lind dëshira që ta çojë vajzën në shtëpinë e tij, sepse dashuria ka faqe të ndryshme dhe një nga ato është: ta ballafaqosh të dashurën me rrethin familjar, pra, ta shpiesh qenien e dashur midis mureve të jetës së përditshme. Nganjëherë shock-u i kontrastit është aq i fortë sa dashuria prishet.

Kështu që Klaudio do ta dijë nëse kjo lidhje do të jetë e gjatë dhe serioze, prandaj, duhet ta çojë në shtëpi. Duhet parë se si duket e dashura aty midis mobilieve, nëpër dhomat e shtëpisë. Duhet ta prezantojë atë me të ëmën, një plakë e imët, e zvogëluar nga osteoporosis, e rrëgjuar dhe tejet e rrudhur, gjithmonë e veshur me të zeza, e cila duket sikur nuk kupton çfarë ndodh rreth saj.

Se si mundet që një qenie njerëzore të arrijë në atë gjendje aq të thyeshme, në të cilën gjendet e ëma, Klaudio nuk e di. Prandaj, përditë i lutet ndonjë Zoti të padukshëm, tek i cili beson, që të mos i ndodhë kurrë e njëjta gjë. Më përpara të vdes, mendon ai, se të katandiset ashtu: një kukull qesharake, veshur me të zeza dhe e mbetur në mëshirë të të tjerëve.

Pra, Klaudio vendos ta ftojë të dashurën në shtëpi që ta njohë e ëma.

Vajza, duke menduar se gjërat janë serioze dhe po shkojnë për së mbari, u gëzua shumë. Ndërsa po përgatitet për këtë njohje familjare, ajo e lë imagjinatën të fluturojë, duke e parë veten të martuar me Kludion, i cili kurrë nuk ia kishte zënë në gojë martesën. Ai as për të ëmën nuk i kishte folur ndonjëherë, kësisoj ajo e përfytyron nënën e Klaudios një grua trupgjatë dhe të bukur, me fytyrë të ngjashme si e tij. Imagjinon se do ta presë gjithë buzëqeshje dhe se do bëhen mikesha me njëra-tjetrën. Për këtë është e sigurt.

Kështu, Klaudio e merr të dashurën dhe e çon te rruga ku ai jeton, pastaj fut çelësin te porta 312. Korridori i brendshëm është pak i errët dhe duhet ndezur një dritë. Vajza shikon se shtëpia është e vogël dhe e ngushtë. Kur Klaudio i thërret së ëmës, vajza dëgjon murmuritjen e një gruaje, e cila përgjigjet nga thellësia e një dhome në të majtë të saj.

Është salloni dhe aty është plaka. Vajza zhgënjehet disi, për të mos thënë zhgënjehet shumë. E zë frika se do të kalojë një mbrëmje të mërzitshme dhe se nuk do të mundet të bisedojë lirshëm me të dashurin, por, gjithsesi, mundohet të sillet sa më këndshëm.

Duke qenë se plaka nuk mund të gatuaj, Klaudio blen ushqim të gatshëm dhe i vendos nëpër pjata. Vajza e ndihmon dhe, pothuaj në heshtje, ulen të tre për të ngrënë. Plaka kërkon që të ndezin radion.

– Sonte kemi festë, – thotë ajo. – Jo çdo herë darkoj me një vajzë kaq të bukur, siç jeni ju.

Vajza qesh. Mendon se plaka durohet dhe se mund të bashkëjetohet me të, po të qe se do të jetonin të tre bashkë.

Pas darkës, të tre rehatohen në divanin e sallonit dhe shikojnë televizor. Klaudio, i ulur midis dy grave, e kap vajzën për dore. Ajo pret që, në ndonjë çast, ai t’i thotë të dalin, apo t’i bëjë shenjë të përshëndetet me të ëmën, për t’i thënë se po ikin. Gjithsesi, edhe pse ai e çoi në shtëpi, duhet të rrinë pak kohë vetëm, të paktën, t’i japin njëri-tjetrit ca puthje.

Por orët kalojnë dhe Klaudio nuk thotë asgjë. Kësisoj, ajo bëhet ca e paduruar, por nuk do të jetë e pasjellshme dhe të iki e zemëruar. Ajo, kurrsesi, nuk do të prishet me të dashurin, të cilin po vëren tek rri gjithë qejf në divan, duke parë televizor, atje, midis së ëmës dhe së dashurës.

