Poezi
Vlora ADEMI
KRONIKË
24 mars ‘99, e mërkurë, Kosovë
Ora njizet
Sokëllimë
Kohë e nemitun
Katrahurë
Dymijë e dyqind e tetëdhetë orë ankth.
Të tjerat shifra ndryshonin përditë.
Po përballeshin epokat n’sytë tanë.
N’pafuqinë e t’qenit njeri
Ah, sikur t’ishim zogj…
Zogj!? Çfarë zogjsh bre… N’cilin qiell me fluturue don?
Ah! Po sikur t’ishim bebe t’paleme n’bark!? Sa mirë. S’kishim me kuptue, as gja s’kishim me pa, derisa t’kish mbarue…
Hmmm… Jo s’ban. Jo-jo, s’ban! Na gjejnë edhe aty.
1 maj ‘99, e shtunë, Prizren
M’i caktuen njizet e katër orë me i trusë qysh t’muj shtatëmbëdhetë vjet jetë në nji çantë.
Çka t’la?
Çka t’marr?
2 maj 99, e diel, Morinë
«Marš odavde!»
Ma degdisën rritën.
E askurrkundshme u bana.
Po e kapërceja veten dhe nji brez toke njiherësh.
N’shpinë dy prilla t’thyem, fotografitë me shokë dhe nji emblemë, dhuratë prej nji moshatari.
Ai herët kish marrë malin me e matë trimninë me te, unë timen e matja tue e kalue kufinin, me te t’mshefun n’xhep.
Paradoks.
‘00-‘22, Kosovë
Ajo erdh!
Erdh e përgjakun, e gjymtueme, e me vrraga…
E kuqja nisi me u ba si unë.
Ndërroi ngjyrë.
E përqielltë e ngrystë u ba. Njajtë si do… që mbetën gjallë.
Të tjerët,
ata t’Marseve.
Ah! Ata t’pavdirët…
Namës së tyne po i druhem.
BOSHI I BIRIT
(nanave Ferdonije)
Përdita ime e mungueme,
dëshirë që ma prapton pritjen,
si n’pritjen e ngjizjes tande mbrenda meje dikur.
Ashtu po e mas kohën
me shikimin dikah
herë përtej, matanë,
e herë qiellit përpjetë
Ka net kur, mbërthye n’këmishën tande gjithë gritha t’mallit,
mundohem me ia krijue vetes do andrra,
me e zhba nji çast,
me zor me i hapë retë me bërryla
e mos me i lanë me na e zanë dritën n’pritë.
E t’mshefi…
herë mbas magjes,
herë mbas bunarit,
herë mbas shpinës s’nanës
mbrapa diellit ndojherë…
T’i qet nana nji palë krahë shpinës e t’vërvis dikah
e mbarue kur ketë katrahura, kthehem
për dore t’kapi, në gji t’shtrëngoj.
e ta shoh rritën, burrnimin ta shoh me sy përditë.
Zot!
Po qysh mujte aq gjakftohtë me e pa atë dramë?
Qysh mujte me ma shtrenjtue kaq shumë biletën e lirisë?
T’pati thurë nana çorapë prej leshi t’murrmë
mos me t’nirthë kambët dimnit.
Tash, sa herë aviten dimnat, marrohem prej tyne.
Qenka dashtë që nana n’vend t’çorapëve me të pasë thurë nji tjetër nafakë
me lesh t’bardhë
për mu’
për ty.
Nanës, bir t’paça,
Nji shenjë veç, ma ço aman!
Se sot e atë ditë
veç frymës tande i lutem e i falem,
sot e atë ditë përditë agjinoj
për erën tande,
flokun,
fjalën,
lojën,
shtatin,
dorën tande.
Ah!
Veç ajo dorë mundet me m’i mshelë sytë
e me m’përcjellë në tjetrën anë.
UNË – AJO
I mblodha copat e trupit
nji kah nji qosheve t’ferrit
bashkë me pullat e këmishës,
tue pyetë veten qysh me i dalë dritës prap përpara.
U ula n’prag t’odës me e lidhë fatin nyje
e mallkova me loçkë t’shpirtit
nderin,
pragun,
uratat,
ditën e martë,
pritën n’ograjë
e pjellën e nanës
pse m’kishte ba.
Për herë t’parë u rashë n’dy gjuj zotave,
jo me iu lutë,
se lutjet nuk kishin kuptim ma.
Por i gjykova pse grue m’kishin ba.
(Kah duhet me ia nisë prap me jetue?)
Mbasi e gërreva me thoj,
ia pshteta ballin tokës
dhe m’dolën para tana çastet e lumtuna.
U ktheva, e preka lëkurën me dorë.
Ende ishte e njomë
Veç paskan tentue…
Veç paskan tentue me m’lanë pa shteg,
pa fron,
pa emën,
pa kunorë…
U çova!
Me flokët të thinjun mbrenda natës
e përpiva dhimbën me zor,
mbasi e pashë n’sy vrasjen time si t’padëshirueme.
Nji qilim t’ri ia shtrova vetes para
dhe peshën e arsyes e ngarkova mbi shpatulla
I shkunda gjurmët e trishtimit prej trupit
për nanën
për çikën
për motrën
e njizet mijë të tjera si unë.
Dhe zgjodha me e marrë ma t’vështirën udhëː
zgjodha me rrnue.
ATË DITË M’U ÇOR DRITA E SYVE
E kam pa tek m’del hija e shpirtit prej trupi
e trishtueme
E kam pa t’harlisun tuj m’u largue me kryet mbajtë n’dy duer
Nuk pata as za, as forcë, as kohë me iu lutë.
Doja me i thanë: Rri!
Ku po shkon?
Rri me mue!
M’dil zot!
Atë ditë nuk pata as Zot.
I pari shpinën Ai ma ktheu.
Mandej baba mandej
tre vllaznit
burri mandej.
M’veçuen kolone
Ma prenë atë t’shkretë udhë.
Qyqe mbeta vetëm.
Asnjanit nuk iu ba me m’rrokë për krahu
Asnjani t’nesërmes zot nuk m’i duel.
Nuk e di a i kanë mshelë sy e vesh
gjak damarëve a u ka ecë
kur trupit tem shfryhej epsh kazermash
Atë ditë ua kam pa skajin t’kqijave
Atë ditë tirrat e trupit i kam pa tuj m’fluturue me ia mshelë sytë ditës
Atë ditë e kam pa sa i pamitër asht nji burrë
Asnjeni nuk e qiti hapin me m’i dalë para fatit
as burri,
as vllaznit,
as baba,
as Ai.