Në orën 11, plaka thotë se ka ardhur ora për të fjetur. Pasi ngrihen të tre, vajza mendon se, më në fund, do të mbetet vetëm me të dashurin. Por, ndërsa plaka shkon drejt dhomës së gjumit, Klaudio e kap të dashurën për dore dhe shkon pas së ëmës. Vajza mendon se duhet ndihmuar plaka për ta mbuluar apo diçka të tillë dhe, qetësisht, e shoqëron.

Plaka ulet në shtrat, heq këpucët dhe shtrihet mbi çarçafë, ashtu e veshur, siç ishte. Ndërkohë, i shpjegon vajzës:

– Klaudio e ka zakon që të shtrihet këtu me mua, derisa të më zërë gjumi. Ma merr mendja se nuk do të mërziteni që të na shoqëroni.

Vajza, e habitur, shikon nga Klaudio, i cili fillon të heq këpucët.

– Jepi, hiqi këpucët, nuk do të zgjasë shumë, – i thotë ai, duke buzëqeshur.

Ajo, disi e turbulluar, i bindet. Ndërsa Klaudio shtrihet, ashtu, midis grave. Në të djathtë ka të ëmën dhe në të majtë të dashurën. I kap dorën së ëmës, po ashtu edhe së dashurës dhe i vë mbi gjoksin e vet. Që të tre janë shtrirë praptas. Plaka i thotë Klaudios që t’i tregojë diçka, çfarëdo qoftë, që zëri i tij ta bëjë të kotet dhe ta zërë gjumi.

Vajza e çuditur dhe e mërzitur plotësisht, bëhet pishman dhe thotë me vete: Jo, nuk mund të kalohet kështu jeta bashkëshortore.

Befas Klaudio kthehet nga ajo dhe i pëshpërit:

– E zuri gjumi.

– Epo, atëherë ikim.

Por ai buzëqesh dhe i mërmërit te veshi:

– Eja, do të bëjmë dashuri këtu.

– Ku?!

– Këtu, në këtë shtrat. Mamaja po fle, nuk shikon gjë.

– U çmende?!

Por, ndërsa flasin, ai e prek, e puth, e kafshon dhe kundërshtimi i vajzës duket se po përzihet me dëshirën, me turpin, me epshin dhe me mizorinë e pranisë së plakës në gjumë të thellë, veshur me të zeza, si një kufomë.

Më në fund, mashkulli arrin t’i penetrojë vajzës gjysmë të zhveshur. Pastaj dashuria vazhdon me më shumë pasion, sesa të qenkëshin plotësisht vetëm. Për momentin, vajza shqetësohet se lëvizjet dhe rënkimet e të dyve mund të zgjonin plakën, por sa herë që i hedh sytë andej, shikon se ajo fle pa lëvizur fare.

Pastaj edhe të dashuruarit flenë.

Kështu i gjen mëngjesi i së nesërmes të tre.

Kur vajza zgjohet, plaka nuk ndodhet në shtrat, ndërsa Klaudio ende fle. Vajza do që ta zgjojë, por ai hungërin dhe kthehet në krahun tjetër. Atëherë, ajo ngrihet dhe shkon në kuzhinë, ku gjen plakën që po përgatit kafen.

– Mirëmëngjesi, zonjë.

– Mirëmëngjesi, goce. Si fjetët?

– Mirë, shumë mirë.

– E di. Të gjitha kështu thonë. Klaudio përherë sjell të dashurat e tij dhe pasi hamë darkë, të tre flemë në atë shtrat. Unë i dëgjoj kur bëjnë dashuri dhe ndihem e ringjallur, sepse kujtoj e rijetoj ato kohë të largëta dhe të bukura. Pa shikomë, a nuk dukem e rinuar sot?

Marrë nga libri: Jacinta Escudos “Tregime të ndyra”, 1997

(Në shqip: Bajram Karabolli)

***

Hasinta Eskudos (1961), shkrimtare salvadorenje. Veprat më të shquara letrare të saj janë: Poema (1984), “Tregime të ndyra” (1997), “Zhgënjimi”, roman (2001), “Lumturi shtëpiake dhe gjëra të tjera të frikshme” , tregime (2002), “A – B – Qefini”, roman (2003) botuar nga Shtëpia Botuese Ndërkombëtare ALFAGUARA. Është e para shkrimtare salvadorenje që kjo shtëpi botuese prestigjioze i boton një roman. Me këtë roman Hasinta Eskudos fitoi çmimin “Mario Monteforte Toledo” (2003).

Leave a Reply

Your email address will not be published.